Konferenca III e imamëve të Shkodrës
28 mars 2014 - Shkodër
Ditën e xhuma, më 28
mars 2014, është zhvilluar Konferenca e
tretë vjetore e imamëve të Myftinisë
Shkodër.
Në qendër të fjalës së Myftiut, Imam
Muhamed Sytari, kanë qenë sfidat me të
cilat përballet bashkësia e muslimanëve
në Shkodër dhe në Shqipëri, si dhe
angazhimi serioz dhe maksimal i secilit
në rrugëtimet shërbyese ndaj Fjalës së
Zotit dhe mësimeve të Tij.
Në fjalën e mbajtur para të pranishëmve,
Myftiu i Shkodrës, ka tërhequr vëmendjen
e imamëve që të jenë korrektë me detyrën
që kanë marrë mbi supe dhe të mos
ndikohen nga asnjë tendencë a thirrje
shterpë për ta nënçmuar rolin që imami
ka në shoqëri.
Myftiu ka dënuar thirrjet mesjetare të
disa “mjeranëve, që edhe nëpërmjet
gazetës “Panorama”, duan të bëhen
protagonist, duke derdhur vnerin
gjenetik kundër Islamit dhe muslimanëve…”
dhe, atë që e ka quajtur: “kryqëzatë të
dëshpëruar të disave që duan të na
kthejnë në mentalitetet meskine të disa
gazetave të këtij shpirti, që dilnin në
Shkodrën e dhjetë viteve të fundit, duke
mbjellur dasi fetare, urrejtje dhe
mllefe mjerane”
Gjithashtu, Myftiu ka kërkuar që Islami
mos të izolohet vetëm në katër muret e
xhamive, por të punohet për përhapjen e
tij edhe përtej xhamive. “Në këtë
kontekst, kur përmendim shërbimet tona
ndaj vlerave kombëtare, duhet të keni
parasysh se traditat më të mira
shqiptare e kanë origjinën e tyre në
Kur’an dhe në traditën e Hz. Muhammedit
(a.s)” – ka theksuar në fjalën e tij
Imam Muhamed Sytari.
Me shumë interes është ndjekur edhe
fjala e imamit të xhamisë së Rusit, H.
Fejzi Zaganjori, në të cilën është
ndalur edhe në një detaj shumë
interesant, kur ka theksuar: “Historinë
le t’ia lëmë historianëve, por kur vjen
fjala për Islamin dhe dëgjojmë se ai
ishte prurje e pushtuesit, atëherë edhe
katolicizmin e sollën pushtuesit romakë,
ortodoksinë pushtues sllavë!? Por, ky
mentalitet, nuk ka lidhje me shpirtin me
të cilin duhet të ecë përpara kombi
shqiptar dhe komunitetet fetare në të!”.
Gjatë kësaj konference, janë dhënë
udhëzime të shumta në drejtim të
përmirësimit dhe rritjes së cilësisë së
prezantimit të vlerave islame, si dhe
është kërkuar nga imamët që të jenë në
krye të detyrës, duke u bërë mësues të
urtë, jo nxënës të mendimeve dhe ideve
që futen në trupin e bashkësisë tonë për
ta shkatërruar e për ta prishur
harmoninë në mesin e muslimanëve.