“Nún Pasha Lapsin…”, një libër dëshmie…

Xhahid Bushati, shkrimtar 

Libri më i ri i titulluar: “Nún Pasha Lapsin…” i Imam Muhamed Sytarit, Myfti i Zonës Shkodër, është një prurje e re e cilësore jo vetëm në krijimtarinë e autorit, por njëherësh pasuron korpusin e veprave të tij, bibliotekën islame dhe fondin e dijeve shqiptare.
 
Kënaqësia estetike, që më dha ky libër i vlefshëm e mentar, është e atillë, sa e kam të vështirë t’i shpërfaqë të gjitha vlerat që mbart ai. Libri në fjalë është i asaj natyre, që para dijeve të tilla, gjithmonë mbetesh nxënës. Kjo është dhe arsyeja që unë do të flas për disa nënvizime që kam bërë me kujdes gjatë leximit të thelluar të librit. Me këta nënvizime kam komunikuar gjatë dhe këtë ‘bisedë të zhvilluar në heshtje’ dëshiroj ta përcjell edhe në këtë promovim libri.
 
Fillimisht më ka intriguar titulli: “Nún Pasha Lapsin…”. Më ka bërë të mendohem… E vënë në themel të përmbajtjes kjo metaforë kuranore me vlera besueshmërie e universale, autori nuk bën gjë tjetër por recepton drejtpërdrejt me lexuesin, duke përligjur së brendshmi e njëkohësisht shpalosur shkollën e vet të “Thirrjes islame”, dijet e dijetarëve e mësuesve të vet të shtrenjtë, dijet e hoxhallarëve shkodranë e më gjerë, si dhe dijet e veta. Të gjitha këto të vendosura në kontekste kohore të së djeshmes, të sotmes dhe të nesërmes. Sipas mendimit tim, ky është një libër dëshmie. Autori dëshmon. Kjo nuk është e lehtë. Është sprovë e vështirë në marrëdhënie me problematikat e ndërlikuara të realitetit që po kalojmë. Po cili është thelbi i dëshmisë së autorit Imam Muhamed Sytari? Përgjigjen e gjeta te kjo Sure, e cila thotë: “Pasha Kur’anin e pacënueshëm në urtësinë e tij të lartë”. Dhe kjo është arsyeja që ky libër në mesazhet e çdo shkrimi përcjell e rrezaton nur. Është nuri i Profetit tonë, Muhamedit alej selam, drita e të cilit ngroh çdo zemër dhe njerëzimin. Porositë, këshillat dhe urtësia e Tij shpaloset madhërishëm me kulturë e intelektualizëm qytetar nga autori i këtij libri.
 
Ashtu siç e përmenda më lart libri dëshmon, dhe është përballë një realiteti: ku i paafti bën prokopi e të diturit i mbushen sytë me lot, kur dhuna, grindja dhe konflikti kanë zëvendësuar ndershmërinë, kur fjala e saktë ka humbur funksionin etik e edukativ dhe është zëvendësuar me fjalën e egër e pis të rrugës, kur rendja e babëzitja pas parasë së pamerituar kanë zëvendësuar aftësinë e vizionin, progresin dhe respektin, kur servilizmi, shitja e nderit e militantizmi janë kostumi më i domosdoshëm i kësaj kohe, kur jeta dhe vlerat e saj të çmueshme kanë çmimin më të lirë edhe më të lirë se në tregjet e gabit, kur paqja zë një vend shumë të vogël në zemrat e njerëzve, etj., etj. Ndaj, leximi me kujdes i këtij teksti të këtij libri na fton dhe na ushqen me sofrën e begadë të virtyteve, na ushqen me besimin, me të vërtetën, me mirësjelljen, me mirësinë etj, me shumë kategori qytetarie, të cilat janë rreze të domosdoshme, ku unë, ti, ai, ai tjetri, e plot e plot të tjerë duhet t’ia shtrojnë vetes rrugën me diell.
 
Në qoftë se do të kërkojmë se cili është personazhi i librit, do të shohim se ai është i njëjtësuar me autorin, i cili në dëshminë e tij para kohës (Pasha kohën) dhe para vendit (Betohem për këtë vend) në thellësinë e fjalës, pra, në nënteksin e tij ruan dhe përcjellë edhe të nesërmet të përditshmërisë së komunikimit, të lidhura me problematikat ekzituese e me ato që të afron ardhmëria e kohës. Të gjitha këto i gjejmë të shtjelluara me finesë e me një stil elegant, faqe pas faqe te libri “Nún Pasha lapsin…”. Gjithashtu nuk mungojnë edhe gjetshmëritë e këndvështrimeve të autorit, ku fokusohen në ajetet kuranore, si: Thuaj: “Ai është Allahu, Një e i Vetëm!” dhe “Përmende emrin e Zotit tënd në mëngjes dhe në mbrëmje”.
 
Në vazhdim të nënvizimeve, më ka tërhequr vëmendjen dhe struktura e librit, e cila si bërthama ka rubrikën dhe është kompozuar sipas kësaj formule: Parathënie – Në vend të hyrjes – Kujtesë dhe gjurmë – Me shkas – Studime – Mesazhe – Pasqyra e Hytbes (pasqyron vitet 2011, 2012 e 2013).
 
Po ndalem në dy elemente të kësaj formule: Kujtesa dhe Gjurma.
 
Në Fjalorin e Gjuhës së sotme Shqipe, fjala kujtesë-a zbërthehet kështu: Aftësia e njeriut për të mbajtur mend dhe për të riprodhuar ato që ka parë, ka dëgjuar a ka mësuar në të kaluarën. Kujtesë e fortë (e dobët). Kujtesë pamore (dëgjimore). Kujtesë logjike (mekanike). Ka kujtesë të mirë. I është dobësuar (e ka lënë) kujtesa.
 
*Tërësia e përshtypjeve që ruan dikush në vetëdijen e tij për diçka që ka parë, që ka dëgjuar ose që ka mësuar në të kaluarën. Më mbeti në kujtesë. Nuk më hiqet. (nuk më shqitet) nga kujtesa. E ruaj në kujtesë. Rrëmoj në kujtesë.
 
*Kujtim
 
*Sa për kujtesë sa për ta kujtuar.
 
Ndërsa, po në këtë Fjalor fjala gjurmë-a, -ë, -ët.; zbërthehet kështu: *Shenjë që lë shputa e këmbës së njeriut ose putra e kafshëve mbi tokë ose mbi një sipërfaqe. Gjurmë të reja (të vjetra). Gjurmë në dëborë. Gjurma e këmbës. Gjurmë kali (lepuri, ujku, ariu). Lë (mbeten) gjurmë. Prish gjurmët. Ndjek gjurmët. Eci (shkoj) pas gjurmëve. Bie në gjurmët e një kafshe. Humbas (ngatërroj) gjurmët.
 
…………………
 
*zakon. sh. Gërmadhat, rrënojat a dëshmi të tjera që kanë mbetur nga diçka që ka qenë në të kaluarën. Gjurmët e qytetit. Gjurmët e lashtësisë. Gjurmët e qytetërimit.
 
*zakon. sh. fig. Përshtypje, mbresa. Gjurmë të thella në ndërgjegje. Gjurmë në kujtesë. Lë gjurmë.
 
Duke lënë mënjanë kuptimin e mëvetësishëm, kuptimin e parë që shpreh tiparin thelbësor të fjalës, e më pas kuptimin e dytë e me radhë, pastaj elementet krahasuese, pastaj kuptimet e ngjyrimet metaforike, strukturat semantike, leksemat, njësitë frazeologjike, etj., etj., për këto dy fjalë që po marr në shqyrtim, po e thjeshtoj më tej skemën: * Për Kujtesën: Më
 
mbetet në kujtesë. Nuk më hiqet. E ruaj në kujtesë. Rrëmoj në kujtesë. *Për Gjurmën: Lë gjurmë. Ndjek gjurmë. Eci pas gjurmëve. Humbas (ngatërroj) gjurmët.
 
Këto dy skema si janë mishëruar në veprën “Nún Pasha Lapsin”. Këto dy nocione jetojnë e shndrisin në vepër. Sepse ajo (vepra) ka kujtesën dhe gjurmën historike. Ruan vlerat e jetëgjatësisë, të të qenurit, ekzistencës dhe të identitetit, për të cilat kemi aq shumë nevojë. Po të ndodh e kundërta, cilësojmë: Rrimë pa kujtesë dhe humbim a ngatërrojmë gjurmët. Për rrjedhojë vepra humb: para, kohësinë dhe prapakohësinë. Vepra hyn në histori pa histori. Ndërsa vepra “Nún Pasha Lapsin” i ka përjashtuar këto dukuri negative e rrezaton fisnikërisht me emblemat: Pasha kohën dhe Betohem për këtë vend. Shfaqen në plotërinë e tyre. Përmes dëshmisë së autorit, këtu, historia flet qartë me të gjitha ngjyrat e saj, realisht dhe pa zbukurime e artifica. Dhe kjo është meritë e Imam Muhamed Sytarit.
 
Përsëri në vazhdim të nënvizimeve, e ky është i fundit. Nënvizimin e kam për stilin e autorit në këtë libër. Duke iu kërkuar ndjesë për një njohje jo të plotë të stileve të disa dijetarëve dhe autorëve nga bota arabe dhe turke; po përqendrohem te kjo vepër. Por më parë po përmend disa tipe shkrimesh, të cilat ruajnë veçanësitë e tyre, por përbashkohen, sepse është e njëjta dorë që i shkruan. Dhe ata janë: “Në shiritin e nurtë të një dite Bajrami”, “Sprova e ujit dhe çmenduria e një shoqërie”, “Në Zogaj, ku gurët e varrit thërrasin: “Në ishim si ju dhe ju do të bëheni si ne…”, “E shkuara dhe e sotmja në atmosferën e 5-vjetorit të xhamisë së re të Parrucës”, “Xhamija e Plumbit në zhgatrrim”, artikull i vitit 1938 që përsërit veten akoma sot”, “Hazreti Muhammedi (a.s.) – Njeriu Profet”, “Teuhidi në vargjet e Hafiz Jusuf Këlmendit”, “Në gjurmët e dijetarit H. Vehbi Sulejman Gavoçi – dijetari që nderon një komb, një ymet…”, “Mesazh imamëve të Shkodrës në prag të Ramazanit 2012”, “Për një gjallërim të ekuilibruar të moralit të fesë në shoqëri.”, etj. Studimet na thonë se për të folur për stilin e një autori, siç është në rastin tonë të Imam Muhamed Sytarit, duhet të konstatojmë dhe t’i evidentojmë disa përbashkësi të opusit të tij. Në këtë rrafsh studimet mungojnë. Ne po bëjmë një përpjekje të vogël. Sipas Volfgang Kajzerit: “Çdo vepër poetike paraqet botën e veçantë të formimit të poetit. Ta kuptosh stilin e ndonjë vepre do të thotë t’i kuptosh faktorët formësues të asaj bote në përbashkësinë e strukturës individuale”. Duke marrë tharmin e këtij formulimi, e duke i shtuar edhe mendimin se ‘secila vepër ka strukturën e saj specifike dhe, kundruar në këtë kontekst vepra është stili.’ Mbi këtë bazë, pra, ‘vepra është stili’, si dhe duke qenë një njohës mjaft i mirë i korpusit të veprave të Muhamedit, mund të rendis këto dukuri lidhur me stilin e tij, si: prirjen ekspresive, intensifikimin si mjet shprehës stilistik e ballafaques, përsëritjen e fjalëve e fjalive, të shumë pasazheve sintaksore si dukuri përforcimi dhe përqëndrimi të natyrës së problemit, përdorimi i tropeve, i gjuhës shqipe si element formimi e kreativiteti intelektual, qëllimshmëria e përsëritjes së motivit a të problemit në një kohë të caktuar apo në vijimësi kohore, fjalët e zgjedhura e plot ngarkesa emocionale si njësi themelore të të shprehurit, etj.
 
Dhe në fund: vepra “Nún Pasha Lapsin…” – një libër që duhet ta kesh në bibliotekën tënde. Dhe kjo nuk është pak.
 

 
(referat i mbajtur në promovimin e librit, të enjten, më 26 dhjetor 2013, Shkodër.)