Imamët, takim në prag të Ramazanit
24 qershor 2014
Ditën e martë, më 24
qershor 2014, Myftiu i Shkodrës, Imam
Muhamed Sytari, ka zhvilluar një takim
udhëzues, me imamët e Shkodrës, në prag
të Ramazanit 1435/2014, që nis ditën e
shtunë, më 28 qershor 2014
Fillimisht, Myftiu ka uruar imamët me
rastin e Muajit të begatë, duke theksuar
se Ramazani, nuk është thjeshtë një muaj
i zakontë, por një stinë e Thirrjes
Islame, për të cilën, - e kemi për
detyrë të punojmë me krejt forcat dhe
mundësitë që kemi!
Më pas, Myftiu ka dhënë udhëzimet e tij
në lidhje me mbarëvajtjen e anës teknike
që lidhet me xhaminë dhe jetën e saj
gjatë këtij muaj, si: respektimi
maksimal i orareve të imsakut dhe
akshamit, falja e 20 rekateve të lehta
të teravisë, në respekt edhe të orarit
të vonë veror, përhapja e hartës së
xhamive, ku do të këndohet Hatmeja e
plotë e Kur'anit, si: Parrucë, Perash,
Tophanë, Rus, "Ebu Bekër", Medrese etj.
Myftiu ka ftuar imamët që të angazhohen
me sa kanë mundësi, që besimtarët të
kalojnë një Ramazan sa më të begatë, në
paqe me Zotin, veten, tjetrin.