Zvicër, tribuna fetare
kushtuar Resulull-llahut (a.s)

Me ftesë të Bashkësisë Islame “El-Hidaje”, në St. Gallen të Zvicrës, gjatë periudhës 17-20 janar 2014, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, ka marrë pjesë në aktivitetet e ndryshme fetare, me rastin e përkujtimit të Lindjes së Begatë të Hz. Muhammedit (a.s).
 
Fillimisht, Myftiu është pritur nga Kryetari i B.I. “El-Hidaje”, z. Qemal Rushiti dhe imami H. Mehas Alija, me të cilët ka ndarë kënaqësinë e këtyre takimeve, në të cilët këmbëhen eksperienca dhe forcohen urat e bashkëpunimit në mesin e muslimanëve shqiptarë. Më këtë rast, Myftiu i ka dhuruar B.I. “El-Hidaje”, një kontigjent me botimet e fundit që Myftinia Shkodër ka përgatitur me rastin e përkujtimit të sivjetshëm të Lindjes së Hazreti Muhammedit (a.s) dhe misionit të tij për mbarë botërat.
 
Ditën e xhuma, më 17 janar 2014, Myftiu ka mbajtur edhe një ligjëratë para namazit të xhumasë, në xhaminë “El-Hidaje”, ku i është drejtuar të pranishëmve mbi vlerën dhe rëndësinë që ka përjetimi i traditave profetike të Hz. Muhammedit (a.s) në jetën e përditshme të muslimanit.
 
Ndërkohë, të shtunën, më 18 janar 2014, Myftiu ka zhvilluar një vizitë zyrtare në selinë e Forumit të Rinjve Muslimanë në St. Gallen, ku është pritur nga Kryetari i FRM, z. Sherif Roçi me bashkëpunëtorë. Gjatë kësaj vizite, është diskutuar edhe mbi domosdoshmërinë e rritjes së bashkëpunimit në mesin e institucioneve islame shqiptare dhe mbrojtjen me dije dhe urtësi të frymës së paqtë të përhapjes së Thirrjes Islame me urtësi e mesatarizëm në mesin e besimtarëve.
 
Po atë ditë, pas namazit të jacisë, Myftiu ka marrë pjesë në tribunën fetare të organizuar nga xhamia “Al-Shems”, në Rebstein, ku ka ligjëruar rreth mbrojtjes hyjnore me të cilën është rrethuar personi i Hz. Muhammedit (a.s).
 
Myftiu ka qenë i ftuar nderi në tribunën tradicionale të zhvilluar nga B.I. “El-Hidaje”, të dielën, më 19 janar 2014. Në një mjedis të begatuar nga pjesëmarrja e besimtarëve të shumtë, imamëve të Qendrave Islame Shqiptare në Zvicër, si dhe prezenca e ambasadorit të Republikës së Maqedonisë në Zvicër, z. Ekrem Ebibi, të shumta kanë qenë recitimet, ilahitë dhe salavatet që ia kanë shtuar bukurinë këtij tubimi. Pa dyshim, kjo tribunë është zbukuruar edhe nga salavatet dhe ilahitë e shfaqura nga kori i fëmijëve të xhamisë dhe nga recitimi i z. Burim Berisha, kushtuar mallit ndaj të Dërguarit (a.s).
 
Në këtë tribunë, Myftiu ka ligjëruar rreth temës: “Çfarë përfitoi bota me ardhjen e Muhammedit (a.s.)”, ku është fokusuar tek përhapja e mëshirës së tij (a.s) për këdo e gjithçka.
 
Ndërkohë, Bashkësia Islame “El-Hidaje” i ka akorduar Myftiut të Shkodrës Imam Muhamed Sytari një “Mirënjohje”, me dedikimin: “Në cilësinë e “Thirrësit islam”, për kontributin e tij të pashoq në zhvillimin e mendimit islam, respektivisht në mbrojtjen dhe kultivimin e trashëgimisë sonë islamo-shqiptare”.
 
Po atë ditë, pas namazit të jacisë, Myftiu ka qenë ligjërues edhe në tribunën e zhvilluar nga xhamia “Buhara”, në Kradolf.
 
Me këtë rast, Imam Muhamed Sytari ka hedhur dritë mbi nevojën që ka sot bota islame për nxitjen e dashurisë ndaj të Dërguarit (a.s), si rrugë drejt dashurisë për Zotin e Madhëruar.
 
Pas përfundimit të tribunës, Myftiu ka zhvilluar edhe një bashkëbisedim të ngrohtë e vëllazëror, të shoqëruar me pyetje-përgjigje të ndryshme, me të rinjtë e xhamisë dhe xhematin e saj.

 

Zvicër, tribuna fetare kushtuar Resulull-llahut (a.s)
Zvicër, tribuna fetare kushtuar Resulull-llahut (a.s)
Zvicër, tribuna fetare kushtuar Resulull-llahut (a.s)
Zvicër, tribuna fetare kushtuar Resulull-llahut (a.s)
Zvicër, tribuna fetare kushtuar Resulull-llahut (a.s) 
 Zvicër, tribuna fetare kushtuar Resulull-llahut (a.s)
Zvicër, tribuna fetare kushtuar Resulull-llahut (a.s) 
 
 Zvicër, tribuna fetare kushtuar Resulull-llahut (a.s)