Aktiviteti: "Profeti Muhammed (a.s) 
						dhe sinqeriteti në Islam"
					27 prill 2014 - Shkodër
Ditën e dielë, më 27 
										prill 2014, Myftinia Shkodër në 
										bashkëpunim me Zyrën e Këshilltarit për 
										Çështjet Fetare në Ambasadën e 
										Republikës së Turqisë, kanë organizuar 
										një aktivitet fetar me temë: "Profeti 
										Muhammed (a.s) dhe sinqeriteti në 
										Islam", ku ka ligjëruar Myftiu i 
										Ankarasë, prof. dr. Mefail Hizli.
										 
										Aktiviteti nisi me këndimin e disa 
										pjesëve kur’anore, nga hafizi i 
										mirënjohur turk, H. Ahmed Karali, imam i 
										xhamisë “Haxhi Bajram Veli”, në Ankara.
										 
										Më pas, teologu Arben Halluni, pasi ka 
										uruar mirëseardhjen e miqve dhe të 
										ftuarve, ka theksuar se ky aktivitet 
										është pjesë e një cikli ligjëratash, që 
										organizohen në vazhdën e bashkëpunimit 
										që Zyra e Këshilltarit për Çështjet 
										Fetare në Ambasadën e Republikës së 
										Turqisë, ka me Komunitetin Mysliman të 
										Shqipërisë dhe në rastin e sotëm me 
										Myftininë Shkodër.
										 
										Në fjalën e tij të përshëndetjes, Myftiu 
										i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, ka 
										përshëndetur prezencën në Shkodër të 
										Myftiut të Ankarasë, prof. dr. Mefail 
										Hizli, duke vlerësuar se organizime të 
										tilla, kanë vlera dhe dobi për 
										besimtarët dhe bashkësinë e muslimanëve 
										në Shkodër dhe përtej saj.
										 
										Në fjalën e tij, Myftiu u ndal te një 
										mesazh i rëndësishëm në jetën dhe 
										shembullin e Hz. Muhammedit (a.s); 
										sinqeriteti dhe vendosmëria në shërbim 
										të Thirrjes Islame. Në këtë kontekst, 
										Myftiu rrëfeu ngjarjen e Taifit, ku edhe 
										pas refuzimit dhe dëbimit që iu bë të 
										dërguarit të All-llahut, ai, në qetësi, 
										iu drejtua Zotit, duke i dëshmuar 
										bindjen dhe vendosmërinë e tij, 
										nëpërmjet një lutje të rrethuar nga 
										sinqeriteti dhe emocionet.
										 
										Myftiu ka ripërsëritur se sfidat e 
										përditshme, me të cilat përballen 
										muslimanët në Shkodër dhe në Shqipëri, 
										kërkojnë më shumë se asnjëherë tjetër, 
										ndjekjen e shembullit të Hz. Muhammedit 
										dhe veshjen me sinqeritet e vendosmëri.
										 
										Më pas, aktiviteti ka vijuar me 
										përshëndetjen në emër të Kryetarit të 
										Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, që 
										është bërë nga nën/kryetari, z. Gazmend 
										Aga.
										 
										Në fjalën e tij, ai ka folur mbi 
										altruizmin, duke theksuar se prej 
										sinqeritetit është që njeriu të vendosë 
										vëllanë para vetes dhe interesin e gjerë 
										mbi atë të ngushtë, në jetë.
										 
										Atasheu turk, z. Shaban Ishlek, në 
										përshëndetjen e tij, ka vënë theksin te 
										rëndësia që kanë aktivitetet që 
										bashkojnë njerëzit në tryezat e besimit 
										dhe forcojnë vëllazërinë islame, 
										nëpërmjet këtyre vizitave të shtrenjta 
										dhe aktiviteteve me dobi.
										 
										Me shumë kënaqësi, të pranishmit kanë 
										ndjekur ligjëratën e mbajtur nga Myftiu 
										i Ankarasë, prof. dr. Mefail Hizli. Në 
										qendër të saj, Myftiu ka shpjeguar 
										hadithin profetik: “Feja është këshillë” 
										me pesë degëzimet e saj, si në fjalën e 
										Profetit (a.s).
										 
										Myftiu ka shprehur kënaqësinë e tij që 
										gjendet sot në Shkodër, duke e vlerësuar 
										këtë udhëtim si pjesë të shprehjes së 
										dashurisë dhe vëllazërisë që muslimanët 
										kanë më njëri-tjetrin. Për këtë, ai ka 
										nxitur shtimin e harmonisë dhe 
										vëllazërisë në mesin e muslimanëve, në 
										shembullin e Hz. Muhammedit (a.s) dhe 
										sahabëve të tij.
| 
												
												 | 
											
| 
												
												 | 
											
| 
												
												 | 
											
| 
												
												 | 
											
| 
												
												 | 
											
| 
												
												 | 
											
| 
												
												 | 
											
| 
												
												 | 
											

