“Elhamdulil-lah”:
“Falënderimi i plotë i takon vetëm All-llahut”!

Me nisjen e agjërimit të Muajit Ramazan, muslimani angazhohet që të përmirësojë jetën e tij njëmujore, me qëllim vijimësinë në rrugën dhe traditën e begatë të muajit të agjërimit, edhe pas tij. Dashje pa dashje, duke qenë agjërueshëm, disa gjëra shihen me një sy, ndryshe nga 11 muajt e tjerë të rutinës, ku të gjithë, në një mënyrë a një tjetër, bëhemi pjesë e pashmangshme.
 
Mirëpo, ajo që më sillet ndër mend, teksa mendoj dhe hedh sytë përreth, në ditët dhe netët e këtij muaji ndryshimi pozitiv, është pyetja e mëposhtme: A nuk duhet me e falënderu All-llahun, që na udhëzoi në Islam, vulën e misioneve hyjnore dhe të vetmen Thirrje të shenjtë, me të cilën u dërguan të gjithë të Dërguarit e Tij? Sepse, edhe ne (e kam fjalën për praktikantët e  agjërimit dhe rrugëtuesit drejt mirësivë dhe mundësive që ai ofron), mund të ishim njerëz me komplekse islamofobe, që kohët e fundit nuk është e vështirë të identifikohen edhe në vendin tonë, sidomos tash, që bota arabe-islame është bërë si ajo “kafshata” në fjalën profetike, drejt së cilës “egërsirat do të vërsulen” si të babëzitur, në një botë plot hipokrizi e servilizëm..!?
 
Mund të ishim ateistë, si shumë prej atyre, që vazhdojnë të bëjnë moralin darvinist a frojdian, edhe pse i ka skaduar data dhe është dëshmuar haptas dëmi i tyre për shëndetin psikologjik, shkencor e shpirtëror të njeriut bashkëkohor..!?
 
Mund të ishim pijetarë, si shumë sosh, që mbushin tryezat e dala nëpër trotuaret e kalimtarëve, (por jo vetëm), si model imponues dhe shembull dehës, në realitete gjysëm të dehura e gjysëm të hutuara, nëpër të cilat dallgëzohet vendi ynë dhe shoqëria..!?
 
Mund të ishim si shumë joagjërues të rëndomtë, që me një “pfff”, mundohen të largojnë zamallahinë e temës së agjërimit, me arsyetimin e vapës së stinës, pamundësinë e ndarjes nga duhani, rriska e shalqirit a shishja me ujë të akullt..!?
 
Mund të ishim jonamazli, prej atyre që këndimi i ezanit, i kalon si një zhurmë më shumë, në një botë të zhurmshme, ku nuk merret vesh se ç’ka vlen e ka dobi e, ç’ka jo..!? Prej atyre, që shkuarjen në xhami e konsiderojnë si shkak për të hyrë “në gojët e hallkut”, a dëshmi i një identiteti të vjetëruar, që tash me rastin e marrjes së statusit, mund të tingëllojë edhe “më pak evropian si veprim”..!?
 
Mund të ishim.., shumë “mund të ishim”…
 
Por, falë Tij, All-llahu na udhëzoi drejt më të mirës dhe më të përsosurës së mënyrave, me të cilat arrijmë pëlqimin dhe kënaqësinë e Tij në këtë jetë të përkohshme dhe në të përtejmen e pashmangshme.
 
Na udhëzoi në më logjiken dhe më të suksesshmen e formave të dëshmimit tonë si besimtarë dhe njerëz të vendosur për ta jetuar jetën, sipas rregullave dhe moralit të Krijuesit të saj, i qofshim falë! Dhe, për këtë, mjafton me e ndalë pak ritmin e jetës dhe duke marrë frymë thellë, me dëshmu: “Elhamdulil-lah”: “Falënderimi i plotë i takon vetëm All-llahut”!
 
Falënderimi më i mirë në këtë realitet udhëzimi, është rrugëtimi drejt Dashnisë dhe Pëlqimit të Tij, duke përsëritur në vazhdimësi: “Ijjake na'budu ve ijjake nesteín”: “Ty të adhurojmë dhe (vetëm) Ty të kërkojmë ndihmë”!
 
Njëkohësisht, me u lutë, me të njëjtën dashamirësi largpamëse, me të cilën Hz. Muhammedi (a.s) lutej për popullin e Taifit, ditën kur e refuzuan dhe e gjuajtën me gurë, teksa i ftonte drejt udhëzimit dhe Dritës së besimit: “All-llahumme udhëzoje popullin tim, se ata nuk dijnë!”
 
Agjërim të mbarë, të dashurit e mi!

Imam Muhamed Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
 
Shkodër, më 3 korrik 2014

 

“Elhamdulil-lah”: “Falënderimi i plotë i qoftë vetëm All-llahut”!