Mrekullia e Israsë dhe Miraxhit 
						në këndvështrimin historik dhe shkencor
					25 maj 2014 - Shkodër
 Bismilahi 
										Rrahmani Rrahim
										
										I dashuri ynë, zotëria i bijve të Ademi, 
										Pejgamberi (a.s) ishte njeri, por jo si 
										gjithë njerëzit e tjerë. Historia e 
										jetës së tij (a.s) nuk është si historia 
										e asnjë njeriu tjetër mbi sipërfaqen e 
										tokës. Sepse ai (a.s) është shembulli më 
										i mirë dhe drita udhëzuese për mbarë 
										njerëzimin. Prandaj, çdo aspekt, moment 
										dhe çast i jetës së tij është udhëzim, 
										mësim dhe këshillë për këdo që do të 
										marrë udhëzim, këshillë dhe mësim. Prej 
										këtu, del dhe kuptojmë rëndësinë e jetës 
										së ndritur të këtij Profeti, që ishte 
										vula e gjithë Pejgamberëve dhe mëshira e 
										dhuruar gjithë botëve.
										
										Është detyrë për çdo mysliman, i cili me 
										dëshirë, bindje dhe vullnet të plotë 
										pason këtë Pejgamber të madh, të kujtojë 
										dhe përkujtojë, vetës dhe të tjerëve, sa 
										më tepër që të jetë e mundur pjesë nga 
										jeta e tij ndritur (s.a.v.s).
										
										Sa më shumë që ta studiojmë jetën e të 
										Dërguarit (a.s) aq më tepër do ta duam, 
										do ta nderojmë dhe do ta pasojmë. Sepse 
										jeta e tij (a.s) nuk është dhe nuk i 
										ngjan jetës së asnjë krijese tjetër. Atë 
										Allahu i Madhëruar e bërë "siraxhen 
										munira - dritë ndriçuese" dhe mëshirë 
										për mbarë botët.
										
										Ka disa prej vëllezërve tanë që janë 
										sprovuar me debate rreth përkujtimit, 
										apo jo të ngjarjeve historike në 
										përgjithësi dhe veçanërisht të ngjarjeve 
										të mëdha nga jeta e Pejgamberit (a.s). 
										Sikur ngjarjet historike të mos kishin 
										rëndësi dhe sidomos ato që flasin për 
										Beni Israilët, Allahu nuk do t'i kishte 
										përmendur dhe vulosur në Kur'an duke 
										thënë: لَقَدْ كَانَ فِي قَصَصِهِمْ 
										عِبْرَةٌ لِّأُولِي الْأَلْبَابِ "Me të 
										vërtetë në tregimin e tyre ka mësim për 
										të zotët e mendjes"[1] 
										A mund të themi që të marrim mësim vetëm 
										prej Pejgamberëve të mëparshëm dhe të 
										lëmë mësimet që dalin prej ngjarjeve të 
										mëdha të Pejgamberit tonë (a.s)? A të 
										përmendet buburreca e Sulejmanit (a.s) 
										dhe lopa e Beni Israilëve, e të mos 
										përmenden dhe përkujtohen mrekullitë e 
										të Dërguarit tonë, Muhammedit (a.s)? Kjo 
										gjë nuk i lejohet të thuhet dhe as të 
										pranohet prej asnjë myslimani.
										
										Prandaj vëllezër dhe motra besimtarë, 
										edhe ne sot jemi mbledhur për të 
										përkujtuar një prej ngjarjeve më të 
										mëdha nga jeta e Pejgamberit tonë (a.s), 
										e cila është ngjarja dhe në të njëjtën 
										kohë mrekullia e Israsë dhe Miraxhit.
										 
										Mrekullia e Israsë dhe Miraxhit:
										
										Mrekullia e Israsë dhe Miraxhit, apo 
										mrekullia e udhëtimit tokësor (Isra) dhe 
										 atij qiellor (Miraxh) edhe sot pas 15 
										shekujsh mbetet një ngjarje shumë e 
										rëndësishme, me mësimet dhe refleksionet 
										që na sjell, si në aspektin historik, 
										por edhe në atë shkencor. 
										
										Mrekullia e Israsë dhe Miraxhit është e 
										përbërë nga dy pjesë. Pjesa e parë, e 
										cila përbëhet nga shpejtësia e 
										jashtëzakonshme me të cilën Pejgamberi 
										a.s bëri udhëtimin tokësor (Isra) nga 
										Qabeja në Mekke për në xhaminë Aksa në 
										Kudsin Sherif. Pastaj, edhe një herë me 
										këtë shpejtësi, pjesa e dytë e 
										mrekullisë, e udhëtimit hapësinor 
										(Miraxh) nga toka, xhamia Aksa, për në 
										qiell, që sado të mund të përparojë 
										shkenca dhe teknologjia, nuk mund t’i 
										përcaktojë se sa të mëdha ishin këto 
										shpejtësi dhe as nuk do të arrijë 
										ndonjëherë të njohë diçka rreth kësaj 
										force, shpejtësie dhe mënyrës se si 
										ndodhi ky udhëtim, vetëm aq sa na është 
										treguar në Kur’anin Famëlartë.
										
										Ja se si përshkruhet ky udhëtim në 
										Librin e Allahut (xh.sh): Bismilahi 
										Rrahmani Rrahim: “Pa të meta është 
										Lartmadhëria e Atij që robin e Vet e 
										kaloi në një pjesë të natës prej 
										Mesxhidi Haramit  gjer në Mesxhidi 
										Aksa, rrethinën e të cilës Ne e kemi 
										bekuar, për t'ia treguar atij disa nga 
										argumentet Tona. Vërtet, Ai është 
										Dëgjuesi, Shikuesi”[2].
										
										Ky udhëtimi është kryer me trup dhe me 
										shpirt, në një pjesë të natës mes Qabes 
										në Mekkë për në xhaminë Aksa në Kuds. 
										Udhëtimin me trup dhe me shpirt, dhe jo 
										vetëm me shpirt (në gjumë, në ëndërr 
										etj.) e mbështesim në këto argumente:
										
										1. Allahu (xh.sh) e 
										fillon ajetin me fjalën “Subhane”, ( Pa 
										të meta është Lartmadhëria e Atij) dhe 
										përdormi i fjalës “Subhane” është 
										parapërgatitje për lexuesin se më pas do 
										të lexojë një gjë të çuditshme për 
										mendjen njerëzore. Allahu (xh.sh) e 
										pastron veten e tij nga dobësia, mungesa 
										e pafuqisë, ortakëria se ndokush mund të 
										sjellë diçka të ngjashme me Allahun 
										(xh.sh) etj.
										
										2. Përdormi i fjalës rob, “që 
										robin e Vet e kaloi në një pjesë të 
										natës”, dhe rob nuk i thuhet dikujt 
										vetëm në qoftë se është me trup dhe me 
										shpirt.
										
										3. Udhëtimi ishte me 
										trup dhe me shpirt, sepse po të ishte 
										vetëm me shpirt, në gjumë në ëndërr nuk 
										do të konsiderohej mrekulli dhe as nuk 
										do të gjente përgënjeshtrimin dhe 
										mohimin nga ana e idhujtarëve të Mekkes 
										për këtë ngjarje.
										
										Në hadithin e saktë që transmeton 
										ngjarjen-mrekulli të Israsë dhe 
										Miraxhit, Pejgamberi (a.s) na tregon për 
										mjetin e udhëtimin me të cilin përshkoi 
										distancën dhe hapësirën qiellore, e kjo 
										quhej Burrak.
										
										Çfarë ishte “burraku”?
										
										Pasi Pejgamberi (a.s) përfundoi 
										udhëtimin e tij dhe u kthye në Mekke, ai 
										u tregoi njerëzve për çfarë i kishte 
										ndodhur gjatë një pjese të natës. 
										“Pastaj Xhebraili (a.s) më solli një 
										kafshë të bardhë, e cila quhej 
										Burrak...hidhte hapin aq sa hidhte 
										shikimin”[3].
										
										Kjo kafshë ishte mjeti me të cilin 
										Pejgamberi (a.s) bëri udhëtimin e tij 
										tokësor dhe qiellor. Por çfarë thonë 
										komentuesit për Burrakun? Përveç 
										mendimit tradicional për të, që është 
										një kafshë, ka edhe një mendim tjetër, 
										që ndoshta është edhe më i pranueshëm 
										për natyrën e kësaj mrekullie, që 
										Burrak, u quajt kështu prej thellësisë 
										së bardhësisë dhe shkëlqimit të saj, 
										ashtu siç është edhe vetëtima, pasi 
										Burrak vjen nga fjala Berk, që në gjuhën 
										arabe do të thotë vetëtimë. Kështu që 
										Pejgamberi (a.s) udhëtoi  me anë të 
										kësaj dukurie nga Mekkeja në Kuds dhe 
										pastaj nga Kudsi në qiell me shpejtësinë 
										e dritës (me anë të vetëtimës), që 
										sidoqoftë mbetet diçka enigmë, por që 
										transportoi dhe mbrojti Pejgamberin 
										(a.s) nga forca e saj shkatërruese.
										
										Pastaj, me të mbërritur në xhaminë Aksa, 
										Pejgamberi (a.s) fali imam dy rekatë 
										namaz në prani të Pejgamberëve të tjerë 
										dhe më pas bëri Miraxhin, ngjitjen në 
										qiell.
										
										Miraxhi, ose ngjitja në qiell
										
										Universi, të cilin njeriu mund të 
										shikojë vetëm një pjesë të vogël të tij, 
										është shumë herë më i gjerë dhe më i 
										madh, por kaq arrin kapaciteti dhe 
										mendja njerëzore të shikojë dhe 
										përceptojë. Shkencëtarët llogarisin që 
										në univers ndodhen të paktën 125 miliard 
										galaktika. Çdo galaktikë përbëhet nga 
										100-400 miliard yje. Planeti ynë Tokë 
										ndodhet në galaktikën Rruga e Qumështit, 
										e cila është 100.000 mijë vjet drite e 
										gjerë dhe 1000 vjet drite trashësi dhe 
										që ka formën e një pjate. 
										
										Se, ku fillon qielli i parë dhe ku 
										mbaron, atë nuk e di kush, përveç Atij 
										që e krijoi gjithë këtë madhështi vetëm 
										duke i thënë "kun fe-jekun" “bëhu” dhe 
										ajo "u bë" menjëherë. Një udhëtim në 
										gjithë këtë hapësirë edhe me hipotezat 
										dhe teoritë e shkencës së sotme, të 
										cilat janë të pamundura që të realizohen 
										praktikisht, nuk mund të ndodhë, përveç 
										me forcën dhe fuqinë e Atij, i Cili vetë 
										e krijoi këtë hapësirë. 
										
										Ata të cilët mohojnë mrekullinë e Israsë 
										dhe Miraxhit, u themi që të lexojnë dhe 
										të kërkojnë për ngjarje të tjera, që 
										kanë ndodhur gjatë historisë së 
										njerëzimit dhe janë të regjistruara në 
										librat e historisë njerëzore, por 
										veçanërisht ato mrekulli, të cilat 
										Kur’ani Famëlartë i ka regjistruar.
										
										
										Dhe po përmendim:
										
										Transportimi i fronit të 
										mbretëreshës Belkizë, nga Sebei 
										në Jemen për në vendin ku banonte 
										Sulejmani (a.s) në Sham, në lindje të 
										detit të Bardhë të Mesdheut. Ja si e 
										përshkruan Kur’ani: “Ai (Sulejmani) tha: 
										“O ju pari, cili prej jush do të më 
										sjell fronin e saj, para se ata të vijnë 
										të dorëzuar?” Njëri prej xhinëve, Ifriti 
										tha: “Unë do të ta sjell atë para se të 
										ngrihesh nga vendi yt, për këtë unë kam 
										fuqi dhe jam i sigurt!” E ai i cili 
										kishte dituri nga libri tha: “Unë ta 
										sjell atë sa çel e mbyll sytë!” E kur e 
										pa atë (fronin) të vendosur pranë tij, 
										(Sulejmani) tha: “Kjo është dhuntia e 
										Zotit tim për të më sprovuar mua se a do 
										ta falënderoj, apo mos do ta mohoj. E 
										kush falënderon, ai falënderon për të 
										mirën e vet, e kush mohon, Zoti im (s'ka 
										nevojë), është i pa nevojë dhe është 
										Bujar!”[4].
										
										Por, si ka ndodhur ky transportim në atë 
										distancë të madhe, akoma edhe sot nuk 
										dihet gjë se në çfarë mënyre dhe forme 
										ndodhi.
										 
										Shndërrimi i materies në energji 
										dhe i energjisë në materie:
										
										Ajo që mund të na ofrojë kuptimin e 
										udhëtimit të Pejgamberit (a.s) në këto 
										distanca super të largëta është 
										shndërrimi i materies në energji, pastaj 
										shndërrimi i energjisë në materie. Sipas 
										zbulimeve të reja shkencore kjo gjë 
										është e njohur, apo e mundur teorikisht, 
										por është vetëm çështje teorie dhe e 
										pamundur të realizohet praktikisht.
										
										Tashi, le të hyjmë në Miraxh, ose në 
										ngjitjen nga sipërfaqja e tokës në 
										shtresat qiellore, duke përshkuar dhe 
										depërtuar distancat tokësore, planetare 
										dhe yjore, deri atje ku njeriu dhe 
										mendja e tij, por edhe e asnjë krijese 
										tjetër, nuk kanë më njohuri.
										
										Sureja Nexhëm, në të cilën përshkruhet 
										Miraxhi, na tregon për udhëtimin qiellor 
										duke thënë: Bismilahi Rrahmnai Rrahim: 
										“Pasha yllin kur ai bie! Shoku juaj 
										(Muhammedi) as nuk është njeri që ka 
										humbur, e as që ka devijuar. Dhe ai nuk 
										flet nga mendja e tij. Ai (Kur'ani) nuk 
										është tjetër pos shpallje që i shpallet. 
										Atë ia mësoi Ai, fuqiforti, (Xhibrili). 
										Që ka mendje precize dhe që u përqendrua 
										në formën e vet (reale). Dhe ai 
										(Xhibrili) ishte në horizontin e lartë. 
										Pastaj u lëshua dhe iu afrua. E ishte 
										afër sa dy harqe (dy kutë) apo edhe më 
										afër. Dhe i shpalli robit të Tij atë që 
										ia shpalli. Zemra nuk mohoi atë që pa. A 
										po i bëni polemikë atij për atë që ka 
										parë? Atë (Xhibrilin) e ka parë edhe 
										herën tjetër. (E ka parë) tek Sidretul 
										Munteha. Që pranë saj është xhennetul 
										Me'va (kopsht strehimi). Atëherë kur 
										Sidrën e mbuloi çka e mbuloi. Shikimi (i 
										Muhammedit) as nuk lakoi e as nuk 
										tejkaloi. Ai (Muhammedi) vërtet, pa disa 
										nga shenjat më të mëdha të Zotit të vet”[5].
										
										Për ta afruar më afër mendjes njerëzore, 
										këtë mrekulli të jashtëzakonshme, 
										patjetër duhet t’i qasemi, aq sa na 
										lejon edhe koha në dispozicion, teorisë 
										së astrofizikës, teorisë së udhëtimit në 
										hapësirë me shpejtësi të mëdha, që i 
										afrohen shpejtësisë së dritës.
										
										Në vitin 1905 Ajnshtajni, në teorinë e 
										tij të relativitetit bashkoi vendin me 
										kohën. Ai tha se nuk mund të flasim për 
										kohën pa marrë parasysh vendin dhe as 
										për vendin pa marrë parasysh kohën. Sa 
										kohë që çdo gjë është në lëvizje, 
										patjetër ajo mban me vete edhe kohën e 
										saj dhe sa më shpejt të lëvizë, aq më 
										shumë koha tkurret (zvogëlohet), në 
										krahasim me kohërat e lidhura me 
										lëvizjen, të cilat janë më të ngadalta 
										se ajo.
										
										Përfundimi: Koha tkurret (zvogëlohet) me 
										rritjen e shpejtësisë dhe shpejtësia 
										rritet me shtimin e fuqisë.
										
										Kështu materialistët janë të bindur se 
										shpejtësia, koha dhe fuqia janë gjëra të 
										lidhura me njëra-tjetrën. Por, në qoftë 
										se ekziston ndonjë krijesë më e fuqishme 
										se njeriu, e për besimtarët ekzistojnë 
										krijesa të tilla, (ndoshta jo nga lloji 
										i njeriut, si p.sh. xhin, ose melek), 
										atëherë ai lëviz me ligje të tjera, të 
										ndryshme nga ligjet njerëzore, duke 
										përshkuar distanca, duke kaluar pengesa 
										dhe duke bërë gjëra të tjera që njeriu, 
										i cili jeton në këtë planet nuk i 
										imagjinon dot.
										
										Megjithëse shpejtësia e dritës në 
										boshllëk, është shpejtësia më e madhe e 
										njohur deri tani, shkenca moderne nuk 
										mohon ekzistencën e  ndonjë 
										shpejtësie tjetër më të madhe se 
										shpejtësia e dritës në boshllëk, edhe 
										pse akoma nuk e ka arritur një gjë të 
										tillë, ndonëse shpejtësia e grimcave 
										Beta në ujë arriti t’ia kalojë 
										shpejtësisë së dritës, por vetëm në ujë 
										dhe jo në boshllëk. 
										 
										Çfarë rëndësie ka kjo 
										ngjarje-mrekulli?
										
										Të kuptuarit e rëndësisë së përkujtimit 
										së kësaj mrekullie, apo mësimet që 
										nxjerrim prej saj janë qëllimi i Israsë 
										dhe Miraxhit. Këtë shkurtimisht po e 
										përmbledhim si më poshtë:
										
										1- Mesxhidul Aksa: Duke 
										ditur se Pejgamberi (a.s) udhëtoi nga 
										Qabja në Mesxhidul Aksa, kjo nënkupton 
										rëndësinë e Xhamisë Aksa për myslimanët 
										dhe se kjo xhami është Kibla e parë e 
										myslimanëve dhe xhamia e tretë e shenjtë 
										për ta.
										
										2- Feja e Allahu është një: 
										Falja e 2 rekatëve namaz me Pejgamberët 
										e tjerë në xhaminë Aksa dhe takimi me ta 
										në çdo qiell tregon se feja e Zotit 
										është një dhe e vetme, se pejgamberët 
										janë vëllezër të një familje të madhe, 
										të gjithë janë dërguar prej Allahut 
										(xh.sh) dhe ne nuk bëjmë dallime mes 
										tyre. Pejgamberi (a.s) ka thënë: 
										"Shembulli im dhe shembulli i profetëve 
										përpara meje është sikur shembulli i një 
										njeriu që ndërtoi një shtëpi, e përsosi, 
										e zbukuroi dhe e plotësoi, përveç një 
										tulle në një qoshe. Njerëzit filluan ta 
										vizitonin, të mahniteshin dhe thonin: Ah 
										sikur kjo tullë të vendosej këtu e të 
										plotësohet ndërtimi i saj! Pejgamberi 
										(a.s) tha: Unë jam kjo tullë"![6]
										
										3- Namazi: Siç e dimë 
										dhe kemi mësuar namazi u bë obligim në 
										Miraxh, pra në qiell dhe kjo nënkupton 
										se namazi është miraxhi i besimtarit dhe 
										kushdo që dëshiron të bëjë miraxh, nuk i 
										mbetet gjë tjetër vetëm se të marrë 
										abdes dhe të falë namaz.
										
										4- Besa me Allahun dhe Beni 
										Israilët: Në Kur'an sureja që 
										përshkruan udhëtimin nga Qabja në 
										Mesxhidul Aksa quhet sureja Isra dhe 
										pikërisht në këtë sure Allahu (xh.sh) 
										flet për Beni Israilët, për ngritjen dhe 
										rënien e tyre dhe të çdokujt që thyen 
										besën me Allahun (xh.sh).
										 
										Në përfundim: E gjithë ngjarja e Israsë 
										dhe Miraxhit transmetohet me argumente 
										të pakundërshtueshëm dhe të saktë, e 
										këto janë Kur'ani famëlartë dhe hadithe 
										të sakta të Pejgamberit (a.s). Sepse në 
										Islam, në fenë e Allahu nuk na lejohet 
										të flasim vetëm se me argumente bindëse, 
										ashtu siç thotë Zoti (xh.sh) në Kur'an: 
										"Thuaj: Jepni argumentet tuaja, nëse 
										jeni të sinqertë".
										
										Gjithashtu, ne nuk mundemi kurrë ta 
										përshkruajmë në mënyrë të plotë në pak 
										minuta, këtë mrekulli të jashtëzakonshme 
										të zotërisë sonë, Muhammedit (a.s). Nuk 
										duhet të harrojmë se Mrekullia e Israsë 
										dhe Miraxhit nuk është sfidë që Allahu 
										(xh.sh) me të dëshiron të sfidojë 
										njerëzit, sepse njeriu nuk do të arrijë 
										kurrë të sjellë diçka të tillë, apo të 
										ngjashme me të, sado që të arrijë mendja 
										dhe fuqia e tij, apo të përparojë 
										shkenca dhe teknologjia. Ajo është 
										mrekulli për të mësuar dhe nxjerrë 
										mesazhe prej saj dhe për të sprovuar 
										forcën e besimit, sepse kush e ka 
										besimin e rregullt dhe të fortë e beson, 
										ndërsa kush është ndryshe, ai do të 
										mohojë ndodhinë e kësaj mrekullie dhe të 
										mrekullive të tjera të Pejgamberit 
										(a.s).
										
										Së fundmi, Allahu (xh.sh) na mbuloftë me 
										perden dhe mëshirën e Tij, na i faltë 
										gjynahet tona, na udhëzoftë në rrugën e 
										drejtë dhe na bëftë prej atyre që 
										përfitojnë dhe marrin mësime prej 
										ngjarjeve historike të Pejgamberëve në 
										përgjithësi dhe veçanërisht të vulës së 
										tyre, të Dërguarit tonë, Muhammedit 
										(a.s). Allahu ju pastë në mbrojtjen e 
										Tij. Ju faleminderit.
										
Lavdrim 
										Hamja
										25 maj 2014
										27 Rexheb 1435
										 
										
[1] Sureja 
										Jusuf: 111
										[2] Sureja Isra: 
										1.
										[3] Buhariu dhe 
										Muslimi
										[4] Sureja Neml: 
										38-40.
										[5] Sureja 
										Nexhm: 1-18.
										[6]  
										Transmeton: Buhariu, Muslimi etj.
										
|  | 

