Myftiu, imamëve: “Asnjë tolerancë
përballë tendencave denigruese!”
Pasdrekën e së
mërkurës, më 5 shkurt 2014, Myftiu i
Shkodrës, Imam Muhamed Sytari ka
mbledhur imamët e qytetit, në një takim
pune mbi zhvillimet e fundit të
tendencave islamofobike në trojet
shqiptare, sprovat e shumta me të cilat
përballen muslimanët në Shkodër dhe
domosdoshmërinë e angazhimit maksimal në
shërbim të interesave të Thirrjes
Islame.
Myftiu nuk ka lënë pa përmendur rastin e
dëmtimit të shtatores së murgeshës
Gonxhe Bojaxhi në Mitrovicë, që e ka
konsideruar si tendencat përçarëse dhe
përpjekjet për etiketimin e muslimanëve
me diçka që nuk është as në natyrën as
në genin e tyre, njëlloj si në rastin e
kryqeve të sharruara në zonën e Shkodrës
para disa vitesh a edhe vetë shtatoren e
vendosur përballë xhamisë “Ebu Bekër”.
Ka përmendur “këmbanën” e projektligjit
që prek ezanin në Kosovë, si dhe ka
porositur që askush nuk ka të drejtë të
abuzojë me shenjtërinë e ezanit. Myftiu
ka dhënë urdhër të prerë që askush
përveç imamit dhe muezinit të xhamisë,
nuk ka të drejtë të ndërhyjë në thirrjen
e ezanit.
Në këtë kontekst, ai ka përmendur rastin
e xhamisë “Ebu Bekër”, ku mungesa e
disiplinës së stafit të saj, ka krijuar
shpeshherë pakënaqësi në mesin e
besimtarëve dhe qytetarëve të Shkodrës.
Myftiu është ndalur edhe tek disa
problematika të tjera, me të cilat
ndeshen sot muslimanët dhe besimtarët
frekuentues brenda xhamive, ku ka
theksuar se nuk do të tolerohet askush
që do të dëshirojë të ndryshojë
rregullin, traditën dhe disiplinën e
xhamive tona.
Myftiu ka dëgjuar me vëmendje edhe
diskutimet e imamëve, mendimet dhe idetë
e tyre dhe është angazhuar se Myftinia
Shkodër do të jetë e vëmendshme për të
bërë punën e saj, duke respektuar këdo
dhe duke mos toleruar asnjë përpjekje që
sjell denigrim të muslimanëve, nga
kushdo qoftë ajo.