Përkujtimore në nder të H. Hamza Cungut

Paraditën e së shtunës, më 25 janar 2014, në xhaminë e Rusit u organizua një aktivitet përkujtimor në nder të muezinit dhe imamit rahmetli të xhamisë Rus, H. Hamza Cungu, i cili u nda nga jeta vitin e kaluar.
 
Fillimisht, imami i xhamisë Rus, H. Fejzi Zaganjori, falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre dhe vlerësoi se ky aktivitet vjen si një ndjenjë mirënjohje dhe respekti në drejtim të njërit prej personaliteteve të shquara të kësaj xhamie dhe Myftinisë Shkodër, në dy dekadat e fundit.
 
Ndërkohë, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, në fjalën e mbajtur para të pranishëmve, ka vlerësuar shembullin pozitiv të H. Hamza Cungut, të cilin e ka cilësuar si një njeri të bardhë, prej të cilit të gjithë kanë përfituar, qoftë nga urtësia e tij, buzëqeshja prindërore, këshilla e matur e puna në heshtje në shërbim të xhamisë dhe komunitetit.
 
Myftiu ka theksuar se modele të tilla, janë përherë shembuj inspirues për të sotmen, për të kuptuar madhështinë e të qenurit musliman; njeri i pastër, i ditur, i urtë, i heshtur në veprim, përherë i fortë në vetvete me besimin në Një Zot të Vetëm e të Vërtetë!
 
Më pas, H. Fejzi Zaganjori ka mbajtur një fjalë, në të cilën ka nxjerrë në pah vlerat dhe vetitë pozitive të H. Hamza Cungut, si një njeri që vuajti 24 vjet në burgjet komuniste, që sakrifikoi në rrugën e besimit dhe fesë islame dhe që nuk u dorëzua asnjëherë së kontribuari për të mirën e komunitetit besimtar musliman, me shërbime konkrete në xhaminë e Rusit, por jo vetëm.
 
Të pranishmit kanë dëgjuar edhe disa vlerësime për rahmetliun, nga z. Vehbi Hoti, që ka lexuar disa vargje me dedikim për H. Hamza Cungun. Ndërkohë, të gjithë kanë dëgjuar me vëmendje dhe nostalgji disa regjistrime të vjetra, në të cilat H. Hamza Cungu këndon disa ilahi të hershme, plot patos dhe emocion besimi.
 
Për shpirtin e tij është bërë edhe duaja e hatmes, që është pasuar nga përshëndetja e bërë në emër të familjes, nga z. Maxhid Hamza Cungu. Në fjalën e tij, ai ka falënderuar këtë vlerësim që i bëhet babës së tij, duke vlerësuar frymën e respektit ndaj besimit dhe besimtarëve në xhamitë e Shkodrës.
 
Të pranishmit kanë falur së bashku edhe namazin e drekës dhe janë përshëndetur, me vlerësime pozitive për organizimin e këtij aktiviteti përkujtimor në nder të një njeriu të mirë, si H. Hamza Cungu.

 

Përkujtimore në nder të H. Hamza Cungut
Përkujtimore në nder të H. Hamza Cungut
Përkujtimore në nder të H. Hamza Cungut
Përkujtimore në nder të H. Hamza Cungut
Përkujtimore në nder të H. Hamza Cungut
Përkujtimore në nder të H. Hamza Cungut
Përkujtimore në nder të H. Hamza Cungut
Përkujtimore në nder të H. Hamza Cungut