Shkodër, nis përkujtimi
i Lindjes së Hz. Muhammedit (a.s)
Ditën e xhuma, më 10
janar 2014, nëpërmjet minberit të
xhamisë së Parrucës, Myftiu i Shkodrës
Imam Muhamed Sytari, ka lajmëruar të
pranishmit e shumtë, për afrimin e datës
12 Rebiulevel, që përkon me datën 13
janar 2014, ditë në të cilën mbarë bota
islame përkujton Lindjen e Begatë të Hz.
Muhammedit (a.s).
Nëpërmjet hytbes së kësaj xhumaje,
Myftiu ka dhënë mesazhet e tij në lidhje
me këtë datë të shënuar për njerëzimin,
jo vetëm për muslimanët, duke iu
referuar ajeteve kur’anore, nëpërmjet të
cilave theksohet qartë dërgesa e Hz.
Muhammedit (a.s), si mëshirë për mbarë
botrat dhe si i dërguar i fundit dhe
vulë e profetësisë.
Myftiu ka theksuar se përkujtimi i kësaj
date është një detyrim moral dhe një
shenjë respekti ndaj të dërguarit (a.s),
si dhe një domosdoshmëri për të tërhequr
vëmendjen e botës drejt begative hyjnore
që lidhen me personalitetin e Hz.
Muhammedit (a.s) dhe dërgesën e tij
profetike.
Në këtë hytbe, Myftiu ka theksuar se
falë Zotit, shqiptarët e përqafuan
Islamin, me vullnet të plotë dhe sot
dëshmohen si një popull musliman, që mbi
bazat e Kur’anit dhe mësimet e Hz.
Muhammedit (a.s), respekton, toleron,
bashkëjeton dhe bashkëpunon edhe me
besimtarët e tjerë, me të cilët ndan së
bashku një tokë e një qiell.
Me rastin e përkujtimit të kësaj date të
shënuar, Myftinia Shkodër ka planifikuar
disa aktivitete, në shërbim të
gjallërimit të mëtejshëm të mesazheve që
përcjell përkujtimi i lindjes dhe
personalitetit të Hz. Muhammedit (a.s).