Myftiu: “Më shumë bashkëpunim
në mesin e muslimanëve!”
02 maj 2014 - Shkodër
Të xhumanë, më 2 maj
2014, nëpërmjet minberit të xhumasë në
xhaminë e fshatit Mes-Myselim, Myftiu i
Shkodrës, Imam Muhamed Sytari ka bërë
thirrje për më shumë bashkëpunim dhe
solidarizim në mesin e muslimanëve.
Thirrja ka ardhur në kontekstet e
hytbes, mbi rëndësinë dhe vlerën e
dhënies së selamit në mesin e
muslimanëve. Nga këtu, Myftiu ka
tërhequr vëmendjen e besimtarëve duke
thënë se: “Ne muslimanët kemi zakonet
tona, traditat dhe trashëgiminë më të
pasur e më të pastër, pas së cilës duhet
të kapemi, ne dhe fëmijët tanë. Nuk kemi
nevojë të adaptojmë zakone dhe tradita
joislame, që nuk kanë lidhje me ne dhe
besimin tonë.
Nga këtu, më lejoni të tërheq vëmendjen
tuaj rreth një fakti që e shohim dhe e
dëshmojmë thuajse ditë pas dite.
Njerëzit, duket se po druhen të japin e
të marrin selamin në mes vete!? Përse?
Vëllezër, ne jemi muslimanë dhe nuk kemi
pse i druhemi askujt, sepse ajo çfarë na
ka ardhur nga i dërguari i All-llahut
është dritë dhe udhëzim për mbarë
njerëzinë.
Mos u gënjeni pas thirrjeve shterpë të
disave, që ju servirin nëpërmjet mediave
një model që nuk është modeli i fesë
sonë, sepse fenë e kemi gjënë më të
shtrenjtë në jetë!
Jepeni selamin dhe merreni selamin pa
ndrojtje, pa frikë, pa menduar se dikush
ju shikon me sy të shtrembër! Ne nuk
jemi pakica kombëtare në këtë vend, jemi
shqiptarë të ndershëm dhe muslimanë të
lindur, e që trashëgojmë besimin dhe
fenë tonë brez pas brezi!
Nëse komunizmi nuk arriti të na e
çrrënjosë besimin dhe fenë, mos të
lejojmë të na e bëjë ajo që e pasoi
komunizmin në këtë vend dhe ithtarët e
tyre!”.
Gjatë hytbes së kësaj xhumaje, Myftiu ka
bërë thirrje që muslimanët të punojnë më
shumë për njëri-tjetrin dhe të mos
tolerojnë asnjë iniciativë kundër
vëllezërve të tyre muslimanë, nga kushdo
qoftë e sido që të jetë!