Aktivitet përkujtimor
në nder të dijetarit islam Hafiz Halid Bushati

Pasditën e së enjtes, më 8 maj 2014, Myftinia Shkodër organizoi një aktivitet shkencor, në përkujtim të dijetarit të shquar islam shkodran, Hafiz Halid Bushati (? – 1916).
 
Aktiviteti, që u zhvillua në ambientet e bibliotekës së qytetit, nisi me referatin e teologut Naim Drijaj, që bëri një përshkrim të momenteve më të spikatura nga jeta e këtij dijetari të shquar. Në jetëshkrimin e prezantuar para të pranishëmve, u theksua lidhja e këtij dijetari me xhaminë, fetvanë dhe bibliotekën, si pjesë e pandarë e aktivitetit të tij të spikatur.
 
“Urtësia, maturia, autoriteti, kompetenca e drejtësia e tij, të bazuara në mësimet islame, u jepnin rrugë nevojave e halleve të njerëzve, bënin jehonë, rritnin figurën e tij fetare, qytetare e njerëzore.” – tha referuesi.
 
Një analizë të gjerë të dorëshkrimeve dhe gjurmëve shkencore të trashëguara nga H. Halid Bushati, e ka zhvilluar në referatin e tij, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari.
 
“Në hulumtimet e mia rreth personalitetit dhe gjurmëve diturore të dijetarit Hafiz Halid Bushati, më tërhoqi vëmendjen një shënim anësor me shkrim dore, në brendësinë e një libri të vjetër në gjuhën arabe, në të cilin dëshmohet se: “Besimtari arrin në gradën e miqësisë me All-llahun me një nga këto tri rrugë: duke lexuar në librat e të parëve, ose të dojë për hir të All-llahut, ose të ketë një prijës murshid”.
 
Të trija këto tri stacione drejt lartësimit në marrëdhënie me Zotin, që reflektojnë në jetën e përditshme të besimtarit, në shoqëri, i kam gjetur dhe evidentuar në ato pak gjurmë cilësore, që koha i ka ruajtur në botën e sekreteve të saj të çmuara, për llogari të dijetarit H. Halid Bushati.” – ka thënë Myftiu.
 
Aktiviteti ka vijuar me një vështrim kushtuar Hoxhës H. Halid Bushati, nga H. Fejzi zaganjori, që ka përshëndetur këtë iniciativë të Myftinisë Shkodër për vazhduar me aktivitetin e saj në nderim të dijetarëve dhe hoxhallarëve të shquar të Shkodrës.
 
Me shumë emocion, në emër të familjes Bushati, ka përshëndetur nipi i H. Halid Bushatit, shkrimtari Xhahid Bushati, që përveç falënderimeve për organizatorin, ka shpalosur edhe disa kujtime dhe emocione që lidhen me emrin dhe kujtimin e dijetarit H. Halid Bushati.
 
Me rastin e këtij aktiviteti, Myftiu i Shkodrës i ka dhuruar z. Xhahid Bushati dhe bibliotekës së Shkodrës, nga një foto të vulës dhe kaligrafisë arabe të këtij dijetari të nderuar islam shkodran.

Aktivitet përkujtimor në nder të dijetarit islam Hafiz Halid Bushati