Këshilli i Myftinisë Shkodër
diskuton raportin e vitit 2013

Në mbledhjen e radhës, atë të datës 31 janar 2014, Këshilli i Myftinisë Shkodër diskutoi raportin e vitit 2013, projektet e reja për vitin 2014, gjendjen ekonomike aktuale të Myftinisë Shkodër, raportin mbi gjendjen e Qendrës Tregtare Zdralej, ecurinë e xhamive në ndërtim, interesimin për xhami të reja etj.
 
Fillimisht Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari ka lexuar raportin e vitit 2013, ku kanë spikatur aktivitetet e shumta dhe të larmishme, nëpërmjet të cilave Myftinia Shkodër u përpoq që viti 2013 të jetë një vit i mbushur me gjallëri fetare, në drejtime të ndryshme.
 
Është vlerësuar edhe aktiviteti në drejtim të ndërtimit të xhamive të reja dhe nisja e punimeve për ndërtime të reja në shërbim të gjallërimit dhe pasurimit të jetës fetare të besimtarëve të Shkodrës. Njëkohësisht është vlerësuar edhe aktiviteti botues dhe bashkëpunimi me median vizive, elektronike dhe atë të shkruar, që ka pasqyruar këtë aktivitet, gjatë gjithë vitit që shkoi.
 
Këshilltarët kanë diskutuar rreth këtij raporti dhe kanë dhënë mendimet e tyre dhe atë çfarë duhet përfituar nga viti që shkoi, si dhe përmirësimet që duhen bërë në rrugën e forcimit të aktivitetit dhe Thirrjes Islame në krejt zonën.
 
Në këtë mbledhje është diskutuar edhe për projektet e reja në drejtim të ndërtimeve të reja, ku është përmendur xhamia e re në fshatin Domën, xhamia e re në lagjen Dudas, Qendra e re Islame në lagjen Dudas, xhamia e re në zonën e ish-Zukthave etj.
 
Të pranishmit kanë dëgjuar edhe raportin e menaxherit të pronave, z. Blendi Alushi, mbi ecurinë e deritanishme të Qendrës Tregtare në Zdralej, marrëdhënien me klientët etj.

 

Këshilli i Myftinisë Shkodër diskuton raportin e vitit 2013 
Këshilli i Myftinisë Shkodër diskuton raportin e vitit 2013 
Këshilli i Myftinisë Shkodër diskuton raportin e vitit 2013