Muhammedi (a.s) - Dëshmitari, përgëzuesi,
paralajmëruesi, thirrësi për tek Allahu
dhe drita ndriçuese
Dashuria jonë për të
Dërguarin e Allahut, Muhammedin (a.s)
është detyrë fetare, e cila buron nga
besëlidhja që çdo besimtar i kanë dhënë
Allahut (xh.sh) dhe të Dërguarit të Tij
(a.s).
"O i Dërguar i Allahut! Kur është
kiameti? E pyeti një sahabe Pejgamberin
(a.s). Ai (a.s) i tha: "Çfarë ke
përgatitur për atë ditë, pasi je duke
pyetur për të?" Njeriu i tha: Asgjë,
përveç se e dua Allahun dhe të Dërguarin
e Tij! Pejgamberi (a.s) i tha: "Njeriu
do të jetë me atë që ka dashtë në këtë
botë."
Sa herë që besimtarët mblidhen për të
përkujtuar të dashurin dhe Profetin e
tyre, ata nuk i ka bashkuar asgjë
tjetër, vetëm se dashuria për Allahun
dhe të Dërguarin e Tij. Kështu që,
përherë le ta lusim Allahun, të na
bashkojë në botën tjetër me Pejgamberin
(a.s) për hir të këtyre tubimeve të
begata.
Por, kush ishte Muhammedi i biri i
Abdullahit dhe i Amines? Ai lindi në
Meke, më 12 Rebiu i parë, 21 prill 570.
Lindi jetim, pasi babai i kishte vdekur
disa muaj përpara lindjes së tij. Ndërsa
edhe nëna, Aminja e la të vetëm në
moshën 6 vjeçare. U rrit në prehrin e
gjyshit Abdulmutalibit deri në moshën 9
vjeç, pastaj ai ndërroi jetë dhe
kujdestarin e tij e mori amanet xhaxhai,
Ebu Talibi. Kushdo që e mori për ta
rritur dhe ushqyer u mbush me begati dhe
me mirësi, duke iu ndriçuar jeta dhe
shpirti. Kushdo që e njohu e deshi dhe e
respektoi. Kudo që qëndroi dhe kudo që
udhëtoi, vendi pati mirësi dhe dritë
prej prezencës së tij. Allahu i
Madhëruar e kishte zgjedhur për ta bërë
njeriun më të mirë mbi sipërfaqen e
kësaj toke. E edukoi dhe e zbukuroi me
moralin më të lartë të gjithë
njerëzimit. Allahu e mbrojti dhe e
udhëzoi në rrugën hyjnore që kur erdhi
në këtë botë. Mrekullitë e Zotit e
shoqëruan gjatë gjithë jetës së tij të
ndritshme. Allahu me madhërinë e tij e
dërgoi dëshmitar, përgëzues,
paralajmërues dhe fener ndriçues, që t'i
bënte dritë botës: "O ti i Dërguar! Ne
të dërguam dëshmitar, përgëzues dhe
paralajmërues. Thirrës për tek Allahu
dhe dritë ndriçuese."
Në moshën dyzet vjeçare, Allahu e bëri
profet të Tij. I shpalli fjalën e parë:
"Lexo, me Emrin e Zotit tënd, i Cili
krijoi çdo gjë..." , pastaj e urdhëroi
të fillonte rrugën e ndriçimit të botës
duke i thënë: "O ti i mbuluar! Ngrihu
dhe tërhiqua vëmendjen (njerëzve).
Madhëroje Zotin tënd. Pastroji rrobat.
Largoju adhurimeve të kota. Mos jep në
shkëmbim për të marrë më shumë. Dhe,
duro për hir të Zotit tënd."
Kështu, Pejgamberi (a.s) ia nisi rrugës
së thirrjes dhe shpëtimit të njerëzimit.
Allahu e mësonte dhe i shpallte fjalën e
Tij, ndërsa Pejgamberi (a.s) e zbatonte
dhe e praktikonte në mënyrën më të
përsosur. Ai është shembulli ynë më i
mirë dhe më i shkëlqyer, të cilin duhet
ta marrim në jetën tonë të përditshme,
sa të jemi gjallë në këtë botë. "Për ju,
i Dërguari i Allahut është shembulli më
i mirë, për ata që shpresojnë tek Allahu
dhe në ditën e gjykimit."
Me të vërtetë, a është i dashuri ynë,
Pejgamberi (a.s) shembulli i jetës sonë?
A e marrim atë si dritë për të na
ndriçuar rrugën në errësirën e kësaj
bote, e cila është sprovë për ne? A e
kemi Pejgamberin (a.s) udhëzues
shpirtëror dhe material, në mënyrë që
jeta jonë të jetë e lumtur dhe e gëzuar,
si në këtë botë, ashtu edhe në botën
tjetër? A e dëshmojmë me shpirt dhe me
zemër, por edhe me fjalë dhe me vepra se
ai është i Dërguari i Allahut dhe se,
vetëm duke e ndjekur atë kemi për të
shpëtuar, veten, familjen dhe fëmijët
nga ndëshkimi i rëndë i Zotit fuqiplotë.
Allahu (xh.sh) na tregon në Kur'an për
jetën e Pejgamberëve të tjerë, të cilët
u munduan shumë për t'i udhëzuar popujt
e tyre. Kur njerëzit nuk bindeshin dhe
nuk besonin, ata i mallkuan popujt e
vet, ndërsa Pejgamberi ynë (a.s)
asnjëherë nuk e humbi shpresën, por edhe
kur populli i tij e torturonin dhe e
gjakosnin dhe, Allahu i dërgonte melekun
për ta ndëshkuar atë popull, ai lutej
për ta: "O Zoti im! Fale popullin tim,
se ata nuk dinë." Ky ishte Pejgamberi
(a.s), i cili shqetësohej pa masë për
ummetin e tij, madje i donte më shumë se
sa ata vetë veten e tyre. "Juve, ju ka
ardhur i dërguar nga mesi juaj. I vjen
rëndë për vuajtjet tuaja. Kujdeset shumë
për ju. Ai për besimtarët është i
mëshirshëm dhe i butë." "I Dërguari, i
do më shumë besimtarët, se sa ata veten
e tyre."
Allahu i Madhëruar e nderoi të Dërguarin
e Tij në këtë botë duke e bërë zotërinë
e bijve të Ademit, po ashtu edhe për
botën tjetër e bëri ndërmjetësuesin dhe
shpëtuesin e njerëzimit në ditën e
llogarisë. Të gjithë njerëzit, në atë
ditë të vështirë, do tu drejtohen
Pejgamberëve të tyre për t'i ndihmuar
dhe shpëtuar prej vështirësive të asaj
dite, por përgjigjja e tyre është se ata
nuk e kanë në dorë këtë gjë, pastaj të
gjithë njerëzit i drejtohen Muhammedit
(a.s) për ndërmjetësim dhe ai u thotë:
"Po, mua më takon të ndërmjetësoj." Bie
në sexhde dhe lutet, e madhëron, e
lavdëron dhe falënderon Zotin e Madh,
ndërsa Allahu (xh.sh) i thotë: "Ngrije
kokën, O Muhammed. Kërko çfarë të duash
e Unë do ta jap atë." Lutet e lutet dhe
i kërkon Zotit shpëtim për ummetin e tij
dhe Allahu ia plotëson lutjen, duke
falur prej dënimit dhe duke e shpëtuar
çdo kënd, i cili e ka njohur Zotin e tij
në këtë botë.
Prandaj, nëse duam të jemi prej
pjesëtarëve të ummetit të Pejgamberit
(a.s) dhe nëse duam të fitojmë shefatin
dhe ndërmjetësimin e tij në ditë e
kiametit, patjetër le ta ndjekim dhe ta
pasojmë atë në jetën tonë. Ta ndjekim
dhe ta pasomë atë me zemër duke e
dashur, me fjalë duke e përmendur dhe
duke ra salavat për mbi të dhe me vepra
duke i zbatuar porositë e tij. Të ecim
rrugës, të cilën na e shkroi dhe na e
ndriçoi me heshtjen, me fjalët, me
miratimet dhe me veprat e tij. "I gjithë
ummeti im do të hyjë në xhenet, përveç
ai që nuk do", kështu thoshte Pejgamberi
(a.s). dikush i tha: O i Dërguar i
Allahut, po kush nuk dëshiron të hyjë në
xhenet? Ai (a.s) tha: "Kush më bindet
mua do të hyjë në xhenet, ndërsa kush më
kundërshton mua, ai refuzon të hyjë në
xhenet."
Ai na ka porositë duke thënë: "Ato që ju
kam urdhëruar veproni sa të keni mundësi
prej tyre, ndërsa ato që ju kam ndaluar
largojuni plotësisht prej tyre."
"Myslimani është vëlla i myslimanit. Nuk
i bën padrejtësi, nuk e zhgënjen, nuk e
mashtron dhe nuk ia sjell shpinën."
"Nuk beson asnjëri prej jush, derisa të
dëshirojë për vëllanë e tij, atë që
dëshiron për vete."
Porositë e tij për ne janë të shumta,
sepse na donte shumë dhe mendonte për
hallin tonë, në atë ditë kur do të dalim
për të dhënë llogari. Gjithë jetën e tij
e kaloi për t'i bërë dritë njerëzimit,
derisa e plotësoi kumtimin e shpalljes
së Allahut (xh.sh).
Ndërsa, përpara se ai të ndërronte jetë,
bëri haxhin e lamtumirës. Gjatë këtij
haxhi i zbriti ajeti kuranor: "Sot
përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj
jush dhuntinë Time, zgjodha për ju
Islamin fe". (Maide: 3). Ebu Bekri (r.a)
pasi e dëgjoi ajetin qau. Njerëzit e
pyetën se për çfarë qan, pasi edhe ky
ajet është si gjithë ajetet e tjera që i
kanë zbritur të Dërguarit (a.s). Tha: Ky
ajet ka për qëllim Pejgamberin (a.s).
Nëntë ditë përpara se i Dërguari i
Allahut të ndërronte jetë, zbriti ajeti
i fundit nga Kur'ani famëlartë: "Dhe
ruajuni një ditë kur në të ktheheni tek
Allahu dhe secilit njeri i plotësohet
ajo që e ka fituar dhe atyre nuk u bëhet
e padrejtë". (Bekare: 281).
Gjendja e Pejgamberit (a.s) filloi të
rëndohej. "Dua të vizitoj dëshmorët e
Uhudit", kështu u shpreh Pejgamberi
(a.s). Qëndroi përpara varrezave të
dëshmorëve dhe tha: "Es-selam alejkum o
dëshmorë të Uhudit. Ju na parapritë, por
edhe ne inshaAllahu do të vijmë pas
jush, madje edhe unë to të vi pas jush".
Gjatë kthimit prej varrezave, i Dërguari
i Allahut qau. Njerëzit e pyetën: Përse
po qan o i Dërguar i Allahut? Ai (a.s)
tha: "Sa më ka marrë madhi për
vëllezërit e mi!". E pyetën: A nuk jemi
ne vëllezërit e tu? Tha: "Jo, ju jeni
shokët e mi, vëllezërit e mi janë
njerëzit, të cilët do të vinë pas meje,
më besojnë mua, por pa më shikuar me
sy".
Kështu, u kthye i Dërguari i Allahut.
Tre ditë përpara se të ndërronte jetë,
gjendja e tij u rëndua shumë. U përpoq
të ngrihej, por nuk arriti. Atëherë iu
afrua Aliu (r.a) dhe Fadël ibn Abbas
(r.a). Ishte hera e parë që sahabet e
shohin të Dërguarin e Allahut në këtë
gjendje, prandaj dhe filluan të pyesin:
Çfarë i ka ndodhur të Dërguarit të
Allahut, çfarë i ka ndodhur të Dërguarit
të Allahut, sa që njerëzit filluan të
grumbullohen.
Djersa filloi ta mbulonte Pejgamberin
(a.s), sa që Aisheja (r.a) tha: Nuk kam
parë kurrë asnjeri gjatë jetës sime të
mbulohet në djersë në këtë formë. Merrja
dorën e Pejgamberit (a.s) dhe fërkoja
fytyrën e tij, sepse dora e tij ishte më
e mirë dhe më bujare se dora ime. E
dëgjoja duke thënë: "La ilahe il'lallah.
Me të vërtetë vdekja ka memente të
vështira".
Aisheja (r.a) thotë: Gjatë kësaj kohe,
në xhami u shtuan zërat dhe bisedat për
gjendjen e rëndë të Pejgamberit (a.s). I
Dërguari i Allahut pyeti: "Çfarë janë
gjithë këto zëra?" I thanë: O i Dërguar
i Allahut, njerëzit kanë frikë për ty.
Tha (a.s): "Më mbartni tu dal përpara
njerëzve". E mbartën dhe ashtu në atë
gjendje u ngjit në minber.
Kjo është hytbeja dhe këto janë fjalët e
fundit të të Dërguarit të Allahut (a.s).
"O ju njerëz, shoh se jeni të frikësuar
për mua". Thanë: Po, o i Dërguar i
Allahut. Tha: "O ju njerëz, takimi juaj
me mua nuk është në dynja, takimi juaj
me mua është te Haodi (në ahiret). Pasha
Allahun, më duket sikur jam duke e parë
që nga ky vend. O njerëz, pasha Allahun
nuk e kam frikë për ju varfërinë, por
frikë për ju kam dynjan (pasurinë), ku
do të garoni me njëri-tjetrin ashtu siç
kanë garuar popujt e mëparshëm dhe, t'iu
shkatërrojë ashtu siç i ka shkatërruar
ata".
Pastaj tha: "O ju njerëz, kijeni frikë
Allahun, kijeni frikë Allahun për
namazin tuaj". E përsëriti disa herë.
"O njerëz, kijeni frikë Allahun për
gratë tuaja, kijeni frikë Allahun për
gratë tuaja. Ju porosis të silleni mirë
me gratë".
"O njerëz, një njeriut Allahu (xh.sh) i
dha për të zgjedhë mes dynjasë dhe asaj
që ndodhet tek Allahu. Zgjodhi atë që
ndodhet tek Allahu". Askush nuk e kuptoi
qëllimin e kësaj fjale. Ai kishte për
qëllim veten e tij. Ebu Bekri (r.a)
ishte i vetmi që i kuptoi këto fjalë,
prandaj dhe ia plasi duke qarë. U ngrit
në këmbë dhe e ndërpreu Pejgamberin
(a.s) duke thënë: Sakrifikuam për ty me
baballarët tanë, nënat tona, me fëmijët
tanë, gratë tona, me pasurinë tonë.
Kështu vazhdoi të përsëriste gjithnjë.
Njerëzit e vështruan me habi Ebu Bekrin,
si ia ndërpret fjalën të Dërguarit të
Allahut? Pejgamberi (a.s) filloi ta
mbrojë Ebu Bekrin përpara njerëzve duke
thënë: "O ju njerëz, lëreni Ebu Bekrin,
sepse nuk ka asnjeri prej jush, i cili
të ketë kontribuuar për ne dhe të mos ia
kemi shpërblyer, përveç Ebu Bekrit, atij
nuk kemi mundur t'ia shpërblejmë.
Shpërblimin e tij ia kam lënë Allahut të
lartësuar. Të gjitha dyert e xhamisë
mund të mbyllen, përveç derës së Ebu
Bekrit, ajo nuk do të mbyllet kurrë.
Përpara se të zbresë nga minberi
Pejgamberi (a.s) iu lut Allahut xh.sh
për myslimanët, si lutja e fundit e tij
ai tha: "Allahu ju ruajt, Allahu ju
bëftë strehë, Allahu ju ndihmoftë,
Allahu ju forcoftë, Allahu ju
mbështetë..."
Fjalët e fundit pak para se të zbresë
nga minberi: "O njerëz, jepuni selam të
gjithë atyre që do më ndjekin nga ummeti
im deri në ditën e Kijametit".
Pastaj hyri Fatimja (r.a) bija e
Pejgamberi (a.s). Sapo hyri në dhomë ajo
qau, sepse i Dërguari i Allahut (a.s)
nuk u çua në këmbë për ta pritur dhe për
ta përqafuar siç e kishte bërë zakon ta
priste vajzën e tij sa herë që ajo
vinte. Pejgamberi (a.s) i tha: "Afrohu
tek unë o Fatime". I foli lehtë në vesh
dhe ajo qau edhe më shumë. E thirri
përsëri: "Afrohu tek unë o Fatime". I
foli përsëri në vesh dhe ajo qeshi.
Aisheja (r.a) tregon se pas ndërrimit
jetë të Profetit (a.s) e pyeta Fatimen
se çfarë të tha i Dërguari (a.s)? Ajo
tha: Herën e parë më tha: "O Fatime,
sonte do ndërroj jetë", kështu që qava.
Por, kur më shikoi duke qarë tha: "O
Fatime, ti do jesh e para prej familje
sime që do të më pasosh në jetën tjetër"
(do jesh e para prej familjes që do
vdesësh pas meje), prandaj dhe qesha).
Pastaj, Pejgamberi (a.s) tha: "Nxirrni
nga dhoma njerëzit" dhe më tha: "Afrohu
tek unë o Aishe". U mbështet tek unë.
Ngriti dorën lart dhe tha: "Në shoqëri
të Lartmadhërishmit, në shoqëri të
Lartmadhërishmit". E kuptova se atij po
i kërkohej të zgjidhte. Dora iu lëshua
dhe koka iu rëndua. E kuptova se tashmë
ai (a.s) ndërroi jetë. Nuk e dija se
çfarë të bëj. Nuk pata zgjidhje tjetër,
vetëm se dola nga dhoma dhe hapa derën
që të çonte në xhami nga ku shiheshin
njerëzit. U thashë: I Dërguari i Allahut
ndërroi jetë, i Dërguari i Allahut
ndërroi jetë. E gjithë xhamia u mbush
duke qarë. Ali ibn Ebi Talibi ra në
vend, Uthman ib Affan filloi të bënte si
fëmijë, Umer ibnul Hatabi ngriti shpatën
lart dhe tha: Kush thotë se i Dërguari i
Allahut ka vdekur, kam për t'ia këputur
kokën. Ai ka shkuar për të takuar Zotin
e tij, siç shkoi Musai (a.s) për të
takuar Zotin dhe, ai do të kthehet dhe
do ta vrasë atë që ka thënë se ai ka
vdekur. Ndërsa, njeriu më i përmbajtur
ishte Ebu Bekri (r.a). Ai hyri në dhomë
ky gjendej trupi i Pejgamberit (a.s), e
përqafoi atë dhe tha: O mik i shtrenjtë,
o i dashur, o i Dërguar. E puthi
Pejgamberin (a.s) dhe i tha: I mirë ishe
i gjallë dhe i mirë qenke i vdekur, o i
Dërguar i Allahut. Pastaj doli nga dhoma
dhe iu drejtua njerëzve: Kush ka qenë që
ka adhuruar Muhammedin, le ta dijë se
Muhammedi ka vdekur. Dhe, kush ka qenë
që ka adhuruar Allahun, le ta dijë se
Allahu është i gjallë dhe nuk vdes
kurrë. Shpata ra nga dora e Umerit (r.a)
dhe ai tha: E kuptova se ai ka vdekur.
Umeri (r.a) tregon: Dola jashtë dhe nisa
të kërkoj për ndonjë vend për t'u ulur i
vetëm dhe të nisi të qaj.
Pejgamberi (a.s) po varrosej dhe Fatimja
(r.a) thoshte: Si ju bën shpirti dhe
dora të hidhni dhe mbi fytyrën e të
Dërguarit të Allahut?
Kjo ishte një përmbledhje e shkurtër nga
jeta e Pejgamberit (a.s), në mënyrë që
ta njohim sa më mirë jetën e tij dhe tua
tregojmë dhe tua mësojmë edhe njerëzve
të tjerë se kush ishte Muhammedi, i
Dërguari i Allahut, i cili u dërgua
mëshirë për mbarë botët.
Së fundi, çfarë do të bëjmë pas porosive
të të Dërguarit (a.s). A do të ndryshojë
jeta jonë dhe a do të kthehemi te rruga
e Pejgamberit (a.s) për tu bashkuar me
të te Haudi në ahiret dhe në xhennetin
Firdeus!
Allahut të madhëruar i kërkojmë të na
drejtojë në rrugën e drejtë, të na
udhëzojë në traditën e të Dërguarit të
Tij dhe të na shpërblejë me shefeatin
dhe qëndrimin në xhennet me Pejgamberin
tonë të dashur, Muhammedin paqja dhe
shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, mbi
familjen e tij, mbi shokët dhe mbi të
gjithë ata njerëz që ecin në rrugën e
tij deri në ditën e Gjykimit.
Lavdrim Hamja