Promovohet libri: “Dëshmitar në Sahar…”

Pasditën e së xhumasë, më 21 mars 2014, Myftinia Shkodër ka organizuar promovimin e librit më të ri nga Imam Muhamed Sytari, titulluar: “Dëshmitar në Sahar…”.
 
Në fjalën e tij të hapjes, teologu Arben Halluni ka vlerësuar këtë botim si një përkujtim i vlefshëm për Umren një javore, të kryer në mars të vitit të kaluar nga një grup imamësh dhe besimtarësh shkodranë, drejt vendeve të shenjta.
 
Ai ka theksuar se emocionet dhe kujtimet e rreshtuara në këtë libër, janë njëkohësisht edhe një memorie për ato ditë të begata të kaluara në një frymë adhurimi dhe harmonie islame të mrekullueshme.
 
Më pas, Imam Muhamed Sytari, ka rrëfyer para të pranishëmve për shkëndijën e parë që shkaktoi ndezjen e emocioneve dhe përshpirtjes, për shkrimin e këtij libri, që përmbledh kujtimet dhe refleksionet e një jave të kaluar në Mekë dhe Medine.
 
Myftiu ka falënderuar njëkohësisht edhe pjesëtarët e grupit, për të cilët ka shprehur mirënjohjen dhe vlerësimet e tij, për ditët e kaluara në harmoni besimi. Ai ka shprehur mirënjohje edhe për biznesmenin Sait Fishta, të cilin e ka konsideruar si një shembull të besimtarit dhe njeriut të përkushtuar për të dhënë në dobi të komunitetit dhe vlerave të besimit.
 
Për kënaqësinë e të pranishëmve, autori ka lexuar edhe një pjesë nga libri i tij, duke theksuar se emocionet e përjetuara, sidomos përballë malit të shpellës Hira, janë të papërshkrueshme dhe njëkohësisht të mbushin me dritë besimi dhe angazhim në shërbim të Thirrjes Islame.
 
Të pranishmit kanë ndjekur edhe një insert me foto të ndryshme nga udhëtimi i Umres së vitit të kaluar, duke ndarë kënaqësinë e kujtimeve dhe mallit.
 
Kanë përshëndetur aktivitetin edhe Myftiu i Malësisë së Madhe, H. Edmir Smajlaj, shkrimtari Xhahid Bushati dhe H. Fejzi Zaganjori, të cilët kanë shprehur vlerësimet e tyre për librin dhe autorin, si dhe emocione dhe kujtime nga udhëtimi në vendet e shenjta.
 
Në fund të këtij aktiviteti, të pranishmit e kanë uruar autorin dhe kanë ndarë së bashku urimet në koktejlin e organizuar me këtë rast.

 

Promovohet libri: “Dëshmitar në Sahar…”
Promovohet libri: “Dëshmitar në Sahar…”
Promovohet libri: “Dëshmitar në Sahar…”
Promovohet libri: “Dëshmitar në Sahar…”
Promovohet libri: “Dëshmitar në Sahar…”
Promovohet libri: “Dëshmitar në Sahar…”
Promovohet libri: “Dëshmitar në Sahar…”