Myftiu takon Kryetarin e Bashkisë Shkodër

Paraditën e së enjtes, më 3 prill 2014, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, ka zhvilluar një takim pune me Kryetarin e Bashkisë Shkodër, z. Lorenc Luka, në zyrën e këtij të fundit.
                                                                                                                                         
Në qendër të bisedës kanë qenë disa çështje që lidhen me pronat e Myftinisë Shkodër dhe bashkëpunimin e kërkuar me Bashkinë, në rrugën e përfundimit me sukses të disa proceseve të nisura vite më parë, në lidhje me lirimin dhe sistemimin e disa vakëfeve në Shkodër.
 
Myftiu ka kërkuar nga Kryetari i Bashkisë përshpejtimin e mbylljes së disa çështjeve në këtë drejtim, si: vakëfi në Zdralej, që kërkon ndërhyrjen e INUV për prishje të një objekti pa leje mbi truallin e Myftinisë Shkodër, objekt që ka penguar prej vitesh projekte të ndryshme të Myftinisë Shkodër në atë zonë, sistemimi i çështjes së vakëfit në lagjen Dudas, ku po ndërtohet xhamia e re etj.
 
Nga ana e tij, Kryetari i Bashkisë Shkodër, z. Lorenc Luka, ka premtuar interesim të menjëhershëm, duke filluar nga dita e nesërme, për të parë nga afër mënyrat e realizimit të kërkesave legjitime të Myftinisë Shkodër, që mbështeten në vendime gjykatash dhe çertifikata të rregullta pronësie.
 
Gjatë këtij takimi, dy bashkëbiseduesit kanë folur edhe në lidhje me zhvillimet e qytetit, rrugët e bashkëpunimit dhe rolin që duhet të kenë institucionet në sensibilizimin e qytetarëve drejt vlerave dhe qytetarisë së dëshiruar, mbrojtjen e trashëgimisë dhe kultivimin e frymës së harmonisë dhe bashkëpunimit në raport me tjetrin.

 

Myftiu takon Kryetarin e Bashkisë Shkodër 
Myftiu takon Kryetarin e Bashkisë Shkodër 
Myftiu takon Kryetarin e Bashkisë Shkodër