Gjurma Jote mban erë myshku,
rrugëve me jaseminë…
Muhamed Sytari
I.
Hoxhë, Ti shkove… Gjurmën Tënde, as
heshtja nuk e fshehu dot, s’e harron
dhembja e ndarjes… Drita e buzëqeshjes
Tënde, gjithandej në hapësirat e
Damaskut gjallëron, si torçë udhëzimi
drejt shpirtit të Dijes e Urtësisë…
Hoxhë, Ti shkove. Le mall, kujtime
burrash shekullorë, pas të cilëve dija
të lidhi, si trashëgimtarë nderi, që
motit nder i dhanë… Gjurma Jote, sokakut
me hapa dhikri, ende mban erë myshku,
rrugëve me jaseminë…
II.
Hoxhë, e lumtur dita fatlume e takimit
tonë… Atë ditë, Drita e prezencës Tënde
mbi Shkodër, si re madhështore, mbarte
mall gjyshërish me tespih të gjatë,
hoxhallarësh me mjekra të thinjura e
çallma me tarbush të kuq, e herë të zi…
Atë Ditë fatlume, drita Jote, mbante era
Hafiz Ali e Haxhi Muhamed, sillte mall Jusuf Efendi e Haxhi Sulejman, mbi tokë Shkodre me shpirt besimi, si minare të
bardha-udhëzim… Atë Ditë, ditëlindja ime
qe shënuar para Duarve Tuaja, Hoxhë…
III.
Si gjethe vjeshte, njëra pas tjetrës,
vitet me Prezencën Tënde shkuan e,
vjeshtë kujtimesh rrethon këtë botë pa
Ty, kujtimi Yt… Si margaritar thesaresh,
në thellësi të detrave të dijes,
shkëlqen Nuri i Dorës Tënde, Hoxhë… Dorë
Lapsi, që dritë dije kudo ka lënë, si
amanet udhëzimi drejt Derës së Hakut,
Hoxhë, me besë virdesh pa fund, në prag
agimesh me frymë dhikri… Si gjethe stine
gri, njëra pas tjetre, shkuan ditët e
bardha, me feksimin e mjekrës Tënde,
ngjyrë Dije e Urtësi…
IV.
Hoxhë… Malli, tingulli i fjalës Tënde,
kujtimet e nostalgjia, në zemër, të
gjallë mbajnë buzëqeshjen Tënde, si
përherë, ulur në kolltukun Tënd besnik…
Thonë se rënkon i gjori, si trung hurme
ndër shekuj… Të kërkon, këdo pyet për ty
e, kujtdo i lutet, një lutje për ty,
atje përtej, në botën e së Vërtetës së
Pritur… Era Jote, Hoxhë, akoma ndjehet
në këto anë… Ngado, në gjurmë librash,
minaret e bardha, ende luten për ty; falemninderit të thonë… Ngado gjurma
Jote, Hoxhë…
V.
Nuk e di, a të kam falënderuar ndonjë
ditë, Sejjidi..? A të kam thënë më fal
ndonjëherë..? A të kam thënë sa fatlume
dita, në të cilën qe shënuar afrimi im
në botën Tënde, si fëmija pranë derës së
dijes e urtësisë..? Ah, Hoxhë, si shkuan
vitet e mjekra Jote mbeti e bardhë, si
bardhësi kujtimesh, që përherë jetojnë
në pranverë malli për Ty, Hoxhë, i Miri
Shejkh Vehbi… - Më fal, Zotëria im, që
s’isha atë ditë kur u largove, më fal..!
Dhe.., Faleminderit që ishe, sa herë të
kërkova, për të më nxjerrë nga hija në
dritë, nga errësira në udhëzim…
Faleminderit Hoxhë..!
Shkodër, më 18 shtator 2013