Myftiu takon Prefektin e Shkodrës
për Xhaminë e Plumbit
Paraditën e së
enjtes, më 6 shkurt 2014, Myftiu i
Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, ka
zhvilluar një takim pune në zyrën e
Prefektit të Shkodrës, z. Paulin
Radovani.
Fillimisht, me rastin e kësaj vizite të
parë zyrtare, Myftiu e ka uruar
Prefektin me rastin e emërimit të tij në
këtë post, duke shprehur njëkohësisht
vlerësimin e tij për bashkëpunimin e
vazhdueshëm të institucionit të
Myftinisë Shkodër me atë të Prefektit të
Shkodrës, gjatë viteve të shkuara.
Nga ana e tij, Prefekti i Shkodrës ka
shprehur vlerësimin e tij për rolin
elitar që luan Myftinia Shkodër në
kultivimin e kulturës së besimit dhe
përkushtimit të individit në Shkodër dhe
më tej. Ai ka vlerësuar gjithashtu
kontributin e Myftinisë Shkodër në
prezantimin e saj si një institucion me
vlera, në kuadër të gjallërimit të jetës
fetare në Shkodër dhe jo vetëm.
Në qendër të vëmendjes së këtij takimi
ka qenë xhamia e Plumbit dhe nevoja e
madhe që ka kjo xhami dhe zona përreth
saj për ngritjen e argjinaturave
mbrojtëse, sidomos në këtë periudhë të
vështirë të vitit, ku reshjet e shiut
dhe ujrat e zonës së Qafës, mblidhen në
bazenin e xhamisë së Plumbit, duke e
rrezikuar përmbytjen e saj dhe
njëkohësisht duke penguar hapjen e saj
për kryerjen e obligimeve fetare.
Është diskutuar edhe për problematikën e
pronave në kufijtë e prefekturës, ku
Myftiu ka kërkuar mbështetjen e
Prefektit Radovani për zgjidhjen e disa
prej këtyre çështjeve, që nuk marrin
zgjidhje prej dekadash.