“Mirënjohje dhe Falënderim”
për muezinin e xhamisë Luarëz, z. Idriz Keqi
14 prill 2014 - Shkodër
Paraditën e së hënës,
më 14 prill 2014, Myftiu i Shkodrës,
Imam Muhamed Sytari, ka zhvilluar një
vizitë në shtëpinë e z. Idriz Keqi,
kujdestar dhe muezin i vjetër i xhamisë
së fshatit Luarëz, komuna Velipojë.
Gjatë kësaj vizite, Myftiu është
interesuar për shëndetin e burrit të
urtë e të përkushtuar, 80 vjeçarit, që
ishte ndër nismëtarët e parë për
dhurimin e tokës, ndërtimin e xhamisë
dhe mirëmbajtjen e saj, në fshatin
Luarëz, në vitin 1998.
Myftiu ka shprehur vlerësimin e tij për
shembullin e burrave të përkushtuar, që
janë mbi të gjitha shembuj pozitiv për
brezat, duke dëshmuar besimin dhe
vullnetin e trashëgimisë së dritës së
besimit dhe të fesë, pa u frikësuar nga
pengesat dhe vështirësitë e jetës.
Me këtë rast, Myftiu i ka dorëzuar
muezinit të moshuar një “Mirënjohje
dhe Falënderim”, në emër të
institucionit të Myftinisë Shkodër, duke
shprehur kënaqësinë dhe mirënjohjen ndaj
përkushtimit të z. Idriz Keqi, gjatë
viteve të vështira të rimëkëmbjes së
xhamisë dhe misionit të saj në fshatin
Luarëz.
Nga ana e tij, z. Idriz Keqi, ka
shprehur vlerësimet e tij dhe të
familjes për këtë vizitë të Myftiut dhe
stafit të tij, duke përforcuar se
kontributet e dhëna, kanë qenë dhe janë
një shërbim i sinqertë për hatër të All-llahut,
në shërbim të fesë së Tij.
Në këtë vizitë, Myftiu shoqërohej nga
imami i xhamisë Luarëz, z. Hajrullah
Jakupi, teologu Arben Halluni dhe
teologu Ervil Kuçi.