Promovohet libri: “E vërteta e hidhur”,
nga dijetari Shejkh Muhammed El-Gazali
11 prill 2014 - Shkodër
Pasditën e së xhumasë,
më 11 prill 2014, në një atmosferë të
këndshme besimi dhe vëllazërie islame,
është promovuar përkthimi në shqip i
librit të dijetarit Shejkh Muhammed
El-Gazali, “E vërteta e hidhur”,
realizuar nga thirrësi islam, Lavdrim
Hamja.
Në krye të herës, teologu Ervil Kuçi, ka
bërë një prezantim të shpejtë të librit,
duke vënë theksin te rëndësia e
promovimit të botimeve të reja islame në
gjuhën shqipe. Gjatë fjalës së tij, ai
ka spikatur një pjesë nga libri, rreth “sëmundjeve
të zemrës”.
Një recensë të librit e ka bërë teologu
Arben Halluni, gjatë fjalës së të cilit,
është prezantuar thelbi i këtij libri,
që është konsideruar si recetë për shumë
nga problematikat me të cilat përballet
ymeti islam, individi dhe shoqëria.
Me shumë vëmendje është ndjekur fjala e
përkthyesit, z. Lavdrim Hamja. Në fjalën
e tij, teologu Hamja ka vlerësuar
mendimin dhe shpirtin me të cilin Shejkh
Muhammed El- Gazali ka shkruar veprat e
tij, të cilat janë përhapur në botën
islame, duke u vlerësuar maksimalisht
nga lexuesit e ndryshëm të tyre.
Gjatë fjalës së tij, është ndalur tek
përkufizimi që i bën autori demokracisë
dhe si trajtohen muslimanët në raport me
demokracinë në botë.
Aktivitetin e ka përshëndetur edhe
Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari,
që pasi ka falënderuar përkthyesin
Lavdrim Hamja për kontributin e tij në
shqipërimin e veprave të ndryshme të
Shejkh Gazaliut, është ndalur në leximin
e pjesës me titull: “Njerëz pa dinjitet”,
në të cilën, autori përkufizon njerëzit
me pushtet që shesin dinjitetin e tyre
duke sulmuar Islamin, ndërkohë, jashtë
vendeve të tyre, i binden verbërisht
rregullave dhe besimeve të tjetrit.
Me këtë rast, Myftiu i ka dhuruar
përkthyesit Lavdrim Hamja, një kujtim
nga shënimet vetanake të hoxhallarëve të
nderuar shkodranë, H. Jusuf Këlmendi
(1876-1943), H. Ali Kraja (1900-1973)
dhe H. Esat Myftija (1911-1975), të
mbledhura në një faqe libri të vjetër në
arabisht.
Aktivitetin e ka përshëndetur edhe
Myftiu i Malësisë së Madhe, H. Edmir
Smajlaj dhe imami i xhamisë së Rusit, H.
Fejzi Zaganjori, që kanë falënderuar
përkthyesin për këtë kontribut, si dhe
Myftininë Shkodër për mbështetjen e
botimit.