“Mos rri pa punë - Shko n’shkollë…
Xen me shkrue shqip!”
Imam Muhamed
B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Më 7 mars të vitit
1887 në Korçë u hap mësonjëtorja e parë
shqipe. Mësues dhe drejtor i parë i saj
ishte Pandeli Sotiri.
Normalisht, para kësaj ngjarje të
shënuar kombëtare, lëvizja për mësimin e
shqipes nëpërmjet abetareve ishte në
vëmendjen e dijetarëve dhe edukatorëve
të shquar të vendit tonë, në mesin e të
cilëve përmendim Daut Boriçin, i cili në
abetaren e tij të vitit 1869, udhëzon
pastër dhe shqip: “Mos rri pa punë –
Shko n’shkollë – Mos prito – Ndigjo
këshillat e mira – Kur t’flasësh, mendo
– Mos rrej etj”.[1] E gjithë këto
udhëzime të urta me burim hyjnor,
lidheshin ngushtë me urdhëresën e tij: “Xen
me shkrue shqip”![2]
Prandaj, sot, në këtë ditë të shënuar
për arsimin shqiptar, e kemi për detyrë
fetare dhe kombëtare, të përulemi me
respekt dhe nderim të thellë para veprës
së edukatorëve dhe mësuesve të shqipes,
gjuhës tonë të bukur, me të cilën kemi
mundësi të shkruajmë e të shprehim atë
që Zoti na mëson, drejt së cilës Ai na
udhëzon.
Sot, të dashurit e mi, më shumë se
asnjëherë tjetër, ne si shqiptarë, duhet
të sillemi nga mësimi dhe dija, duke mos
e humbur kohën dhe duke iu lutur Zotit
të na japë begati dhe mbrojtje hyjnore
në rrugëtimet tona drejt dijes, sepse,
sikurse kanë thënë edhe të vjetrit tanë:
“Shkrimi ngelet në libër, ndërsa autori
shkrihet në dhé”.
Korifeu i abetareve shqipe, Daut Boriçi,
në disa prej shënimeve të shkruara, la
testamentin e tij: “Mëso o bir, se
injoranca është turp. Atë s’e pranon
veçse gomari”! Ai njëkohësisht porositi
dhe na mësoi: “Thotë Resulull-llahi (s.a.v.s):
Ai që vdes në rrugën e kërkimit të dijes,
vdes shehid”.[3]
Sot, në këtë ditë të shënuar, me një
simbolikë të shtrenjtë kombëtare, nuk ka
sesi të mos e falënderojmë me të madhe
All-llahun (xh.sh), me këtë gjuhë të
bukur shqipe, për mirësinë e madhe që na
dha, duke na mundësuar ta shkruajmë e ta
lexojmë gjuhën tonë të dashur, duke
dëshmuar nëpërmjet saj, si çdo popull
tjetër, botën e mendimit dhe të besimit,
kulturën tonë popullore dhe trashëgiminë
kombëtare, brez pas brezi.
Sot, është dita e përkujtimit të
edukatorëve dhe mësuesve tanë të
shtrenjtë, pa të cilët nuk do të ishim
këta që jemi dhe, pa prezencën e të
cilëve nuk mund të aspirojmë e të shohim
drejt së ardhmes. Sepse mësuesi, është
simbolikë hyjnore, mbështetje për
njeriun në fazat e zhvillimit të tij dhe
frymëzues drejt më të mirës cilësi, me
të cilën Zoti e dalloi njeriun nga
krijesat e tjera; dijes.
I mjafton nder dhe krenari mësuesve të
mirësisë, edukatorëve të ndershëm,
durimtarë e zemërbardhë, kudo që të jenë,
se Vetë Zoti ia atribuoi Vetes së Tij
mësuesinë. Ai u bë Mësues i Profetit (a.s),
duke thënë: “… dhe të mësoi atë që nuk e
dije…”.[4] Jo vetëm kaq, por, Zoti i
gjithësisë e nderoi njerëzimin, kur
nëpërmjet revelatës hyjnore na mësoi se
Ai u bë Mësuesi i parë i njeriut, kur
tha: “I mësoi njeriut atë që nuk e dinte”![5]
Prandaj, këshilla ime për të gjithë
nxënësit dhe kërkuesit e dijes, është
respekti, nderimi dhe përulja ndaj
mësuesit, si një shenjë e nderimit dhe e
vlerësimit ndaj kësaj mirësie të madhe
me të cilën na ka rrethuar Zoti;
mësuesit e të mirës!
Në hadithin e transmetuar nga Imam
Ahmedi, mësojmë se Hz. Muhammedi (a.s)
ka thënë: “Nuk është prej ymetit tim ai
që nuk e respekton të madhin tonë, që
nuk e mëshiron të voglin tonë dhe që nuk
i njeh hakun e tij dijetarit tonë”[6],
pra mësuesit!
Dijetari Ibnul-Muflih El-Makdesi (v. 763
h.), na tregon se: “Ibn Abdilberri ka
thënë: I lejohet njeriut ta nderojë
mësuesin e tij, duke iu ngritur në këmbë…”[7],
që do të thotë se nderimi dhe respekti
ndaj mësuesve tanë, nis që nga
mirësjellja dhe modestia para tyre,
ngritja në këmbë në vlerësim të gradës
që u ka dhënë Zoti, duke i bërë mësues
dhe edukatorë.
Dhe, i mjafton nder dhe krenari krejt
mësuesve tanë të nderuar, që
Resulull-llahu (a.s) tha: “… unë jam
dërguar mësues”.[8] Njëkohësisht na
tërhoqi vëmendjen drejt modelit të
mësuesit të suksesshëm, që e duam dhe na
do, teksa na mësoi se: “All-llahu nuk më
ka dërguar mundues dhe arrogant, por më
dërgoi mësues lehtësues”.[9]
Në koment të këtij hadithi, Imam Gazaliu
thotë: “Nga veçoritë e artit të
mësimdhënies, është edhe qortimi që
mësuesi i bën nxënësit të tij për
sjelljen e keqe, me butësi… nëpërmjet
rrugëve të mëshirës, larg deklarimeve të
tepërta që e dobësojnë autoritetin e
mësuesit…”.[10]
Sot, teksa flasim për
mësuesit dhe kërkuesit e dijes, dua t’i
drejtohem me një këshillë të gjithë
nxënësve tanë të dashur. Ju them, ashtu
siç na kanë mësuar të parët tanë se: “Ai
që nuk e përballon lodhjen dhe përuljen
ndaj mësimit një orë, do të ngelet në
përulësinë dhe nënshtrimin e injorancës
përgjithmonë”![11]
Prandaj, përfitoni nga koha, mos e
humbisni atë dhe lutjuni Zotit t’jua
shtojë diturinë dhe edukatën me mësuesit
tuaj, sepse nuk ka mirësi më të madhe
për nxënësin e dijes, sesa t’i dhurojë
Zoti mbarësi dhe begati në kohë, si dhe
nderim e mirësjellje ndaj mësuesve të
dijes!
Dikur kanë thënë: “Mësuesi dhe mjeku, të
dy së bashku, nuk japin këshilla, nëse
nuk nderohen. Duro, pra, sëmundjen tënde,
nëse mjekun e nënçmon! Duro, pra,
injorancën tënde, nëse mësuesin nuk e
respekton”![12]
Sepse, mësuesi, sidomos, kur është i
rrethuar me urtësi dhe largpamësi,
përpiqet gjithmonë të na udhëzojë, qoftë
edhe më një kritikë simbolike, para së
cilës, ne duhet të jemi mirënjohës dhe
falënderues.
E kam dëgjuar nga Hoxha i jonë, Shejkh
Ahmed Keftaro (All-llahu e mëshiroftë
dhe e shpërbleftë), ngjarjen vijuese në
mes tij dhe mësuesit të tij (njëkohësisht
i ati), Shejkh Emin Keftaro. Thotë: “Isha
i ri, kur Hoxha im më ngarkoi me një
detyrë fetare, të cilën e kreva me
shpejtësi, duke mos i dhënë hakun e
duhur. Më pas, gjatë dersit të
asaj dite, Hoxha përmendi se disa, nuk i
kryejnë si duhet detyrat që u ngarkohen.
Unë, e kuptova se kam gabuar dhe nuk u
ndjeva mirë. Pas dersit, vrapova në treg,
ku bleva ca sheqer e ca çaj, të cilën ia
solla mësuesit tim. Ai, më vështroi dhe
më tha: A nuk je mërzitur prej meje? Unë
i thashë: Si të mërzitem prej teje, kur
ti don të më nxjerrësh nga errësira
në dritë?!”.
All-llahu i mëshiroftë mësuesit tanë që
nuk janë më, i begatoftë me mirësitë e
Tij ata që janë në mesin tonë dhe prej
të cilëve vazhdojmë të mësojmë. Na bëftë
të denjë për të qenë mësues të urtë dhe
kërkues durimtarë të dijes para duarve
të atyre që u është dhënë dija! Amin!
Shkodër,
më 7 mars 2014
(Hytbeja e xhumasë,
mbajtur, më 7. 3. 2014, në
xhaminë e Medresesë)
[1] Po aty, fq. 92.
[2] Po aty, fq. 92.
[3] Nuk e kam verifikuar.
[4] Kur’ani, En-Nisa: 113.
[5] Kur’ani, El-Alak: 5.
[6] Transmetuar nga Imam Ahmedi, nga
Ubade Ibni Samit (r.a).
[7] Me përshtatje nga Ibnul-Muflih El-Makdesi,
“El-Adabush-Sher’ijjeh”, me verifikim të
Shejkh Shuajb Arnautit dhe Umer El-Kajjam,
botimi I tretë, 1999, Bejrut, vëll. I,
fq. 439.
[8] Transmetuar nga Ibn Maxheh, Daremiu,
nga Abdull-llah ibn Amr ibnul-As (r.a).
[9] Transmetruar nga Muslimi.
[10] Me përshtatje nga Shejkh
Abdulfettah Ebu Gudda, “Er-Resulul-mual-lim”,
botimi i dytë, 1997, Bejrut, fq. 11.
[11] Ebul-Hasen El-Maverdi, “Edebud-dunja
ved-din”, 1987, Bejrut, fq. 67.
[12] Ebul-Hasen El-Maverdi, vep. e cit.,
fq. 67-68.