Mbrëmje fetare mbi Isranë dhe Miraxhin
në xhaminë Mes-Myselim
29 maj 2014 - Shkodër
Ditën e enjte, më 29
maj 2014, pas namazit të akshamit,
Myftinia Shkodër ka organizuar një
tribunë fetare në xhaminë e fshatit
Mes-Myselim, mbi mrekullinë e Israsë dhe
Miraxhit.
Pas namazit të akshamit, nën drejtimin e
teologut Naim Drijaj, imami i xhamisë
Mes-Myselim, teologu Altin Nikshiqi, ka
theksuar se ky tubim vjen në vazhdën e
bisedave fetare mbi vlerën dhe mirësinë
e mrekullisë së Israsë dhe Miraxhit të
Hz. Muhammedit (a.s), në një kohë, kur
të gjithë kemi nevojë të mësojmë dhe të
kuptojmë përherë e më shumë rreth saj.
Ligjëruesi i kësaj mbrëmje ishte Myftiu
i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari. Në
fjalën e tij, Myftiu ka theksuar se
detajet e mrekullisë së Israsë dhe
Miraxhit të pejgamberit tonë, Hz.
Muhammedit (a.s), janë një motiv më
shumë për të kuptuar, se secili prej
nesh duhet të kërkojë më shumë nga vetja
e tij, në rrugën e dëshmimit si musliman
i suksesshëm në jetë, kudo e sido që të
jetë.
Myftiu ka sqaruar se ligjërata e tij
bazohet në rrëfimet e dijetarit të
shquar të historisë islame, Ibni Hisham,
nga libri i të cilit, ka folur mbi
detajet e shumta dhe interesante të
kësaj mrekullie, që akoma sot tërheq
vëmendjen dhe mbush zemrat me emocion
dhe dashuri për të Dërguarin e
All-llahut.
Gjatë kësaj ligjërate, Myftiu ka kërkuar
që muslimanët shqiptarë, të kenë
shembullin kryesor të jetës së tyre Hz.
Muhammedin (a.s) dhe të kuptojnë se
njeriu që i frikësohet All-llahut
(xh.sh) dhe ndjek me disiplinë rregullat
e Tij në jetë, herët a vonë, do të
shpërblehet me sukses dhe ngadhënjim,
sikurse do ta shohë se bota mbarë do të
jetë në shërbim të tij, sikurse
shembulli I Hz. Muhammedit (a.s) në
natën e begatë të Israsë dhe Miraxhit.
Në fund të ligjëratës, Myftiu ka bërë
edhe një lutje në gjuhën shqipe, ku ndër
të tjera është lutur edhe për besimtarët
dhe familjet e fshatit Mes-Myselim,
mbarësinë e tyre dhe ruajtjen e Islamit
brez pas brezi, deri në ditën e
gjykimit.