“Dhe mos e harroni mirënjohjen ndërmjet jush!”
Imam Muhamed
B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
“Mirënjohja”, që iu
akordua nga Myftinia Shkodër, imamit të
nderuar, z. Fadil Elez Kraja, me rastin
e 80 vjetorit, më bëri të reflektoj dhe
të meditoj rreth vlerës së madhe që ka
në jetën tonë të shkurtër të kësaj bote,
shprehja e vlerësimit, mirënjohjes së
sinqertë dhe falënderimit, ndaj atyre,
që, në heshtjen tipike të njerëzve
mirëbërës, përpiqen të kontribuojnë dhe
të dhurojnë nga mirësia personale, në
rrugën e dritësimit të shoqërisë, sipas
parimit kur’anor: “nuk kërkojmë ndonjë
shpërblim e as falënderim”1...
Sa e rëndësishme është të vlerësojmë ata
që na mësojnë, na këshillojnë, përpiqen
në heshtje dhe rrugëtojnë pa zë, në
drejtim të lartësimit të Fjalës së Zotit
dhe dëshmimit përherë e më shumë si
njerëz shembullorë, të përkushtuar e
besimtarë.
Një ndjesi e ëmbël vlerësimi ndaj të
nderuarit Fadil E. Kraja, më ftoi sot
drejt një reflektimi në shembullin
kur’anor: “Dhe mos e harroni mirënjohjen
ndërmjet jush..!”2 dhe transmetimit
shekullor: “Nuk e ka falënderuar All-llahun,
ai që nuk falënderon njerëzit”.3
Në rastin konkret, kemi të bëjmë me një
njeri vullnetmirë, që nisi të angazhohej
me Myftininë e Shkodrës që në ditët e
para të rihapjes së saj, diku në muajt e
parë të vitit 1991 dhe deri sot, ku
vazhdon të shërbejë me përkushtim, pa
pyetur për moshën dhe delikatesën e saj.
Nga ajo ditë e deri më sot, zotëria e
tij është investuar maksimalisht për të
zënë dijeni dhe për t’ia mësuar atë të
tjerëve, nëpërmjet xhamisë, takimeve të
shumta, por jo vetëm.
Në fletët e arkivit të Myftinisë Shkodër,
atë e gjejmë Myfti në Lezhë, imam në
Drisht, në Vukatanë, në Rragam etj. E
shohim në mesin e nxënësve të shumtë, të
cilëve u ka mësuar dhe vazhdon t’u
mësojë “bismil-lahin” e përtej tij… Në
pamje të parë, nuk ka asgjë të veçantë
në këto fakte, por e vërteta qëndron
pikërisht tek këto vende, ku ai ka
shërbyer dhe akoma vazhdon ta bëjë, me
një dashuri dhe vullnet të pashembullt!
Në ceremoninë e organizuar sot nga
Myftinia Shkodër, në nder të imamit me
80 vite mbi supe, më tërhoqi vëmendjen
ndërhyrja e teologut Lavdrim Hamja, i
cili kujtoi për të pranishmit, se në
vitet e para të rihapjes së xhamive, z.
Fadil E. Kraja, ishte imami i
përkushtuar, që kishte
kaluar krejt muajin Ramazan në shtëpitë
e banorëve të Drishtit, vetëm e vetëm që
të shfrytëzonte namazin e teravisë për
t’u mësuar sadopak nga mësimet e fesë.
Ndër të tjera, na kujton se: “Z. Fadili
vinte më herët në xhami dhe me tesbihët
që mbante në dorë, angazhonte xhematin
që para namazit të këndonin bashkarisht
100 herë “la ilahe il-lall-llah”. Xhamia
ishte e tejmbushur nga besimtarët!”.
Ndërkohë, nuk do ta harroj atë
telefonatë të dhimbshme, të para dy
viteve, që më lajmëronte se një makinë
kishte aksidentuar imamin Fadil E. Kraja,
teksa kthehej natën vonë me motoçikletën
e tij nga namazi i teravisë në fshatin
Rragam. Subhanallah! Dhe, ajo që ma
shtoi edhe më tepër vlerësimin dhe
mirënjohjen për këtë burrë me flokë të
bardha ishte fakti, se në ato ditë,
shqetësimi i tij i vetëm, (ashtu i
mbërthyer në hekura e allçi), ishte
xhamia dhe xhemati i saj, teravia, e
xhumaja dhe bajrami..!
Prandaj, sot, në krah të mikut të mirë
dhe njeriut të përkushtuar, Fadil E.
Kraja, u ndjeva shumë i emocionuar, por
edhe krenar në vetëvete, teksa pata
mundësi t’i them me zë të lartë, (para
të gjithëve), teksa e vështroja në sy:
Faleminderit dhe mirënjohje për
shembullin e përkushtimit dhe modelin e
qëndrueshmërisë! Faleminderit për
shembullin e sakrificës për këtë fé të
pastër e këtë besim të drejtë,
pavarësisht vështirësive të kohës dhe
rëndesës së peshës së viteve!
Faleminderit krejt atyre burrave të
kësaj kategorie vullnetarësh, që ia
kalojnë edhe atyre, që ndonëse janë
sprovuar me shkolla e studime, kanë
mbetur peng në prag të librave, prej të
cilëve nuk dalin dot në realitetet e
jetuara dhe vendet e shkelura nga këmba
e shërbëtorëve me vullnet të pathyeshëm!
Faleminderit këtij modeli, që sfidon me
urtësinë e moshës dhe pjekurinë e
eksperiencës, sfidat e panumërta me të
cilat përballet shpirti i traditës
islame tek ne dhe gjurma e së shkuarës
së begatë!
Faleminderit për shembullin e një burri,
që tashmë e kapërceu kufirin e të 80-ve
dhe akoma vazhdon rrugëtimet e tij, me
tesbih në dorë, drejt kërkimit të
pëlqimeve pafund nga Zoti i gjithësisë,
në rrugën e Tij…
Shkodër, më 3
mars 2014
(Refleksione në ditën e
dorëzimit të “Mirënjohje-s”,
që Myftinia Shkodër i akordoi sot imamit
80 vjeçar, z. Fadil Elez Kraja)
1 Kur’ani, El-Insan:
9.
2 Kur’ani, El-Bekare: 237.
3 Transmetuar me isnad të saktë nga
Ahmedi, Ebu Davudi dhe Tirmidhiu, nga
Ebu Hurejra (merfu).