Myftiu priti Drejtorin e Qendrës Kulturore
“Yunus Emre”
28 prill 2014 - Shkodër
Ditën e hënë, më 28
prill 2014, Myftiu i Shkodrës, Imam
Muhamed Sytari, priti në një takim
prezantimi, Drejtorin e ri të Qendrës
Kulturore Turke “Yunus Emre”, në Shkodër,
z. Ömer Osman Demirbaș.
Bashkëbisedimi i ngrohtë në mes Myftiut
dhe z. Demirbaș, u përqendrua te gjurmët
e hoxhallarëve të shkuar të Shkodrës dhe
trashëgimia e tyre e madhe, që i ka
dhënë Shkodrës një krenari legjitime,
atë të Islamit të pastër, të bazuar në
edukatën shpirtërore, thellimin në dije,
respektin ndaj librit, bibliotekave dhe
nxitjes së dashurisë dhe harmonisë për
çdo krijesë.
Gjatë takimit, Myftiu e ka njohur mikun
e tij me disa nga personalitetet e
shquara të dijes islame në Shkodër gjatë
shekujve, si: H. Muhamed Bekteshi, H.
Ymer Bakalli, H. Halid Bushati, H. Vehbi
Gavoçi, Salih ef. Myftija, H. Sheuqet
Boriçi, Sheh Qazim Hoxha etj, dhe ka
konfirmuar edhe një herë lidhjen e madhe
që hoxhallarët kanë pasur me qendrat
islame të kohës, prej të cilave janë
furnizuar me literaturë dhe burime të
tjera, në shërbim të Thirrjes Islame dhe
mësimeve të saj.
Nga ana e tij, Drejtori i Q. K. “Yunus
Emre”, në Shkodër, ka konfirmuar
dëshirën e madhe për t’u informuar në
vazhdimësi mbi trashëgiminë e dijetarëve
të Shkodrës, që në vetvete, është
trashëgimi shpirtërore e Shkodrës.
Dy bashkëbiseduesit kanë këmbyer edhe
dhuratat simbolike në fund të këtij
takimi të ngrohtë, në shoqërinë e
kujtimit të mirë të hoxhallarëve dhe
bibliotekave të tyre.