Pse duhet lexuar
“E vërteta e hidhur” e Shejkh Gazaliut?
12 prill 2014 - Shkodër
Libri "E vërteta e
hidhur" e dijetarit Shejkh Muhammed
El-Gazali përmban artikuj me vlerë,
shkruar nga autori gjatë një periudhe
kohore relativisht të gjatë. Përmes
këtyre shkrimeve autori i bën një
mbrojtje Islamit nga dy grupe njerëzish
të ndryshëm. Njëri grup janë myslimanët
me dije të cekët, të cilët e njollosin
Islamin me diçka që ai nuk e ka, ndërsa
grupi tjetër janë armiqtë e Islamit, që
përpiqen ta akuzojnë fenë tonë me gjëra,
që nuk i përkasin dhe as nuk kanë lidhje
me të.
Në fakt, libri që kemi në duar, “E
vërteta e hidhur”, në gjuhën arabe ka
gjashtë vëllime. Në këtë përkthim në
shqip kam sjellë vetëm disa tema nga tre
vëllimet e para, të cilat kam menduar se
janë më të dobishme dhe më të
përshtatshme me realitetin shqiptar.
Lexuesi i këtyre rreshtave gjatë leximit
do të vërë re vërtetësinë dhe
sinqeritetin e autorit në ato çfarë ka
shkruar, që edhe pse datojnë vite më
parë, janë akoma aktuale, pasi autori
sjell realen, të cilën e ka mësuar nga
praktika e fjalës së Allahut (xh.sh) dhe
Sunetit të Dërguarit të Tij (a.s).
E veçanta e këtij libri është se autori
mbështetet në shkrimin e artikujve të
shkurtër dhe thotë: "Në këtë rrugë
kam pasuar Ibn Xhevziun, sepse libri i
tij "Sajdul Khatir" përmban shkrime të
shkurtra, por ato janë shumë të
dobishme, madje ndoshta janë më të mira
se sa temat e gjata... Lexuesi i sotëm
zakonisht mjaftohet me pëlqimin e
artikujve të shkurtër ndaj atyre të
gjatë dhe shumë të gjatë. Kryesorja
është që ta shfrytëzojmë këtë dëshirë,
për të vendosur te lexuesi në mënyrë të
shpejtë fakte nxitëse dhe udhëzime
serioze".
Ai vazhdon duke thënë: "Këto janë
fjalë të shkurtra, por janë çelësa të
shkëndijave të shumta te njerëzit
xhelozë për fenë dhe ymetin e tyre".
Shejkh Gazali nuk e shpjegon arsyen se
pse e ka quajtur librin "E vërteta e
hidhur", por lexuesi gjatë leximit e
kupton se titulli është në përputhje të
plotë me realitetin e ymetit islam në
mbarë botën. Me fjalë të tjera libri
evidenton dhe analizon gjendjen e ymetit
e të myslimanëve dhe jep alternativën
islame të zgjidhjes së problemeve. Mund
të përmendja këtu disa prej këtyre
temave, si: "Rreziku i ndryshimeve
dytësore", "Vendi i gruas në Islam",
"Hadithi i dobët", "Përçarja", "Guximi i
atyre që sulmojnë selefët", "Përse e
urrejnë shtetin islam", "Një vështrim i
zgjuar rreth haditheve të trazirave"
etj.
P.sh, te shkrimi me titull: "Rreziku i
ndryshimeve dytësore" thotë: "Mua më
përfytyrohet sikur këto ndryshime
dytësore përngjasojnë me format e
baktereve, të cilat na tregohen nëpër
librat e mjekësisë dhe poshtë tyre
shënohet: "mikrob", filan sëmundje e
zmadhuar 1000 herë!!. Zmadhimi i këtyre
formave për t'i njohur është i
kuptueshëm, por çfarë kuptimi ka
zmadhimi i këtyre ndryshimeve në mesin e
mendimeve dhe opinioneve të disa
dijetarëve, deri sa ato të duken sikur
janë të vërteta të popujve të zhdukur?
Rezultatet e tyre (pra, zmadhimi i
këtyre ndryshimeve) kanë qenë bela për
shoqërinë tonë fetare, sepse ky
hiperbolizim i fabrikuar mbuloi fusha të
gjera, të cilat duhej të lëvizeshin prej
moralit që asnjë popull nuk ngrihej,
përveçse me to".
Te tema: "Një vështrim i zgjuar rreth
haditheve të trazirave", Shejkh Gazali
thotë: "Ekzekutimi nuk i zgjidh
problemet e brendshme dhe ndërprerja e
lidhjeve farefisnore rritet duke marr
hak dhe garantohet duke falë. Kur gjërat
ndërlikohen për motive politike, atëherë
çelësi i tyre është zgjidhja politike
dhe jo derdhja e gjakut të njerëzve ...
Kur babai shikon se ngatërresa me
vëllezërve ka çuar në humbjen e jetës së
njërit prej tyre, atëherë ai nuk thërret
për ekzekutim e tjetrit që të marrë hak,
sepse kjo gjë përfundon me humbjen e
krejt familjes. Ai do të përpiqet t'i
qetësojë gjërat, pastaj fillon të
shikojë ndreqjen e asaj që ka ngjarë".
Ndërsa, ajo që më ka bërë më shumë
përshtypje ka qenë tema "Përse e urrejnë
shtetin islam", ku Shejkh Gazali e
mposht debatuesin duke i thënë: “E
pyeta: Cili është përkufizimi i
demokracisë? M’u përgjigj: Sundimi i
popullit për popullin, pra populli është
burimi i udhëheqjes! I thashë: Përveç,
në qoftë se populli është mysliman...
sepse po qe se populli është mysliman,
atëherë duhet që ai të mos sundojë vetë
për veten e tij dhe të mos jetë ai
burimi i udhëheqjes që rregullon
çështjet e tij, por atë duhet ta sundojë
dikush tjetër me ligje dhe parime të
importuara! ... Dashuria e myslimanëve
për Akiden, besimin dhe Sheriatin e tyre
nuk ndërpritet asnjëherë, por ju e
pushoni këtë dëshirë me mënyra dhe forma
që s'kanë të numëruar: Falsifikim
votimesh, falsifikim mediatik,
falsifikim artikujsh, falsifikim fetvash
dhe kur të gjitha këto falsifikime nuk
bëjnë dobi, atëherë i vjen radha shpatës
(dhunës) duke i mbyllur gojët dhe duke i
spastruar njerëzit..."!
Tematika e librit është e larmishme dhe
nuk cekë vetëm një fushë të veçantë prej
dijes së Islamit, "nganjëherë
trajtojnë tema të besimit, të moralit,
të historisë dhe të fikhut
(jurisprudencës) dhe nganjëherë zhyten
në realitetin tonë të gjallë për t'i
vënë në lëvizje punëtorët e rrugës së
Allahut për të vendosur të drejtën dhe
për të shkatërruar të shtrembrën".
Interesante është edhe pjesa e fundit,
të cilën e kam shtuar vetë dhe përmban
disa thënie të goditura të Shejkh
Muhamed El-Gazaliut, ku po mjaftohem me
citimin e disa prej tyre:
“Myslimani, kur i bindet Allahut dhe
të Dërguarit të Tij, nuk struket brenda
kullës me mure të rrethuara duke
lundruar përmes iluzioneve të forta.
Kulla e myslimanit është kjo Tokë, sa
gjerë e gjatë, duke e mbushur atë me
punë precize dhe detyra të kërkuara. Nuk
quhet precizon rregullimi i një pjese të
detyrave dhe lënia pas dore e pjesëve të
tjera, që ndoshta mund të jenë më të
rëndësishme dhe më të larta. Por,
rregullim quhet kryerja e farzeve ajne
dhe kifaje, detyrave individuale dhe
kolektive dhe trajtimi i punëve të
dynjasë dhe të ahiretit së bashku”.
“Kur shikon kasapin duke dhënë fetva,
mos prit asgjë tjetër prej tij, vetëm se
duke kërkuar për ndonjë kurban!”
“Detyra e fesë është që kur të
shikojë një të rrëzuar ta ndihmojë për
tu ngritur dhe jo të nxitojë për ta
diskretituar”.
“Myslimani, në ndërgjegjen e të
cilit nuk jeton Pejgamberi a.s, ku zemra
dhe mendja nuk e pasojnë atë në çdo
vepër të tij, nuk i bën aspak dobi të
lëvizë buzët ditë natë, as edhe me një
mijë salavate”.
“N.q.s feja nuk rrjedh në shpirtrat
e njerëzve, ashtu siç rrjedh rryma
elektrike nëpër tela, duke ndriçuar e
duke vënë në lëvizje makineri, atëherë
ajo kthehet në iluzione dhe pretendime
për të cilat nuk kanë dobi simbolet e as
parullat”.
Në fund, ashtu si ka thënë edhe
Pejgamberi (a.s) "Kush nuk falënderon
njerëzit, nuk ka falënderuar Zotin", me
lejoni të falënderoj të gjithë ata, të
cilët kanë dhënë kontributin e tyre, në
çfarëdolloj mënyre për librin në shqip
"E vërteta e hidhur", falënderoj
familjen, sponsorizuesit, redaktorin,
Shtëpinë Botuese dhe sigurisht Myftinë
Shkodër dhe Myftiun, Imam Muhamed
Sytari, për mbështetjen që ka dhënë dhe
vazhdon të japë për botimet islame, por
jo vetëm.
Të gjithëve, Allahu jua shpërbleftë me
të mira dhe ju dhashtë mbarësi në jetën
tuaj.
Lavdrim
Hamja
Shkodër, më 11.4.2014