Myftiu pret Drejtorin e Fondacionit “Mirësia”

Ditën e enjte, më 13 shkurt 2014, Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed Sytari, ka pritur në një takim të përzemërt pune, Drejtorin e Fondacionit “Mirësia”, në Tiranë, z. Korab Kaja.
 
Në qendër të këtij takimi kanë qenë bashkëpunimet e frutshme, që Myftinia Shkodër ka me Fondacionin “Mirësia”, sidomos në fushën e ndërtimit të disa xhamive të reja në Shkodër.
 
Myftiu ka falënderuar angazhimet e dobishme të Fondacionit “Mirësia”, sidomos në drejtim të pasurimit të hartës së përhapjes së qendrave islame në Shqipëri, me xhami të reja, me një arkitekturë të përshtatshme për vendin dhe traditat e tij. Njëkohësisht, ka falënderuar mbështetjen që Fondacioni i ka dhënë Myftinisë Shkodër në drejtim të angazhimit për ngritjen e dy xhamive të reja, në fshatin Domën dhe në lagjen Dudas, ku punimet vijojnë në mënyrë sistematike prej disa muajsh.
 
Nga ana e tij, edhe Drejtori i Fondacionit “Mirësia”, z. Korab Kaja, ka falënderuar Myftiun e Shkodrës për bashkëpunimin dhe transparencën e treguar në drejtim të bashkëpunimit në kuadër të ngritjes së xhamive të reja, sidomos pas eksperiencës shumë të mirë me xhaminë e re që u ngrit në fshatin Kuç.
 
Ai ka konfirmuar se projektet e nisura, do të vazhdojnë sipas marrëveshjes dhe se ai dhe fondacioni që drejton, do të shqyrtojnë edhe disa kërkesa të tjera të Myftinisë Shkodër në rrugën e forcimit të bashkëpunimeve të përbashkëta.

 

Myftiu pret Drejtorin e Fondacionit “Mirësia”