Deklaratë për shtyp mbi Vakëfin në Zdrale
02 qershor 2014 - Shkodër
Myftinia Shkodër, 2 qershor 2014
Tregu i Zdrales ka njëzet vite që
shfrytëzohet dhe administrohet nga ana e
Bashkisë Shkodër, me marrëveshje
dypalëshe midis saj dhe tregtarëve të
Zdrales.
Myftinia Shkodër gjatë gjithë këtyre
viteve nuk ka marrë asnjëherë të ardhura
nga kjo pronë e shenjtë vakëf, në
origjinë, megjithëse ka bërë tentativa
për vjelje të përbashkët të të ardhurave
të qirasë me Bashkinë, përpjekje të
parealizuara për arsye të mungesës së
lejes së tregut Zdrale.
Në tetor të vitit 2013, Myftinisë
Shkodër i është bërë kthimi i pronës
vakëf në Zdrale, 3782 m2 (tri mijë e
shtatëqind e tetëdhjetë e dy m2), e
mbajtur në përdorim nga ana e Bashkisë
Shkodër gjatë gjithë këtyre viteve.
Me kthimin e pronës Myftinia Shkodër
normalisht kërkon të ndërtojë dhe të
zhvillojë këtë vakëf, me qëllim rritjen
e të ardhurave dhe sipërfaqeve vakëf për
Myftininë Shkodër dhe Komunitetin
Mysliman të Shqipërisë.
Theksojmë se vizioni i zhvillimit të
kësaj prone nga ana e Myftinisë Shkodër
është në përputhje me planet urbanistike
dhe zhvillimore të miratuara nga ana e
Bashkisë Shkodër në Planin Rregullues të
Qytetit, të miratuar edhe nga Këshilli i
Rregullimit të Territorit të Shqipërisë
KRRTSH, me nr. 14, datë 4. 7. 2013.
Duke marrë në konsideratë edhe problemin
social që mund të krijohet në aplikimin
e projektit të zhvillimit të kësaj
prone, Myftinia Shkodër pas bisedimeve
edhe me një përfaqësi të tregtarëve,
është angazhuar që të ndërhyjë pranë
organeve të Bashkisë Shkodër për të bërë
të mundur krijim e një tregu alternativ
për tregtarët aktual të Zdrales, si
detyrim që Bashkia ka ndaj tyre.
Ndërkohë, Myftinia Shkodër është
angazhuar gjithashtu që për të gjithë
tregtarët që për momentin tregtojnë në
këtë treg të bëhet një listë, ku ata do
të kenë prioritet në marrjen me qira të
dyqaneve të reja që do të ndërtohen në
Qendrën Tregtare të Myftinisë Shkodër,
me çmime shumë favorizuese.
Myftinia Shkodër dhe Komuniteti Mysliman
i Shqipërisë, pasi u njohën me
problematikën dhe zhvillimet e fundit në
lidhje me këtë “ngërç” të krijuar, si
dhe pasi janë bërë konsultat e duhura
juridike, kanë marrë vendim që tregtarët
në Zdrale të lejohen të qëndrojnë dhe të
ushtrojnë aktivitetin e tyre, deri më
datën 15 janar 2015, duke i dhënë kështu
mundësi tregtarëve që të kalojnë edhe dy
sezone të favorshme për tregtinë, si dhe
lëvizjen në mënyrë sa më natyrale e të
lehtësuar nga prona në fjalë.
Njëkohësisht, ky afat i jep mundësi edhe
Bashkisë Shkodër për gjetjen e një
hapësire të ngjashme e funksionale për
ushtrimin e aktivitetit tregtar, që
sipas informacioneve tona të sakta,
Bashkia i posedon.
Myftinia Shkodër ka vendosur që për
periudhën tetor 2013 – 15 janar 2015 të
mos marrë asnjë pagesë qiraje nga ana e
saj nga tregtarët që ushtrojnë
aktivitetin e tyre tregtar në këtë
vakëf, në solidarizim me ta dhe
interesin e tyre.
Myftinia Shkodër fton Bashkinë Shkodër
të marrë përgjegjësinë që i takon në
këtë mes dhe të dëshmojë vullnetin për
rregullimin dhe sistemimin e tregtarëve
në fjalë.