“All-llahu ekber” dhe salavatet
zbukuruan kalanë e Shkodrës…
14 qershor 2014
Ditën e shtunë, më 14
qershor 2014, sektori i arsimit në
Myftininë Shkodër, kishte planifikuar
zhvillimin e aktivitetit: “Një dite
argëtuese në krahët e xhamisë së Sulltan
Mehmet Fatihut”, me fëmijët e kurseve
fetare të xhamive të Myftinisë Shkodër.
Që herët, imamët e xhamive dhe fëmijët e
kurseve përkatëse, u tubuan para xhamisë
së Parrucës dhe nën drejtimin e teologut
Arben Halluni, u drejtuan nga kalaja e
Shkodrës, për të kaluar ca orë të
këndshme, në shoqëri të lojrave të
ndryshme, konkurseve, bisedave fetare
dhe namazeve nafile, në hapësirat e
rrënojave të xhamisë së Sulltan Mehmet
Fatihut.
Për të përshëndetur fëmijët dhe imamët e
pranishëm, mbërriti edhe Myftiu i
Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, i cili
shprehu gëzimin e tij për këtë organizim
të goditur të sektorit të arsimit, në
shërbim të gjallërimit të jetës fetare
të fëmijëve frekuentues të xhamive të
shumta të Shkodrës.
Në fjalën e tij para të pranishëmve,
Myftiu ka kërkuar nga fëmijët që mos ta
harrojnë këtë ditë të mbushur me mirësi
vëllazërie islame, nën përkujdesjen e
imamëve të dashur.
“Dua nga ju që të vështroni me vëmendje
objektin pas shpinës tuaj. Është xhamia
e Sulltan Mehmet Fatihut. Xhamia e jonë,
xhamia e juaj! Mos e harroni këtë pamje,
thujuani edhe shokëve tuaj se ishim në
kala, në oborrin e xhamisë së Sulltan
Mehmet Fatihut. Dhe lutuni që në një
ditë të afërt, të faleni e të luteni në
këtë xhami, tamam si paraardhësit tuaj,
muslimanët e hershëm të Shkodrës!”- ka
thënë Myftiu.
Më pas, Myftiu ka kërkuar nga të
pranishmit që ta madhërojnë All-llahun
me tekbire, të cilat janë përsëritur
disa herë, duke krijuar emocione dhe
kënaqësi në mesin e pjesëmarrësve në
këtë aktivitet të bukur. Tubimi dhe
aktiviteti është mbyllur, teksa nën
drejtimin e Myftiut, të gjithë këndonin
salavate mbi të Dërguarin e All-llahut,
Hz. Muhammedin (a.s).