Aktivitet përkujtimor në nderim
të personalitetit të Hafiz Sabri Koçit
21 qershor 2014
Paraditën e sotme, në
xhaminë e Rusit u zhvillua një aktivitet
përkujtimor në nderim të personalitetit
të Hafiz Sabri Koçit, Kryetarit të parë
të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë,
pas viteve 1990.
Në fjalën e tij, Myftiu i Shkodrës,
vlerësoi simbolikën që përfaqëson
personaliteti i H. Sabri Koçit, si
trashëgimtar i një plejade të nderuar të
Hoxhallarëve të shkuar të Shkodrës, prej
të cilëve mësoi dhe u edukua, si dhe
modelin e qëndresës së besimit para
mosbesimit dhe terrorit afetar, që
pllakoi Shqipërinë për dekada!
Myftiu kërkoi që rruga kryesore e Rusit
musliman të ketë emrin e Hafiz Sabri
Koçit, në kujtim dhe respekt të tij. Në
këtë kontekst, Myftiu theksoi se e ka
dorëzuar kërkesën e tij në Këshillin e
Bashkisë Shkodër, madje e ka prsëritur
disa herë, por paradoksalisht nuk ka
marrë akoma përgjigje.
Njëkohësisht bëri thirrje që organet
vendore të bëjnë punën e tyre për
lirimin e truallit të kësaj xhamie, të
zaptuar nga tetë familje të pastreha, në
mënyrë që të mundësohet ndërtimi i
xhamisë së Rusit, për të cilën propozoi
që të ketë emrin "Xhamia Hafiz Sabri
Koçi".
Imami i xhamisë, H. Fejzi Zaganjori,
mbajti një referat të zgjeruar mbi jetën
dhe veprimtarinë e Hafiz Sabri
Koçit, duke vlerësuar rolin e tij në
rimëkëmbjen e Thirrjes Islame pas viteve
'90, si dhe kontributet e tij në afrimin
e Shqipërisë me botën islame. Imami i
nderuar, përmendi edhe disa nga
bashkëpunëtorët më të afërt të Hafiz
Sabri Koçit, me të cilët nisi punën për
të ngritur nga hiçi, komunitetin më të
madh fetar në vend.
Aktiviteti u pasua nga përshëndetja e
familjarëve, këndimi i një ilahie të
bukur nga mbesa e Hafizit
rahmetli, vajza e talentuar Selma
Bekteshi, si dhe dua-hatmeja pë shpirt
të Hafiz Sabri Koçit.