Koha për të mos u bërë palë me heshtjen..!

(reflektim në krahët e një sprove komunitare)

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

A ndreqet ky realitet, në të cilin ne, muslimanët shqiptarë, vihemi sërish në qendër të vëmendjes sociale, teksa rishfaqen në horizont shenjat e para të një stine të “gjuetisë së shtrigave”, stolisur me një terminologji dhe një mori etiketimesh absurde, ndaj të cilave feja islame ka qëndrime refuzuese dhe kritikuese, jo më të jenë pjesë e doktrinës së saj fetare!?
 
A ka kuptim të përfshihemi në një vorbull paradoksale, e cila nuk bën asgjë tjetër, vetëm se thith në thellësitë e errësirës së saj individë a grup-njerëzish, duke u munduar t’u ndryshojë pamje, ngjyrë, moral e vokacion shpirtëror, në kuadër të një “ere të re” në rrugëtimet historike të vendit tonë?
 
Por, a ka përgjegjës për këtë realitet, sa qesharak aq edhe të trishtë, të muslimanëve në këtë vend, si dhe me mënyrat e trajtimit të fesë islame në këto 24 vjet, që nga dita e rilejimit me ligj të besimeve fetare, (pas një kataklizme kombëtare 23 vjeçare, ku politika dhe afetarizmi, ngërthyen me kthetrat e tyre një shtet të tërë, duke e dëshmuar si një palaço në sytë e botës, teksa dëshmonte me mburrje primitive, se: “Ne jemi shteti i vetëm ateist në botë”)?!
 
A ka fajtor, për shkeljen flagrante të ligjeve, ndaj të drejtave të vajzave me shami, paragjykimit të praktikantëve të fesë, (ri)grabitjes së pronave të shenjta vakëf, nëpërmjet ligjit të legalizimit, moskompensimit serioz të pronave vakëf, të sekuestruara e të tjetërsuara nga shteti komunist? A ka përgjegjës për mbjelljen në heshtje të dasive sektare nëpërmjet etiketimit të klasës së teologëve të diplomuar në shkollat më të mira të botës islame, si: arabë e turqë, me mjekra dhe pa mjekra dhe, papjekurinë e tyre për ta kapërcyer këtë ngërç të futur në mes tyre, si një virus shkatërrimtar?
 
A ka fajtor, që gjatë gjithë kësaj kohe, klasa politike me krejt ngjyrat e saj, ka luajtur pandershmërisht me të drejtën legjitime të muslimanëve kryeqytetas për të pasur xhaminë e tyre katedrale, njësoj si vëllezërit e tyre të krishterë; katolikë e ortodoksë (që të paktën, falë Zotit, janë favorizuar dukshëm nga qeveritë e ndryshme të dy dekadave të fundit)?
 
A ka fajtor, që akoma sot, një tendencë mbytëse tenton të shuajë zërin e vetëdijes islame në këtë vend, edhe nëpërmjet përpjekjeve për ta izoluar nga realitetet, a për t’i dhënë institucionit të muslimanëve një ngjyrë që nuk është e tij dhe që kurrë nuk mund ta ketë; izolimin dhe daljen nga skenat e realiteteve dhe kontributeve të vyera kombëtare, që
 
prodhojnë thellim të hendekut në rolin që duhet të ketë institucioni dhe njerëzit e tij të ditur e të specializuar?!
 
Çfarë kuptimi ka, që sot, dikush të na thotë: “ata duhet të na japin prova se e dinë mirë që ky komb është dhe i të tjerëve, të krishterë, laikë a ateistë qofshin, duhet të na japin prova se këtë vend e këtë komb e duan po aq sa ne të tjerët, duhet të na japin prova se interesi kombëtar është një gjë që nuk mund të negociohet”. Ne të japim prova për këtë vend dhe interesat e tij? Ne muslimanët, që ndër shekuj e kemi ujitur këtë tokë me paqe, me pastërti, me harmoni ndaj jomuslimanëve, me një shembull të mrekullueshëm të bashkëjetesës paqësore në rrafshin popullor!?
 
E vërteta është se ky shpirt e ky udhëzim, që nuk ndryshon për asgjë ndër ne, shpesh është prekur nga duar të papastra (jashtë nesh), që tinëz kanë luajtur me harbuti kartën e “tolerancës dhe harmonisë fetare”, duke abuzuar me simbole fetare, me të cilat kanë mbushur sheshe e rrugë, në shenjë servilizmi ndaj dikujt, që sheh nga jashtë!?
 
Në fakt, kjo pyetje: “A ka fajtor..?”, mund të vazhdonte deri në pafundësi, duke iu referuar ndodhive të çuditshme dhe realiteteve plot kotësi mendimi dhe arsyetimi, me të cilat trajtohet Islami dhe muslimanët në këtë vend! Por, fajtori/ët, nuk është e lehtë të etiketohet/en!? E, mbi të gjitha, nuk do të duhet shumë kohë për t’u humbur, në rrugën e kthimit të fletëve, në drejtim të shërimit dhe tejkalimit të pragut të sprovës..!
 
Përgjegjës, fillimisht, (jo për tendencë paragjykimi e akuze, sesa për konstatim para një analize të qetë e të vëmendshme), është Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, (si institucion, që ka kaluar dallgë e lëkundje të frikshme) në rrugëtimin e tij të çalët 23 vjeçar (ku të gjithë kemi nga pak hise, në këtë mungesë ekuilibri)!
 
Janë teologët dhe thirrësit islamë, shpesh të pavëmendshëm (edhe për faktorë jashtë tyre) ndaj zhvillimeve gjarpëruese të vendit, sfidave të kohës dhe mbi të gjitha realiteteve të vetë institucionit të tyre, që ka rënkuar për t’i pasur të gjithë së bashku, rreth një sofre të shenjtë, mbi krejt sofrat lokale e tendencat sektarizuese të tipit: “Mendimi im është i drejtë, por pranon edhe gabimin. Mendimi yt është i gabuar, por pranon edhe të drejtën”!?
 
Janë intelektualët muslimanë dhe njerëzit vullnetmirë të këtij vendi, që kanë heshtur a janë kënaqur me “shfryrjet” momentale në mediume a takime spontane (a edhe të organizuara, pa sukses), a duke turfulluar, gjatë leximit të analizave të karikuara me mllef, (të ardhura edhe nga jashtë kufinjve, në gjuhën shqipe)!?
 
Janë krejt muslimanët e mirë shqiptarë, që e kanë lënë veten të trajtohen si pakicë e shkelur (sidomos në provinca të sunduara nga politika moniste, nën vellon e demokracisë), a që
 
kanë pranuar neglizhencën si vulë kohe, duke u dëshmuar si një tërësi e pavlerë mendimi, shpirti e kulture..!
 
Por, asnjëherë nuk është vonë, (dhe muslimanët janë vëllezër, të moralshëm me njëri-tjetrin, të aftë për të tejkaluar mjegullnajat, drejt rrezeve të diellit), ndonëse rrugët që çojnë drejt rivendosjes së ekuilibrave të humbura që mot, janë të mbushura me inerte, që duhen pastruar me durim! Janë pasojë e shkatërrimit mbi 40 vjeçar të përpjekjeve për të pasur në këtë vend një komunitet besimtarësh muslimanë, të fortë e të shëndoshë, jashtë ndikimeve anësore, në shërbim të plotë të interesave shpirtërore dhe vlerave kombëtare të këtij vendi të shtrenjtë, ku kemi lindur dhe, ndaj të cilit kemi shumë borxhe!
 
Nuk është vonë, për të gjetur rrugët e shkrirjes së akujve të krijuar (jashtë vullnetit tonë), nga “të huaj”, (ndonëse kanë të njëjtën gjuhë të bukur, si kjo që ne flasim, por që nuk e kanë kuptuar, as do ta kuptojnë, shenjtërinë dhe delikatesën e fesë), të cilët gjatë kësaj kohe kanë abuzuar dhe janë tallur me muslimanët, nëpërmjet “abuzimit” me ndërhyrjet ilegale në trupin e vetë muslimanërisë shqiptare, sepse janë toleruar, jo nga obligimi ndaj tyre, por nga kompromisi i pajustifikueshëm!?
 
Ka ardhur koha, të ndahemi një herë e përgjithmonë nga dëshira, që të shumtë e kanë, për të futur hundët dhe për të dhënë mënyrat e zgjidhjes së “problemeve” të muslimanëve, nëpërmjet kalimit në labirinthe të reja, që vetëm se e rëndojnë edhe më shumë këtë realitet dhe e mbajnë akoma peng të jofamiljarëve të tij..!?
 
S’domend, se integrimi evropian i Shqipërisë (me një shumicë muslimane të popullsisë së vet), nuk i shkon për shtat shumë axhendave joshqiptare?! Por, as të zotët e këtyre axhendave, as ithtarët e tyre shqiptarë (me rrobën e “njeriut të ri”), nuk do të arrijnë të kuptojnë se “Shqipëria evropiane”, nuk mund të jetë e tillë, pa një performancë origjinale të mendimit islam, (atij, që e udhëhoqi edhe vetë Evropën, për t’u shkëputur nga injoranca, drejt dijes dhe qytetërimit, por që udhëhoqi edhe vetë Shqipërinë, drejt formësimit si shtet, këtu e njëqind e kusur vite më parë), trupëzuar në një institucion të fortë, ndërtuar me duar të natyrshme shqiptare, jashtë influencave të kujtdo dhe, sidomos, jashtë tendencave xhahile të shumëkujt në këtë vend, për të futur duart, këmbët e hundët në brendësinë e tij!
 
Ndoshta, këto realitete, nuk janë asgjë tjetër, vetëm se një “shkundje” hyjnore, për të na zgjuar nga një gjendje, në të cilën, thuajse të gjithë u bëmë palë me heshtjen, duke harruar një mirësi të madhe nga Zoti; larminë e shkollave dhe burimeve, në shërbim të një performance më kompakte e më solide, më të aftë për t’u përballur me sfidat e kohës dhe mbi të gjitha, më në gjendje për t’iu përgjigjur interesave kombëtare në rrugëtimet e dallgëzuara, ku më shumë se kurrë nevojitet harmonia largpamëse, shtrëngimi i duarve dhe bashkimi i fuqive për të mirën e një bashkësie sociale model!
 
Dhe, e tërë kjo, fillimisht, për vetë Shqipërinë, (jo për axhendat e politikave që e mbajtën peng këtë vend dhe i privuan të jetë aty, ku do t’i takonte të ishte; në mesin e popujve dhe kombeve të qytetëruara e në mirëqenie) dhe, për një prezantim dinjitoz të Islamit, si feja, që shqiptarët e përqafuan në paqe me veten, me Zotin dhe tjetrin, duke u dëshmuar shembull i pastërtisë në marrëdhënie me këdo, në rrugën e vëllazërisë dhe harmonisë kombëtare!
 
Është koha për të dëshmuar bashkarisht vullnetin për t’i shërbyer një kauze të shenjtë e të shtrenjtë: ruajtjes së vlerave të besimit dhe të fesë, në harmoni të plotë me trashëgiminë kombëtare dhe aspiratës për një të ardhme, të çliruar nga mentaliteti i përjashtimit të tjetrit dhe izolimit nga kushdo ndryshe!

Shkodër, më 20 mars 2014
(Hytbeja e xhumasë,
mbajtur, më 21. 3. 2014, në xhaminë e Parrucës)

 

Koha për të mos u bërë palë me heshtjen..!
Koha për të mos u bërë palë me heshtjen..!
Koha për të mos u bërë palë me heshtjen..!