Myftiu: “Mos e ulni kokën,
jetoni me dinjitetin e Islamit!”
Ditën e xhuma, më 31
janar 2014, Myftiu i Shkodrës Imam
Muhamed Sytari mbajti hytben e radhës në
xhaminë e lagjes Dërgut.
Në hytben e kësaj jave, Myftiu foli mbi
dashurinë e sahabëve ndaj Pejgamberit
(a.s), si një shtysë garante për të
jetuar me dinjitet dhe krenari
legjitime. Gjatë ligjëratës, doli në pah
sakrifica e madhe e sahabëve në rrugën e
afrimit me të dërguarin dhe vullneti i
tyre i pathyeshëm në drejtim të bindjes
ndaj Zotit dhe mësimeve të Tij.
Në këtë hytbe, Myftiu dënoi politikën
islamofobe në Kosovë dhe Shqipëri, që
gjatë këtyre viteve po punon në dëm të
interesave kombëtare, sidomos kur fjala
është për urrejtjen ndaj Islamit, fesë
së pjesës dominante të shqiptarëve në të
gjitha trojet e tyre.
Myftiu përmendi mllefet e dëshmuara
kohët e fundit, si projekt-ligji për
ndalimin e ezanit nga 38 parlamentarët e
Kosovës, si një lajthitje histerike e
pashembullt dhe e patolerueshme.
Në hytben e dytë të kësaj xhumaje,
Myftiu ka bërë homazh edhe për
komandantin Hasan Riza Pasha, Mbrojtësin
e Shkodrës, që me 30 janar 1913, u vra
pabesisht në Shkodër, pasi udhëhoqi
muslimanët e saj në luftën kundra
malazezëve, që e kishin rrethuar
qytetin.
Myftiu ka theksuar se islamofobia e ka
kapur për fyti qytetin e Shkodrës,
sidomos në 24 vitet e fundit, fakt që
vërtetohet po të bëhet një vështrim në
politikat e drejtimit të institucioneve
kryesore, vendet ku derdhen donacionet
për investime, emërtimet e
institucioneve të ndryshme, shkollave,
rrugëve etj.
Ka kërkuar nga të pranishmit që të mos
harrohet historia e nderit të këtij
qyteti dhe të përmenden me vlerësim
hoxhallarët e nderuar dhe shehlerët që
drejtuan muslimanët e këtij qyteti, nën
udhëheqjen e Komandant Hasan Riza
Pashës, në luftën për mbrojtjen e
Shkodrës, në ditët e para të pavarësimit
të detyruar nga Perandoria më e fuqishme
e shekujve të fundit, në momentet e
degradimit të saj.