Pse sonte ky shi..?
14 maj 2014 - Shkodër
Pse sonte ky shi, që
ëmbël troket në zemër të tokës së
fjetur, më kujton trokitjen e hapave të
mi, si piklina shiu, mbi tokën e
Shtëpisë Tënde, ja Resulall-llah..?
Atë natë, teksa të vija, me kokën e
mbuluar nga turpi dhe malli, me frikën
legjitime, se kur të dal para Teje, do
ishe a jo i kënaqur, ndonëse ishte
qetësi dhe mbizotëronte prehja e
selameve dhe salavateve të botës mbarë…
Atë natë, teksa afrohesha dhe ndjeja se
zemra kishte dalë në dritare të shpirtit
për të parë bukurinë e Prezencës Tënde,
aty bri Raudas Sherife, i dashtuni i
gjithësisë, Sejjidi Resulall-llah…
Atë natë, teksa hapat mbanin rendin e
rrahjeve të zemrës, që me frymë salavati
prodhonin jetë Drite, para duarve Tuaja,
ja Resulall-llah… Dhe, asgjë tjetër,
përveç qëndrimit para Duarve Tuaja, nuk
kishte më kuptim në ato momente të
bekuara…
Pse sonte ky shi, që me imtësinë e
prekjeve të tij, më kujton atë natë të
bekuar, kur me sytë e zemrës të thirra
e, me gjuhën e shpirtit dëshmova, duke
mbajtur lotët nga xhelozia, aty para
Duarve Tuaja: “Unë dëshmoj, o i Dërguar
i All-llahut se ti e përcolle mesazhin,
e kreve amanetin dhe e këshillove
ymmetin…”..?
Pse, teksa mbushem me erën e kujtimeve
të asaj nate, si ditë me diell
rrezatues, më bëhet se mesnata është
mbushur me mallin Tënd dhe.., nëpërmjet
fërshëllimave të lehta të erës së
freskët, shfryn ofshamat e shpirit të
saj, si peng mallëngjimi..?
Pse, teksa vështroj në horizont, si
rreze Drite, mbulon natën me pektun e
saj, dashnia e fshehur në qoshket e
heshtura të qënies sime..? E, në këtë
gjendje të pakrahasueshme, nata më bëhet
fllad, që për dore më merr drejt
Dritares Tënde, ku Një Zot e di sesa më
ka munguar që nga ajo natë…
Pse sonte ky shi, teksa të gjithë flenë,
ka zgjuar mallin Tënd e, me butësi më
thërret të dal sërish para Duarve Tuaja
e të dëshmoj me kokën e ulur nga malli
dhe turpi, pafundësisht: “Unë dëshmoj, o
i Dërguar i All-llahut se ti e përcolle
mesazhin, e kreve amanetin dhe e
këshillove ymmetin…”.
Ah, i bekuar qofsh, o rahmet bujar, që
zgjon kujtime prekjesh, në një natë të
qetë, mbështetur mbi zemrën time…
Muhamed
B. Sytari
Shkodër, më 14 maj 2014
(Teksa nata dritësohet në krahët e
kujtimeve…)