“Sofra e Kur’anit”, aktiviteti i përvitshëm
në prag të Ramazanit
25 qershor 2014
Pasditën e së
mërkurës, më 25 qershor 2014, Myftinia
Shkodër ka organizuar për të katërtin
vit radhazi, aktivitetin fetar, në prag
të Muajit të Begatë të Ramazanit: “Sofra
e Kur’anit”.
Këtë vit, për herë të parë, ky aktivitet
u zhvillua në teatrin “Migjeni”, ku të
pranishëm për të kënduar pjesë të
ndryshme nga Kur’ani, Libri i fundit
hyjnor, i zbritur në Muajin Ramazan,
ishin, hafizët e nderuar: Abdullah
Shaqiri (Maqedoni), Idriz Osmani
(Maqedoni), Ali Pollat (Gjermani),
Ibrahim Akbullut (Gjermani) dhe Ahmed
Hillmaz (Danimarkë).
Aktiviteti u përshëndet nga Myftiu i
Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, që
falënderoi të pranishmit për
pjesëmarrjen në këtë mbrëmje të mbushur
me emocionet dhe përshpirtësinë e
prag-Ramazanit.
Myftiu theksoi se Kur’ani është garancia
më e mirë për jetën e njerëzimit, për
t’u kthyer nga besimi dhe vërtetësitë e
tij shekullore absolute, të përmbledhura
në Kur’anin Famëlartë, të vetmin Libër
hyjnor të padevijuar nga dora e njeriut.
Myftiu i Malësisë së Madhe, H. Edmir
Smajlaj, në fjalën e tij përshëndetëse,
uroi të gjithë besimtarët me rastin e
Muajit Ramazan, duke falënderuar këtë
organizim, në të cilin mbushen zemrat me
Fjalën e Zotit dhe lartësohet Emri i
Tij.
I ftuar special i kësaj mbrëmje të
begatë besimi në Shkodër, ishte edhe
drejtori i Thirrjes Islame në
Komunitetin Mysliman të Shqipërisë,
teologu Elvis Naçi.
Në ligjëratën e mbajtur prej tij, u
spikat ftesa për t’u kthyer nga Kur’ani,
si Libri në të cilin, secili njeri
mundet të gjejë rrugët e suksesit dhe
mbarësisë në jetë. Nëpërmjet shembujve
realë nga jeta e përditshme dhe tregimet
e të parëve, teologu Elvis Naçi bëri
thirrje që besimtarët të jenë të
kujdesshëm në respektimin e porosive
kur’anore dhe urdhëresave hyjnore, që e
edukojnë njeriun të jetë shembull
udhëzimi në jetën e tij.
Të pranishmit ndoqën me shumë kënaqësi
edhe këndimet e pjesëve të ndryshme
kur’anore dhe ilahitë e bukura në gjuhën
shqipe, që mbushën sallën me emocionet e
besimit dhe ato të Muajit Ramazan.
Për të pranishmit, Myftinia Shkodër ka
shpërndarë edhe broshurën: “Njinimi i
Muajit Ramazan”, nga Hoxha i nderuar, H.
Vehbi S. Gavoçi, si dhe kalendarin e
këtij muaji të begatë.