Myftiu: "Ta rikthejmë traditën e salavateve
pas namazeve, në xhamitë tona!"

Nëpërmjet hytbes së xhumasë së parë për vitin kalendarik diellor 2014, më 3 janar 2014, nga xhami e Parrucës, Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed Sytari, ka vijuar për të katërtën javë radhazi, të hedhë dritë dhe të flasë mbi temën e dhikrit dhe afrimin me All-llahun (xh.sh) nëpërmjet tij.
 
Në qendër të hytbes së kësaj xhumaje ka qenë salavati dhe shtimi i tij, si një urdhëresë kur’anore dhe porosi profetike.
 
Pas përmendjes së ajetit kur’anor, në të cilin besimtarët urdhërohen të bien salavate dhe t’i dërgojnë selame Resulull-llahut (a.s), Myftiu ka përmendur edhe hadithin e Imam Ahmedit, nga Ebu Talha El-Ensari (r.a), se Resulull-llahu (a.s), doli një ditë me fytyrë të qeshur dhe e pyetëm: Të shohim të qeshur sot, o i Dërguar i All-llahut. Ai tha: “Më erdhi meleku dhe më tha: O Muhammed, a je i kënaqur që Zoti yt thotë: “Kushdo nga ymeti jot që bie një salavat përmbi ty, Unë do të bie 10 herë salavate përmbi të! Dhe kushdo nga ymeti jot që të jep selam, Unë do t’i jap 10 selame atij” Dhe unë i thashë: Pa dyshim, që jam i kënaqur!”.
 
Myftiu ka tërhequr vëmendjen e të pranishëmve për të shtuar sa më tepër mexhliset e dhikrit dhe salavatit nëpër xhami, si një traditë e vjetër dhe e shëndoshë islame, që në ditët e Profetit, sahabëve dhe pasuesve të tyre.
 
Në hytben e tij, ka përmendur se ka ardhur koha që nëpër xhamitë tona “ta rikthejmë traditën e bukur e të vjetër të përfundimit të virdit të pasnamazit me këndimin me xhemat të salavateve mbi të dërguarin (a.s). Mos të kemi ndrojtje dhe mos të ndikohemi nga thirrjet shterpë të kujtdo që mundohet të mbysë shpirtin e xhamisë dhe atë të xhemateve tona, në emër të bidatit, sepse dhikri dhe salavatet me xhemat nuk janë bidat, përkundrazi!” – ka përfunduar Myftiu.
 
Të pranishëm në faljen e xhumasë në xhaminë e Parrucës këtë ditë kanë qenë edhe myftilerët e qyteteve Hatay dhe Iskanderun nga Turkia, që kanë mbërritur sot për një vizitë zyrtare në Myftininë e Shkodrës.

 

Myftiu: "Ta rikthejmë traditën e salavateve pas namazeve, në xhamitë tona!"
Myftiu: "Ta rikthejmë traditën e salavateve pas namazeve, në xhamitë tona!"
Myftiu: "Ta rikthejmë traditën e salavateve pas namazeve, në xhamitë tona!"