Imam Bukhariu – mësuesi i mësuesve,
Imami i muhadithëve…

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

Imami i shquar dhe muhadithi më i famshëm i shekujve, Muhammed ibni Ismail El-Bukhari, u lind në vitin 194 h., në qytetin e Buharasë, që sot bie në Republikën e Uzbekistanit,ndër qytetet më të mëdha të zonës së “pas lumit”, dmth, lumit Xhejhun.[1]Lindja e tij ndodhi një vit pas vdekjes së kalifit të famshëm abasit, Harun Reshidi.

Duke iu referuar dëshmisë së Resulull-llahut (a.s): “Shekulli më i mirë është shekulli im, pastaj ata që vijnë, pastaj ata që pasojnë…”[2], Imam Bukhariu konsiderohet pjesë e kësaj periudhe të begatë tre shekullore.

Thotë për veten e tij: “M’u inspirua mësimi përmendësh i hadithit, që kur isha në mejtep. Kur mbusha 16 vjet, mësova përmendësh librat e Ibni Mubarekut dhe Vekiut… Kur mbusha 18 vjet, nisa të shkruaj në çështjet e sahabëve dhe tabiinëve dhe rreth thënieve të tyre. Asokohe shkrova librin “Et-Tarikh” te varri i Pejgamberit (a.s), gjatë netëve me hënë…”[3]

Imami rrëfen edhe për rrugëtimin e tij në kërkim të dijes, ku përmend se: “Kam takuar më shumë se një mijë burra, prej dijetarëve në: Hixhaz, Mekë, Medine, Kufe, Basra, Vasit, Bagdad, Sham (Damask), Misir…”.[4]

Ndër momentet më të spikatura, nëpërmjet të cilave kuptohet vendosmëria e tij në kërkim të dijes dhe mosdorëzimi para pamundësive materiale, është edhe kjo dëshmi e tij, kur thotë: “Dola drejt Adem ibni Ebi Ijasit, m’u mbaruan të ardhurat që kisha me vete, saqë kam ngrënë nga barërat e tokës, pa i thënë askujt. Ditën e tretë në këtë gjendje, më erdhi një person, të cilin nuk e njihja, i cili më zgjati një qese me dinarë dhe më tha: Shpenzoji për veten tënde”!”[5]

Arritja kryesore e aktivitetit të tij dituror, është pa dyshim libri i tij: “Es-Sahih”, për shkrimin e të cilit na tregon: “E kam shkruar “Sahihun” në një periudhë prej 16 vjetësh, hadithet e të cilit i kam nxjerrë nga gjashtëqind mijë hadithe. Ky libër është argument në mes meje dhe All-llahut të Madhëruar”.[6]

Dhe, teksa rrëfen edukatën e tij në marrëdhënie me hadithet e Profetit (a.s), thotë: “Nuk kam regjistuar asnjë hadith në “Sahih”, pa marrë gusul fillimisht dhe pa falur dy rekate”.[7] Dhe teksa llogariten hadithet e Librit të tij dhe rekatet që ka falur në bazë të kësaj dëshmie dhe të tjera si kjo, dëshmohet se: “Imami ka falur 22.830 rekate gjatë shkrimit të këtij libri”.[8]

Duke parë vlerën dhe madhështinë e këtij dijetari të pashembullt, dijetarët e kohës kanë dhënë vlerësimet e tyre, ne mësin e të cilave kam dëshirë të spikas disa:

“Sikur të kisha mundësi të shtoja nga jeta ime në jetën e Muhammed ibni Ismailit (Bukhariut), do ta bëja, sepse vdekja ime është vdekja e një personi të vetëm, ndërsa vdekja e Muhammed ibni Ismailit është ikja e dijes!”[9] – Mësuesi i tij Jahja ibn Xhafer El-Bikendi.

“I kam parë dijetarët në dy haremet e shenjta (Meke dhe Medine), në Hixhaz, Sham dhe Irak, por nuk kam parë në mesin e tyre më të plotë sesa Ebu Abdullahun, Muhammed ibni Ismail Bukhariun!”[10] – Bashkëkohësi i tij, Imam Daremiu, autori i “Sunenëve”.

Transmeton Ebu Hamid El-Kassar: “E kam dëgjuar Muslim ibn Haxhaxhin, kur erdhi tek Muhammed ibn Ismail Bukhariu, e puthi në mes të syve dhe i tha: “Më lër t’i puth edhe këmbët, o Mësues i mësuesve, o Zotëri i muhadithëve, o Mjek i hadithit dhe lëngatave të tij!”… pastaj Muslimi i tha: “Ty nuk të urren vetëm se smirëziu dhe dëshmoj se nuk ka në botë si ti!”[11] – Nxënësi i tij, Imam Muslimi, autori i “Sahihut”.

“Nuk kam parë në Irak, as në Horasan, njeri më të ditur se Muhammed ibn Ismaili, në çështjet e thella të hadithit, në histori dhe në njohjen e isnadeve”.[12] – Nxënësi i tij, Imam Ebu Isa Tirmidhiu.

“Nuk kam parë nën kupën e qiellit njeri më të ditur rreth hadithit të Resulull-llahut (a.s), sesa Muhammed ibn Ismail Bukhariun!” – Nxënësi i tij, Imami i imamëve, Ibn Khuzejme.

“Nëse do të hapja kapitullin e lëvdatave të dijetarëve për të (Imam Bukhariun), prej atyre që nuk ishin bashkëkohës të tij, do të mbaronin fletoret, do shuhej fryma, sepse ai është det që nuk ka breg!”[13] – Hafiz Ibni Haxheri.

Dhe sikurse thotë njëri ndër biografët e tij: “I mjafton krenari Bukhariut, që ai është Bukhariu!”[14]dhe: “I mjafton “Sahihul-Bukhariut” krenari, qëështë Libri, për të cilin i gjithë ymeti ka rënë dakort se është më i sakti libër pas Kur’anit Famëlartë!”.[15]
 
Edukata e tij me All-llahun dhe adhurimi i tij

“Falej për çdo natë 13 rekate në një gjendje përshpirtësie të pashembullt…! Ai e madhëronte Profetin (a.s), sa ruante në rrobat e tij disa prej qimeve nga flokët e tij (a.s)…”[16]

Njëkohësisht thoshte për veten e tij: “Nuk kam marrë dikë në gojë (gibet), qëkur kam mësuar se është haram!”[17] Madje në “Historinë e Bagdadit”etj, transmetohet se Imam Bukhariu ka thënë: “Shpresoj ta takoj All-llahun dhe të mos më llogarisë se kam marrë dikë nëpër gojë (gibet)”.[18]

Në lidhje me përkushtimin e tij në namaz, transmetohet nga Ibn Ebi Hatem El-Verrak, se: “Muhammed ibn Ismaili u ftua në kopështin e një prej shokëve të tij. Kur erdhi koha e namazit të drekës, u falën së bashku. Pastaj, Imami i u ngrit dhe vazhdoi të falej, sa e zgjati qëndrimin në këmbë. Kur e përfundoi namazin, ngriti cepin e pasëm të këmishës së tij dhe i tha njërit prej të pranishëmve: Shih, a ka diçka nën këmishën time? Personi në fjalë gjeti një grenzë, që e kishte pickuar imamin në disa vende, sa i ishte enjtur trupi. Dikush e pyeti: Po përse nuk dole nga namazi? (Imam Bukhariu) Iu përgjigj: Po lexoja një sure, qëkisha dëshirë ta përfundoja”.[19]

Sikurse transmetohet, se: [Kur ishte nata e parë e muajit Ramazan, shokët e tij mblidheshin përreth tij dhe ai falej imam, duke kënduar në çdo rekat 20 ajete, kështu derisa e bënte hatme Kur’anin. Ndërsa në syfyr lexonte sa gjysma a një e treta e Kur’anit, duke bërë një hatme në tre ditë. Ndërsa ditën bënte nga një hatme, të cilën e përfundonte në iftarin e çdo nate dhe thoshte: “Në çdo hatme ka një duá të pranuar”].[20]

Nga transmetimet e ndryshme, ai kishte trashëguar një pasuri të madhe nga i ati, hante shumë pak, ishte shumë bujar ndaj nxënësve të tij dhe jepte pa fund në rrugën e bamirësisë.[21]
 
Prej thënieve të tij

“Muslimanët më të mirë janë ata që ringjallin një traditë të vdekur të Resulit (a.s). Prandaj, duroni, o ju të zotët e syneteve, All-llahu ju mëshiroftë…”.[22]
“Ai që më lavdëron dhe ai që më shan, në sytë e mi janë njëlloj!”.[23]
 
Vdekja e tij

Thotë El-Hasen ibnul-Husejn El-Bezzaz: “Bukhariu u lind ditën e xhuma, pas namazit të xhumasë në të trembëdhjetën ditë të muajit Shevval, në vitin 194 h. dhe vdiq natën e shtunë, në prag të namazit të jacisë, natën e Fitër Bajramit. U varros pas namazit të Bajramit, të shtunën e 1 Shevvalit, në vitin 256 h. Jetoi 62 vjet, pa 13 ditë”.[24]
 
Sihariqet pas vdekjes së tij

Transmetohet në disa hadithe, se i dërguari i All-llahut (a.s) ka thënë: (nga Ebu Hurejra): “Ëndrra e mirëështë sihariq, e sheh besimtari, ose shihet për të”.[25]

Në “Historinë e Bagdadit” etj, transmetohet nga Abdulvahid ibn Adem Et-Tavavisi, që ka thënë: “E pashë Profetin (a.s) nëëndërr, me një grup prej sahabëve të tij, teksa qëndronte në një vend. I dhashë selam.Ma ktheu selamin. I thashë: Përse je ndalur, o i Dërguar i All-llahut? Tha: “Po pres Muhammed ibn Ismail Bukhariun”. Pas disa ditësh, mësova se Bukhariu kishte vdekur. Kur e verifikuam, kishte vdekur në atë orë, në të cilën pashë Profetin (a.s) nëëndërr”.[26]

Gjithashtu, transmetohet se Muhammed ibn Jusuf El-Firebri ka dëshmuar: “E pashë Profetin (a.s) në ëndërr. Më pyeti: “Ku po shkon?” I thashë: Po shkoj te Muhammed ibn Ismail El-Bukhari. Tha: Bëji selam prej meje!”.[27]
All-llahu e mëshiroftë dhe e shpërbleftë Imam Bukhariun për shërbimet e tij të sinqerta ndaj Fjalës së Profetit (a.s), një shërbim për të cilin, i gjithë ymeti, deri në ditën e kiametit, do t’i jetë mirënjohës!

Shkodër, më 28 mars 2014
(Hytbeja e xhumasë,
mbajtur, më 28. 3. 2014, në xhaminë e Perashit)

[1] Abdusettar Esh-Shejkh, “El-Imamul-Bukhari”, botimi I, 2007, Damask, fq. 37.
[2]Transmetuar nga Tabaraniu në “El-Eusat”, nga Omeri (r.a).
[3]Po aty, fq. 5.
[4]Po aty, fq. 5.
[5]Po aty, fq. 5.
[6]Po aty, fq. 6.
[7]Po aty, fq. 61.
[8]Po aty, fq. 62.
[9]Po aty, fq. 7.
[10]Po aty, fq. 642.
[11]Po aty, fq. 646.
[12]Po aty, fq. 646-647.
[13]Po aty, fq. 9.
[14]Po aty, fq. 11.
[15]Po aty, fq. 12.
[16]Po aty, fq. 20.
[17]Po aty, fq. 81.
[18]Po aty, fq. 81.
[19]Po aty, fq. 60. (Nga: “Historia e Bagdadit”, Ibni Asakiri etj.).
[20]Po aty, fq. 64-65.
[21]Po aty, fq. 73.
[22]Po aty, fq. 85.
[23]Po aty, fq. 86.
[24]Po aty, fq. 666.
[25]Transmetuar nga Tabariu në tefsirin e tij dhe e ka bërë sahih, Shejkh Albani në “Sahihat”, me nr. 1786.
[26]Po aty, fq. 668.
[27]Po aty, fq. 669.

 

Imam Bukhariu – mësuesi i mësuesve, Imami i muhadithëve…
Imam Bukhariu – mësuesi i mësuesve, Imami i muhadithëve…
Imam Bukhariu – mësuesi i mësuesve, Imami i muhadithëve…