Myftiu i Ankarasë, për vizitë në Shkodër
27 prill 2014 - Shkodër
Paraditën e së dielës,
më 27 prill 2014, Myftiu i Shkodrës,
Imam Muhamed Sytari, priti në një takim
vëllazëror, Myftiun e Ankarasë, nga
Republika e Turqisë, prof. dr. Mefail
Hizli, që shoqërohej edhe nga
Këshilltari për Çështjet Fetare në
Ambasadën e Turqisë, z. Shaban Ishlek.
Fillimisht, Myftiu i Shkodrës, ka
shprehur kënaqësinë e tij për vizitën e
Myftiut të kryeqytetit të Turqisë, në
Shkodër, duke e konsideruar si vlerësim
për Myftininë e Shkodrës. Myftiu ka
kujtuar edhe vizitën e paharruar në
Shkodër, të Kryetarit të Dijanetit të
Turqisë, prof. dr. Mehmet Gormez, vitin
që kaloi.
Edhe Myftiu i Ankarasë, ka vlerësuar se
Shkodra është një ndër qytetet më
tërheqëse, që ka vizituar në udhëtimet e
tij të shumta, duke nisur nga
pozitiviteti që reflektojnë banorët e
saj e deri te historia dhe kultura e
pasur. Prof. Hizli, ka përmendur se kjo
është vizita e tij e katërt në Shqipëri,
e para si Myfti i Ankarasë, në kuadër të
aktiviteteve të përbashkëta fetare në
mes të dy vendeve.
Gjatë takimit është folur edhe për
mundësitë e shumta që janë lehtësuar
sot, për ta shtuar bashkëpunimin në
fusha të ndryshme, në mes të dy
komuniteteve islame të vendeve tona.
Me rastin e kësaj vizite, Myftiu i
Ankarasë, do të jetë ligjërues në
simpoziumin me temë: "Profeti Muhammed (a.s)
dhe sinqeriteti në Islam", që zhvillohet
si pjesë e bashkëpunimit të Zyrës së
Këshilltarit për Çështje Fetare në
Ambasadën e Turqisë, me Komunitetin
Mysliman të Shqipërisë dhe Myftinitë e
ndryshme të saj.
Me rastin e kësaj vizite, janë këmbyer
edhe dhuratat e rastit. Ndërkohë, për
nder të mikut të tij, Myftiut të
Ankarasë, Imam Muhamed Sytari, ka
shtruar një drekë vëllazërore.