Dijetarët mes librave,
një ditë kthehen vetë në libër…
(Përshëndetja me rastin e veprimtarisë kushtuar Hafiz Halid Bushatit)

Xhahid Bushati, shkrimtar
Nipi i Hoxhës, Hafiz Halid Bushati

     Të nderuar të pranishëm, Selamun Alejkum

Kjo veprimtari në nderim të gjyshit tim Hafiz Halid Bushati, nga ana e Myftinisë së Zonës Shkodër, është shenjë vlerësimi dhe mos-harrimi për kontributet e rëndësishme të hoxhallarëve dhe të dijetarëve në fushën e Islamit. E, kjo veprimtari, që në dukje të parë ngjan si e thjeshtë, por në vetvete ajo është kuptimplote dhe mbart një mision të rëndësishëm: një periudhe historike apo një dekadë vitesh, i heq errësirën e harrimit dhe një figure pluhurin e saj, pra dritëson kujtesën si domosdoshmëri, dhe kjo dritë është e pranishme në bashkëkohësi. Pastaj, kjo merr dimensione kualitative nga analiza e hollësishme, me një semantikë poetike, përmes një hulumtimi të vëmendshëm, të bërë me shumë zotësi e profesionalizëm nga ligjëruesi Imam Muhamed Sytari për librin e gjyshit tim. Përmes interpretimeve të librit na e solli të gjallë Hafiz Halid Bushatin, që me siguri ka për t’i thënë diçka kësaj kohe nga dituria e tij. Unë e falenderoj ligjëruesin, i cili në rrugën e Thirrjes Islame, çdo herë na sjell mesazhe të rëndësishme e jetike për problematikën e jetës që jetojmë.

Gjithashtu dua të falënderoj imamët Fejzi Zaganjori, Naim Driaj dhe teologun Arben Halluni për fjalët që thanë në vlerësimin e figurës së gjyshit tim.

Libri që mban për autor Hafiz Halid Bushatin, dhe është i pajisur me shumë fusnota, pra që ka marrë dije edhe nga libra të tjerë, i flet një kohe, një psikologjie, një realiteti, ca fenomeneve, etj.; është kronikë dhe memorie e saj. Është shkruar me dorën e tij, dhe relikja ku ai ka mbajtur bojën dhe penën, unë e kam të dashur e të shenjtë dhe e mbaj mbi tavolinën tim të punës, si diçka të vyer e si amanet. Po ashtu siç mbaj fotografinë e tij dhe tespihet e tij.

Për përmbajtjen dhe vlerat e librit foli, siç e thashë, Imam Muhamed Sytari. Por… ky libër ka një histori të vogël. Dhe historia lidhet me ruajtjen e tij, ndryshe do të kishte humbur, ndryshe do të kishte rënë në ndonjë dorë të pasigurtë e dinake, ndryshe… e nuk do të ishte i gjallë, si një vatër drite, në mes nesh. E kjo falë mençurisë së nënës sime (që i çoj rahmet dhe qoftë e xhenetit), e cila me shumë fanatizëm (në kuptimin pozitiv të fjalës) e ruajti thellë në baulen e saj, atje, thellë mes teshave të saj të nusërisë e të pleqërisë. Di që shumë e kërkuan këtë libër, di që edhe ca e kërcënuan për këtë libër… Ajo nuk u tremb, nuk u tërhoq, nuk u thye, si vlerë mëmësie që ishte, ruajti vlerën e librit të vjehrrit të saj, të cilin nuk e njohu.

Nëpërmjet kujtimeve të nënës sime, kam mësuar që vitet e fundit gjyshi im i kalonte pothuajse në bibliotekën e tij dhe falej në xhaminë e Perashit. Në bibliotekë priste miqtë, që ai i konsideronte miq të vërtetë. Tregojnë një herë… I erdhi për vizitë Hafiz Sheuqet Boriçi, një burrë sa i mençur aq dhe i ditur. Me të hyrë në bibliotekë, diku aty nga rreshtat e librave të raftit përballë, çuditërisht “lëviz” një libër. Gjyshi i thotë: “Hafiz Sheuqet, unë e di, pse ke ardhur. Pikërisht, për të më kërkuar atë libër që po “lëviz”. Duke pranuar elementin mitik të kësaj historie, shkëlqen një e vërtetë, dijetarët mes librave, një ditë kthehen vetë në libër.

Gjyshi im kishte mik të ngushtë, mik amaneti Hafiz Halil Pukën. Aq të ngushtë e kishte, sa i la dhe amanetin e fundit, i cili ishte: “Të më varrosni në Xhaminë Plakë në Zdrale, ku është hoxhë Halil Puka. Fati e solli që për 40 vite të jetoj në lagjen Zdralej. Dhe deri në vitin 1967, unë e njoha se ku ishte varri i gjyshit tim, pastaj nuk e njoha më. Revolucioni famëkeq e njerëzve shpirtkëqinj e katilë kundër fesë, shkatërruan dhe varret…

Unë krenohem me gjyshin tim. Ashtu siç krenohet Gëzim Puka me gjyshin e tij Hafiz Halil Pukën. Unë me Gëzimin jo vetëm që ishim komshinj të mirë, por jemi dhe miq të mirë, ashtu si qenë miq gjyshërit tanë. Ndoshta, kështu përsëritet historia në vlera qyetarie përmes konteksteve të reja historiko-shoqërore.

Më lejoni, t’ju falënderoj të gjithëve! Nëpërmjet kësaj ekspozite dhe studimit të ligjëruesit, shpresoj se do ta njihni sadopak gjyshin tim të nderuar Hafiz Halid Bushatin.

Shpresoj, gjithashtu, duke u njohur me kaligrafinë e shkrimit të tij, miqësisht do t’u kërkoja “t’i çoni edhe një rahmet”.

Ju faleminderit dhe Selamun Alejkum!

 

Aktivitet përkujtimor në nder të dijetarit islam Hafiz Halid Bushati