Mesazhi i Myftiut në prag të Ramazanit 1435/2014
27 qershor 2014
“Muaji i
Ramazanit, është ai në të cilin filloi
të shpallet Kur'ani,
që është udhërrëfyes për njerëz dhe
sqarues i rrugës së drejtë.
Dallues i të vërtetës nga gënjeshtra.
E kush e përjeton prej jush këtë muaj le
të agjërojë,
ndërsa kush është i sëmurë ose në
udhëtim,
le të agjërojë aq ditë nga ditët e
mëvonshme.
All-llahu me këtë dëshiron lehtësim për
ju,
e nuk dëshiron vështirësim për ju.
(Të agjëroni ditët e lëshuara më vonë)
Që të plotësoni numrin,
ta madhëroni All-llahun për atë
udhëzimin tuaj dhe që të falënderoni.”
Kur’an, El-Bekare, 185
Të
nderuar dhe të dashur vëllezër dhe motra
besimtarë,
Edhe pak orë na ndajnë nga momenti
fatlum i shfaqjes së Hanës së re të
Muajit Ramazan, me fillimin e të cilit
nis një jetë e re adhurimi dhe kthimi
nga Zoti për çdo musliman, që beson në
shpresën dhe mundësitë që na jep Zoti,
për të rregulluar vit pas viti jetën
tonë, sjelljen tonë, marrëdhënien me
Madhninë e Tij, veten dhe tjetrin.
Ramazani i sivjetshëm është një hapësirë
e re, për t’u dëshmuar besimi dhe
vullneti i fesë, në shfaqjen e
përkushtimit dhe nënshtrimit ndaj
Thirrjes së All-llahut, për t’u dëshmuar
ditë pas dite si rrugëtues drejt vlerave
islame, me besim dhe bindje!
Muaji i agjërimit, nuk është një muaj
diete, në të cilin privohemi thjeshtë
nga ushqimi dhe pija për disa orë në
ditë, por ai është një mundësi
reflektimi në heshtje mbi detyrimet që
kemi si krijesa të Zotit, ndaj dashnisë
së Tij, me të cilën është rrethuar jeta
e jonë, por që shpesh e harrojmë dhe e
neglizhojmë, nga trysnia e jetës
materiale dhe hutimi në qoshket e saj.
Ky muaj është mundësia më e mirë për ta
kthyer Fjalën e All-llahut, Kur’anin
Famëlartë, në jetën tonë. Ai është Fjala
e pastër e Zotit të gjithësisë. Ai është
Libri, që përmbledh edhe Librat e
mëparshëm hyjnorë, duke na ftuar të
lexojmë, të besojmë e të respektojmë me
nderimin më të thellë, secilin nga të
Dërguarit e Tij dhe urtësitë me të cilat
që rrethuar jeta e tyre! Kur’ani është
Fjala e Zotit, që askush nuk arriti, as
mund të arrijë ta devijojë a të ndërhyjë
në pastërtinë e tij! Prandaj, le ta
shfrytëzojmë këtë muaj, për t’u paqtuar
me Kur’anin dhe mesazhet e tij
dritësuese për jetën e secilit!
Duke vëzhguar me vëmendje rrjedhën
dekadente të jetës shpirtërore dhe
morale të botës së sotme, Muaji i
Ramazanit na shfaqet si mundësia më e
mirë për të kthyer vëmendjen nga feja e
argumentuar nga burimi i paprekshëm;
Kur’ani, aty ku njeriu mund të gjejë
veten e tij dhe të angazhohet për të
ndryshuar pozitivisht, që të ndryshojë
vetë bota!
Vëllezër dhe motra,
Po na vjen mirësia e Zotit, Ramazani, si
një stinë qetësie shpirtërore, për të
cilën kemi kaq shumë nevojë, për t’u
shkëputur nga rutina e ditëve të
mbushura me zhurmë injorance,
afetarizmi, smire, zilie, gënjeshtrash,
hilesh, korrupsioni, imoraliteti, humbje
kohe, mosrespekti ndaj të drejtës së
tjetrit dhe pronës së tij, mosvlerësimi
ndaj jetës dhe pasurisë, mosrespektimi i
kufijve të hallallit dhe vërsulja e
verbër drejt harameve, që verbojnë
zemrën, mendjen, arsyetimin, veprimet!
Ja, realitetet shqiptare, që përkthejnë
më së miri sot, hutimin dhe verbimin pas
materializmit dhe afetarizmit, që kanë
për qëllim ta zhveshin individin nga
feja dhe morali i saj dhe ta kthejnë në
kohërat e injorancës së idhujtarisë.
Prandaj, ju drejtohem ju dhe vetes sime,
ta shfrytëzojmë këtë muaj begatues, për
të ndrequr, atë që është prishur më parë
në jetën e secilit dhe veten e tij. Për
të kërkuar mëshirë, falje dhe udhëzim
nga Zoti, Poseduesi i Vetëm dhe i
Vërtetë, mëshirës, i faljes dhe i
udhëzimit. Për të shpresuar Dritën e
Pëlqimit të Tij për ne, për familjen
tonë, për qytetin dhe vendin tonë, për
mbarë botën e lodhur nga thirrjet e të
mallkuarit dhe shkatërrimi që po bëjnë
bijtë e tij!
Ky është muaji, në të cilin ftohemi për
të rigjetur veten në origjinën e
krijimit, në botën e pastër të shpirtit
të udhëzuar nga Krijuesi i tij, me një
sërë cilësishë dhe vlerash, që i
mungojnë botës sonë dhe për të cilat ajo
ka më së shumti nevojë!
Po vjen Ramazani, Muaji i shpirtit, i
besimit, i adhurimit të pastër dhe i
thirrjes drejt vlerave të humanizmit,
solidarizimit me njerëzit në nevojë,
përkrahjes ndaj të shkelurve e
skamnorëve, altruizmit në jetë,
pastrimit nga kopracia dhe veset,
pasurimit me afrimin e përhershëm drejt
Zotit, nëpërmjet rrugëve legjitime që na
bëjnë të jemi shembulli i besimtarit,
për të cilin Hz. Muhammedi (a.s)
thoshte: “Besimtari, prej robëve të
Zotit, nuk bëhet i keq e zullumqar ndaj
atij që urren, as nuk i hyn në hak atij
që do, as nuk e humbet amanetin, as nuk
ka mëri, as nuk shan, as nuk mallkon, e
pranon të vërtetën edhe po s'ju kërkua,
është i bindur me atë që ka, nuk
pretendon atë që s'është e tij dhe nuk e
kap kopracia kur është koha për të
dhënë”[1].
Me zemër të mirë Ramazanin, ju, të
dashur vëllezër dhe motra besimtarë,
Shkodërloces së dashur, Shqipërisë dhe
shqiptarëve, kudo që të jenë, mbarë
ymetit islam!
Imam
Muhamed Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, e xhuma, më 27 qershor 2014
[1] Hakimi, nga
Xhundub Ibni Abdil-lah (r.a).