Myftiu priti ambasadorin e OSBE 
						dhe atë të Francës
					18 qershor 2014
Ditën e mërkurë, më 
										18 qershor 2014, Myftiu i Shkodrës, Imam 
										Muhamed Sytari, priti në një takim të 
										përzemërt, Ambasadorin e OSBE, z. 
										Florian Raunig dhe Ambasadoren e 
										Francës, znj. Christine Moro, në një 
										bashkëbisedim mbi fenomenin e 
										gjakmarrjes dhe dëmet e tij në shoqërinë 
										shqiptare.
										 
										Pasi u ka uruar mirëseardhjen në 
										Shkodër, ambasadorëve me stafet e tyre, 
										Myftiu ka theksuar se në fjalët e urta 
										arabe, thuhet se: “Kush nuk e vlerëson 
										lirinë e tij, nuk do të arrijë asnjëherë 
										ta mbrojë lirinë!”. Nga këtu, Myftiu ka 
										vënë në pah faktin se fenomeni i 
										gjakmarrjes dhe ngujimi i familjeve në 
										hasmëri, e ka burimin te kushtet 
										tranzicionale, nëpër të cilat kalon 
										vendi ynë.
										 
										Më pas, ka folur edhe për rolin e 
										Myftinisë Shkodër në shërimin dhe 
										trajtimin e këtij fenomeni, nëpërmjet 
										predikimeve të ndryshme, shkrimeve, 
										mesazheve dhe ndërhyrjes në terren për 
										të paqtuar familje në hasmëri, ndonëse 
										ky fenomen nuk ka ndonjë përhapje të 
										madhe në zonat muslimane të Shkodrës.
										 
										Gjatë këtij takimi, Myftiu theksoi se 
										përfshirja e lëndës së edukimit fetar në 
										kurrikulat e arsimit shqiptar, si një 
										model i suksesshëm edhe në shumë vende 
										të Europës, do të kishte ndikimin e tij 
										pozitiv edhe në eliminimin e këtij 
										fenomeni. “Një fëmijë që edukohet që në 
										bankat e shkollës me ekzistencën e Një 
										Zoti, që është Mëshirues, mësimet e të 
										Cilit janë burim i të mirës, harmonisë, 
										paqes dhe solidarizimit të njeriut me 
										vëllanë e tij njeri; është më i gatshëm 
										që nesër të jetë një individ më i pjekur 
										dhe më largpamës në ndërtimin e 
										marrëdhënieve në mesin e njerëzve. 
										Edukata fetare që mësohet në shkollat 
										tuaja, duhet të rikthehet edhe në 
										shkollat tona, ndonëse politikat e 
										deritanishme të vendit tonë, kanë ngelur 
										peng i mentalitetit komunist dhe afetar, 
										që i mbylli këto shkolla, duke pasur për 
										tendencë vrasjen e besimit!” – ka thënë 
										Myftiu.
										 
										Në kontekstet e idesë së vetëgjyqësisë, 
										si shkak i mungesës së shtetit, Myftiu 
										ka theksuar se fenomeni i vetëgjyqësisë, 
										shpeshherë po kthehet në alternativë për 
										t’u studiuar, sidomos në realitetet e 
										korrupsionit dhe mungesës së vullnetit 
										për t’i dhënë të drejtën legjitime dhe 
										të munguar Myftinisë Shkodër, sidomos në 
										çështjen e pronave dhe zaptimit 
										ilegjitim të tyre.
										 
										Myftiu ka theksuar se rropatja e pafund, 
										mbi 24 vjeçare, me të cilën ne si 
										komunitet po përballemi në fenomenin e 
										moskthimit të pronave tona dhe zaptimit 
										të tyre ditën për diell dhe me ndihmën e 
										influencave politike, po kthehet në një 
										lojë nervash, ku me siguri Myftinia 
										Shkodër do të dijë si ta fitojë, duke 
										mos e mbajtur kokën e ulur përpara 
										askujt!
										 
										Në fund të takimit, Myftiu ka shprehur 
										gatishmërinë e Myftinisë Shkodër për të 
										vazhduar në rrugën e dhënies së 
										kontributit të saj në drejtim të 
										paqtimit të njerëzve, duke bashkëpunuar 
										me të gjithë institucionet a faktorët 
										seriozë, të interesuar për shërimin e 
										këtij fenomeni.
|  | 
|  | 
|  | 
|  | 
|  | 
|  | 
|  | 

