Mbrëmje e bukur fetare
në Xhaminë e Klleznës (Ulqin)

Me ftesë të Bashkësisë Islame të Ulqinit dhe Xhamisë së Klleznës (Ulqin), Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, ka marrë pjesë mbrëmjen e së shtunës, më 15 shkurt 2014, në Mevludin Sherifë të organizuar këtë mbrëmje të begatë fetare, në Xhaminë e Klleznës (Ulqin).
 
Pas faljes së namazit të jacisë, nën drejtimin e Myftiut të Shkodrës, ceremonia e kësaj mbrëmje fetare ka nisur me shfaqjen e një filmi të shkurtër mbi jetën dhe mesazhin e Profetit Muhammed (a.s), prodhim i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
 
Më pas, imami i xhamisë, Senad ef. Maku, ka uruar mirëseardhjen e të pranishëmve të shumtë në këtë mbrëmje fetare, në nder të përkujtimit të lindjes dhe dërgesës profetike të Hz. Muhammedit (a.s).
 
Kryeimami i Ulqinit (Myftiu), Ali ef. Bardhi, në fjalën e rastit, ka vlerësuar se këto mbrëmje fetare kanë një rëndësi të madhe, sepse mbajnë të gjallë kujtimin e Profetit (a.s) dhe forcojnë vëllazërinë islame në mesin e besimtarëve. Kryeimami ka falënderuar Myftiun e Shkodrës për pranimin e ftesës dhe prezencën e tij si ligjërues në këtë tubim.
 
Ai ka theksuar se dy myftinitë, ajo e Shkodrës dhe e Ulqinit, gëzojnë një bashkëpunim dhe vëllazërim të hershëm, që sa vjen e thellohet në dobi të harmonisë dhe vlerave të përbashkëta islame.
 
Në ligjëratën e tij para të pranishëmve, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, ka folur mbi mirësinë e madhe dhe vlerën që kanë këto tubime fetare, që janë një garanci e madhe për ruajtjen e traditave profetike dhe nxitjen e dashurisë për të dërguarin e All-llahut.
 
Në fjalën e tij, Myftiu ka folur mbi nevojën e njohjes me shembullin e dashurisë ndaj të dërguarit (a.s), si modeli më i mirë për muslimanin bashkëkohor, në përballjet e tij me jetën. Njëkohësisht Myftiu ka vlerësuar personalitetin e H. Ali Ulqinakut, duke thënë: “Rahmet pastë Hafiz Ali Ulqinaku, Imam Busiri i trojeve shqiptare, që me "Mevludi-n" e tij, krijoi njëkohësisht edhe kushtet për mundësimin e këtyre tubimeve të begata, në të cilat kujtojmë pejgamberin tonë, i këndojmë dashnisë për të dhe afrohemi edhe më shumë me amanetin e tij…”.
 
Në fund të ligjëratës, Myftiu ka bërë edhe një lutje të gjatë në gjuhën shqipe.
 
Programi ka vijuar me këndimin e disa ilahive në gjuhën shqipe dhe interpretimin e disa recitimeve, nga kori i fëmijëve të xhamisë, që është pasuar me këndimin e disa pjesëve nga “Mevludi” i Hafiz Ali Ulqinakut.

 

Mbrëmje e bukur fetare në Xhaminë e Klleznës (Ulqin) 
Mbrëmje e bukur fetare në Xhaminë e Klleznës (Ulqin) 
Mbrëmje e bukur fetare në Xhaminë e Klleznës (Ulqin) 
Mbrëmje e bukur fetare në Xhaminë e Klleznës (Ulqin) 
Mbrëmje e bukur fetare në Xhaminë e Klleznës (Ulqin) 
Mbrëmje e bukur fetare në Xhaminë e Klleznës (Ulqin)
Mbrëmje e bukur fetare në Xhaminë e Klleznës (Ulqin)