U përkujtua Israja dhe Miraxhi i Hz. Muhammedit (a.s)
25 maj 2014 - Shkodër
Pasditën e së dielës,
më 25 maj 2014, Myftinia Shkodër,
organizoi në xhaminë e Parrucës një
tribunë fetare, të gërshetuar me ilahi
dhe salavate, në përkujtim të Natës së
Bekuar të Israsë dhe Miraxhit, një ndër
mrekullitë më të spikatura në jetën e
Hz. Muhammedit (a.s).
Aktiviteti ka nisur me fjalën hapëse,
nga teologu Ervil Kuçi, që ka bërë një
shpjegim teologjik rreth mrekullisë së
Israsë dhe Miraxhit, bazuar në ajetet
kur’anore që flasin për këtë natë të
bekuar.
Më pas, në fjalën e tij përshëndetëse,
Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari
ka theksuar se, Nata e Israsë dhe e
Miraxhit është nata e familjes, pasi në
vende të ndryshme në Kur’an është vënë
theksi te edukimi i familjes me faljen e
namazit, që ishte dhuntia më e madhe e
kësaj nate. Myftiu ka bërë thirrje që
fryma e imoralitetit dhe devijimet nga
morali i fesë dhe traditave tona fetare
dhe kombëtare, që po mbështeten edhe nga
politika dhe media, janë një rrezik që
nuk duhet toleruar, duke mos heshtur,
për asnjë arsye.
Aktiviteti ka vijuar me ligjëratën e
mbajtur nga H. Edmir Smajlaj, Myfti i
Malësisë së Madhe, që ka hedhur dritë
mbi vlerën e namazit në jetën e
muslimanit. Myftiu ka bërë thirrje që
muslimanët të jenë më të vëmendshëm dhe
më të lidhur me këtë dhunti hyjnore, që
iu obligua Hz. Muhammedit (a.s) në natën
e Israsë dhe Miraxhit. Myftiu ka
theksuar se namazi është lidhja më e
rëndësishme që mban muslimanin të lidhur
pas fesë së tij.
Më pas, medresisti Orhan Dani dhe H.
Sami Muçej, kanë kënduar pjesë nga
mevludi, salavate dhe ilahi, në
përkujtim të kësaj nate.
Teologu Lavdrim Hamja, në referatin e
tij, ka folur mbi Isranë dhe Miraxhin,
parë nga një këndvështrim shkencor dhe
teologjik, ku ka sjellë argumente nga
Kur’ani, Tradita profetike dhe shkenca,
në vërtetim dhe shpjegim të kësaj
ndodhie, që akoma sot mbetet një
mrekulli që sfidon materializmin dhe
botën afetare.
Në fund, të pranishmit janë uruar në mes
vete, duke u lutur që Muaji i
Madhërueshëm i Ramazanit t’i gjejë në më
të mirën gjendje muslimanët e Shkodrës
dhe të mbarë botës islame.