H. Fejzi Zaganjori,
mbi parandalimin e gjakmarrjes
24 mars 2014 - Shkodër
Mbrëmjen e së hënës,
më 24 mars 2014, H. Fejzi Zaganjori,
imam i xhamisë Rus, ka marrë pjesë në
një bashkëbisedim të organizuar në
emisionin “Shqip”, të gazetares Rudina
Xhunga, në Tv Top Channel, në lidhje me
fenomenin e gjakmarrjes.
Gjatë këtij bashkëbisedimi, përfaqësuesi
i Myftinisë Shkodër, H. Fejzi Zaganjori,
ka hedhur dritë mbi rëndësinë që ka në
Islam, mbrojtja dhe respektimi i jetës
së njeriut dhe mbjellja e frymës së
harmonisë dhe bashkëjetesës në mesin e
individëve të shoqërisë. Në këtë drejtim,
ai i është referuar ajeteve të ndryshme
kur’anore dhe haditheve profetike, që na
thërrasin përherë e më shumë drejt
këtyre mësimeve të shenjta.
Imami i nderuar, ka theksuar se Myftinia
Shkodër, nëpërmjet aktivitetit të saj
dhe thirrjeve të herëpashershme, ka
dhënë kontributin e saj në rrugën e
parandalimit të këtij fenomeni vrastar.
Në këtë drejtim, - ka theksuar H. Fejzi
Zaganjori, - Myftinia Shkodër ka
zhvilluar tryeza dhe takime për të
analizuar shkaqet dhe pasojat e
fenomenit të gjakmarrjes, në rrugën e
angazhimit për të zgjidhur këtë ngërç
shoqëror.
H. Fejzi Zaganjori, ka vlerësuar
njëkohësisht edhe bashkëpunimin e
komuniteteve fetare në kuadër të dhënies
së një kontributi maksimal për pajtimin
e njerëzve, afrimin e familjeve në
hasmëri dhe eliminimin maksimal të
fenomeneve që marrin jetë njerëzish.
H. Fejzi Zaganjori është një aktivist i
hershëm i Myftinisë Shkodër në fushën e
pajtimit të gjaqeve dhe kontributet e
tij në këtë drejtim janë të shumta dhe
të suksesshme.