Ambasada e Kuvajtit
rehabiliton “Shtëpinë e Fëmijës”, Shkodër
16 maj 2014 - Shkodër
Ditën e xhuma, më 16
maj 2014, është zhvilluar ceremonia për
inaugurimin e përfundimit të punimeve
për rehabilitimin e “Shtëpisë së
Fëmijës”, Shkodër, si pjesë e një
projekti të mbështetur nga Ambasada e
Kuvajtit në Tiranë.
I pranishëm në këtë ceremoni festive,
ishte vetë Ambasadori i Shtetit të
Kuvajtit në vendin tonë, z. Najeeb
Al-Bader, shoqëruar edhe nga Ambasadori
i Libisë, z. Isam Ferexh Ibn Xhelil dhe
Myftiu i Zonës Shkodër, Imam Muhamed
Sytari.
Në emër të institucionit të “Shtëpisë së
Fëmijës”, Shkodër, ka përshëndetur
drejtori, z. Arjan Dushaj, i cili ka
falënderuar përzemërsisht mbështetjen e
Ambasadës së Shtetit Kuvajtit për
ndryshimin e pamjes së objektit, ku
banojnë 44 fëmijë jetimë të moshave nga
6-20 vjeç. Në fjalën e tij, z. Dushaj ka
falënderuar edhe Myftininë Shkodër për
interesimin e vazhdueshëm dhe
koordinimin për zbatimin me sukses të
këtij projekti me vlera. Ai ka theksuar
se përveç ndërhyrjes në krejt objekt,
është bërë edhe zëvendësimi i krejt
orendive dhe mobilierisë së brendshme,
orendive të kuzhinës, veshmbathjes së
fëmijës etj.
Nga ana e tij, Ambasadori i Kuvajtit, z.
Najeeb Al-Bader, ka shprehur kënaqësinë
e tij për pjesëmarrjen në këtë ceremoni
domethënëse, duke theksuar se kjo ndihmë
e dhënë nga Shteti i Kuvajtit, është një
shprehje e miqësisë dhe vëllazërisë në
mesin e dy popujve tanë. Ai ka
konfirmuar se me mbarësinë e Zotit,
Ambasada e Kuvajtit do të vazhdojë të
jetë e pranishme në Shkodër , nëpërmjet
projekteve të dobishme në të mirë të
komunitetit dhe njerëzve në nevojë.
Fëmijët, të gëzuar nga dhurata e
Ambasadës së Shtetit të Kuvajtit, i kanë
dhuruar z. Al-Bader, lutjet dhe mesazhet
e tyre të përzemërta, në një vazo të
zbukuruar nga duart e tyre.