Myftiu mban hytben e xhumasë
në xhaminë e Medresesë
13 qershor 2014
Të xhumanë, më 13
qershor 2014, Myftiu i Shkodrës, Imam
Muhamed Sytari, ka mbajtur hytben e
xhumasë në xhaminë e Medresesë. Në
qendër të hytbes së kësaj jave, ka qenë
realiteti i përditshëm i shoqërisë
shqiptare, i mbushur me varfëri
materiale dhe intelektuale, tendenca
afetare, përpjekje të studiuara dhe
politika të djallëzuara, për ta zhveshur
shqiptarin nga besimi dhe Islami në
mënyrë të specifikuar.
Gjatë hytbes së tij, Myftiu ka përmendur
se Zoti na thërret që të kthehemi nga
rrugët e besimit në Një Zot dhe në
dërgesat profetike, që e plotësuan
vullnetin e Zotit për njeriun dhe
mbarëvajtjen e jetës së tij në tokë.
“Asnjë rrugë tjetër përtej asaj të
besimit, nuk i ka sjellë qëndrueshmëri
në sukses, jetës së njeriut. Prandaj,
sot është momenti që të kthehemi nga
Zoti dhe të heqim dorë nga thirrjet
shterpë të atyre që mundohen me të
gjitha pushtetet e kësaj bote, për ta
zhveshur individin dhe shoqërinë nga
thirrja dhe ftesa e besimit” – ka thënë
Myftiu.
Gjatë kësaj hytbeje, Myftiu i është
referuar hadithit kudsi, ku ndër të
tjera thuhet: “O i biri i Ademit, mos u
frikëso nga asnjë pushtet, sado që
ekziston pushteti Im dhe, dije se
pushteti Im nuk shuhet asnjëherë! O i
biri i Ademit, mos u frikëso nga
ngushtimi i rizkut, sado që magazinat e
mirësive të Mia janë të mbushura dhe,
dije se magazinat e mirësive të Mia nuk
boshatisen asnjëherë!... O i bir i
Ademit, Unë të dua ty, prandaj, pash
hakun Tim, më duaj edhe ti Mua!”.
Në hytben e dytë, Myftiu ka bërë thirrje
që të shfrytëzohen ditët e mbetura para
Muajit Ramazan, si një mundësi për t’u
bërë gati në mënyrën më të mirë, për ta
pritur këtë muaj të madhërishëm.
“Ta shtojmë dhikrin, faljen e pesë
kohëve të namazit me rregull, salavatet
dhe namazet nafile, në prag të ardhjes
së Ramazanit, si mënyra më e mirë për
pritjen e tij”- ka përfunduar Myftiu.