Faleminderit, të nderuar Vëllezër Bajrami!

Imam Muhamed Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

Mbrëmjen e xhumasë, më 20 qershor 2014, u gëzova pa masë, teksa merrja pjesë në ceremoninë e inaugurimit të xhamisë së re "Riza Bajrami" dhe Qendrës Sociale "Nënë Ilmije", në Shkozet të Durrësit.
 
Donatorët e kësaj vepre madhore, Vëllezërit Bajrami, i dhuruan dje mbarë shqiptarëve një shembull të gjallë, që të mbush syrin dhe zemrën me bukurinë dhe madhështinë e tij! Ishte shembulli i faktit se natyrshmëria e Islamit i tërheq me thjeshtësinë dhe butësinë e saj zemrat e sinqerta, me pastërtinë e të bukurës, drejt vendosjes së vullnetit të besimit në shinat e shërbimit ndaj komunitetit, pa ndrojtjen e paragjykimit, në një kohë kur është bërë e modës të hidhet baltë mbi identitetin dhe vokacionin shpirtëror të muslimanëve shqiptarë!
 
Në një farë mënyre, bukuria dhe drita e këtij Kompleksi Islam, sfidoi në heshtje neverinë e përbaltjes mediatike të viteve të fundit dhe imponimin e heshtur, tinzar dhe abuzues me elementin fetar dhe historinë e origjinave fetare tek shqiptarët!?
 
Qe mrekullisht bukur dhe pastër, edhe pa prezencën e shumëkujt, që në inaugurime të ngjashme, i shohim të rendin në rresht për një, për të zënë vendet e para dhe ekranet e televizioneve a faqeve të gazetave, si njerëz të përkushtuar ndaj “thirrjes së Zotit”, a “forcës së besimit”!? Mjerisht për ta, humbën inaugurimin e xhamisë së parë shqiptare me katër minare, pak kilometra larg kryeqytetit shqiptar, që në mjerimin e 24 viteve të fundit, pret në heshtje një “Sadeka Nderi” nga ndonjë dorë e pastër dhe e fisme, për të “firmosur” vendimin historik të pajisjes me xhaminë e shumëpritur katedrale të muslimanëve shqiptarë!?
 
Ndoshta, në heshtjen e tyre, këto katër minare të bardha, sikur na dhanë të gjithëve, që jemi mësuar të kapërdijmë neglizhencën a mospërfshirjen në merakun e mosndërtimit të një xhamie katedrale në kryeqytet, me heshtjen e imponuar a bisedat vrastare të vullneteve, nëpër kafenetë e provincializmit intelektual e shpirtëror; një mësim të qetë e të heshtur!
 
Kur edhe ngurtësirat të japin mësim me heshtjen e tyre, do të thotë se është koha për të bërë një kontroll të hollësishëm a një "rezonancë magnetike", për të nxjerrë në pah diagnostikimin e sëmundjeve të akumuluara nga 16 nëntori 1990 e deri më sot!?
 
Mirëpo a ka pajisje që e bën këtë vizitë? Dhe, mbi të gjitha, a është kush në gjendje të lexojë rezultatin e pritshëm, që më pas të japë edhe recetën e shërimit?!
 
Natyrshëm, ne nuk jemi këta që dukemi, nëse shpresojmë të dëshmohemi ata që duhet të jemi!
 
Qe realisht, një mbrëmje e bekuar, prej atyre që të bën të ndjehesh krenar për shumëçka dhe, për pak momente, të harron dhembjen e 24 viteve të humbura..., ndonëse dhembjen e tyre nuk e shëron asgjë, përveç inaugurimit të Xhamisë Katedrale, në zemër të kryeqytetit të vendit më musliman në Evropën e vlerave!
 
Faleminderit, të nderuar Vëllezër Bajrami!

 

Shkodër, më 21 qershor 2014

 

Faleminderit, të nderuar Vëllezër Bajrami!
Faleminderit, të nderuar Vëllezër Bajrami!
Faleminderit, të nderuar Vëllezër Bajrami!
Faleminderit, të nderuar Vëllezër Bajrami!