Myftiu i Shkodrës: “Tregu i Zdrales nuk preket deri më 15 janar 2015!”
02 qershor 2014 - Shkodër
Paraditën e së hënës,
më 2 qershor 2014, Myftiu i Shkodrës,
Imam Muhamed Sytari priti në një
bashkëbisedim sqarues një përfaqësi të
tregtarëve të Zdrales, mbi gjendjen e
krijuar, nga momenti që Bashkia Shkodër
nuk i ka dhënë zgjidhje situatës së
krijuar pas marrjes nga Myftinia Shkodër
të çertifikatës legjitime të vakëfit të
saj, pas sekuestrimit, në vitin 1967.
Gjatë bashkëbisedimit me përfaqësuesit e
tregtarëve, Myftiu ka sqaruar se
Myftinia Shkodër dhe Komuniteti Mysliman
i Shqipërisë, janë të interesuar për ta
zhvilluar vakëfin e Zdrales, me
ndërtimin e një Qendre Tregtare
bashkëkohore, ç’ka do të thotë, prishjen
e tregut aktual të ngritur nga Bashkia
në pronën vakëf.
Myftiu ka sqaruar se e gjithë ecuria e
veprimeve të Myftinisë Shkodër është
krejtësisht e ligjshme dhe në përputhje
me ligjet në fuqi të vendit.
Njëkohësisht Myftiu ka theksuar se që
nga data 7 tetor 2013, kur edhe është
marrë çertifikata e kësaj prone,
Myftinia ka lajmëruar me shkresë zyrtare
Bashkinë, që të mos rinovojë kontratat
vjetore me tregtarët e Zdrales.
Njëkohësisht ka kërkuar nga Bashkia, që
tregtarëve në fjalë, t’u gjendet një
treg alternativ, si përgjegjësi e
Bashkisë Shkodër.
Gjatë këtij bashkëbisedimi, Myftiu u
komunikoi tregtarëve vendimin e marrë
nga drejtuesit e Komunitetit Mysliman të
Shqipërisë, Myftinisë Shkodër dhe
partnerëve të interesuar për këtë
bashkëpunim të dobishëm në favor të
zhvillimit të vakëfit, për lejimin e
tregtarëve aktualë për zhvillim të
aktivitetit të tyre tregtar, deri më 15
janar 2015, në pronën e çertifikuar
Myftinisë Shkodër.
Myftiu ka informuar përfaqësinë e
tregtarëve se për këtë periudhë mbi një
vjeçare, Myftinia Shkodër ka vendosur të
mos marrë asnjë qera nga tregtarët e
këtij tregu provizor të ngritur kohë më
parë nga Bashkia Shkodër, në shenjë
solidarizimi me ta.
Myftiu ka theksuar sërish se problemi i
tregtarëve në fjalë është përgjegjësi e
Bashkisë Shkodër dhe se Myftinia Shkodër
ka kërkuar nga Kryetari i Bashkisë që të
gjejë një vend alternativ për tregtarët
në fjalë.