Këshilli i Myftinisë Shkodër,
vizitë pune në Bashkësinë Islame Ulqin
Paraditën e së
shtunës, më 8 shkurt 2014, Këshilli i
Myftinisë Shkodër ka organizuar një
vizitë pune në Bashkësinë Islame të
Ulqinit, në Mal të Zi.
Në mikpritje të delegacionit nga
Shkodra, Kryeimami (Myftiu) i Ulqinit,
Mr. Ali Bardhi, pasi i ka uruar
mirëseardhjen në Ulqin vëllezërve nga
Shkodra, ka vënë theksin te
domosdoshmëria e takimeve të tilla, që
forcojnë edhe më shumë urat e
bashkëpunimit dhe vëllazërisë islame në
mesin e drejtuesve fetarë dhe
besimtarëve muslimanë të zonave
përkatëse. Ai ka theksuar se tashmë ka
ardhur koha që në vazhdën dhe traditën e
bashkëpunimeve të dy myftinive, të
realizohet marrëveshja e binjakëzimit,
që është hedhur edhe më përpara në
takimet dypalëshe.
Nga ana e tij, Myftiu i Shkodrës, Imam
Muhamed Sytari ka vlerësuar mikpritjen
dhe ka theksuar se këto takime janë
shenja të qarta të vullnetit të mirë për
bashkëpunim në mes të dy institucioneve,
si dhe një tregues i emëruesve të
përbashkët, që na bashkojnë e forcojnë
edhe më tepër, duke nisur nga gjuha e
bukur shqipe, traditat e vjetra,
origjina kombëtare etj, të cilat duhen
thelluar mbi bazat e besimit dhe fesë
islame.
Me rastin e kësaj vizite, janë këmbyer
edhe dhuratat simbolike, nëpërmjet të
cilave janë këmbyer simbolikat e
rëndësishme islame të dy qyteteve;
Xhamia e Plumbit dhe ajo e Detarëve.
Vizita ka vijuar edhe me faljen e
namazit të mesditës në xhaminë e re dhe
të bukur të “Detarëve”, ku në shenjë
respekti dhe nderimi, Kryeimami i
Ulqinit ka ftuar Myftiun e Shkodrës, të
drejtojë këtë namaz me xhemat. Ndërkohë,
Mr. Ali Bardhi i ka njohur vizitorët me
një historik të kësaj xhamie dhe
simbolikën e saj në këtë pikë
strategjike të qytetit të Ulqinit.
Më pas, për nder të Këshillit të
Myftinisë Shkodër, u shtrua një drekë e
ngrohtë vëllazërore.