Viti 2013- vit i dekadencës shpirtërore të njeriut bashkëkohor…
Imam Muhamed
Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Po ndiqja një emision
special mbi ndodhitë kryesore të vitit
2013 në kanalin televiziv satelitor
“Al-Jazeera”. Dy gazetarët, si në një
bashkëbisedim, përsërisnin ndodhitë e
këtij viti, duke u përqendruar tek “pranvera
(e kobshme) arabe” dhe të tjera ndodhi,
që të gjithë ne, në një mënyrë a një
tjetër, përjetuam së bashku…
Për një moment e largova vëmendjen nga
emisioni në fjalë dhe sa hap e mbyll
sytë, solla në orbitën e kujtesës së
afërt ngjarje e ndodhi, të cilat, për
mendimin tim, shenjuan rrugëtimin e
këtij viti dhe regjistrimin e tij në
arkivat e historive të errëta, dekadente
e larg rritjes cilësore të sjelljes së
racës njerëzore në skenat e jetës.
Viti 2013, me gjithë atë që pamë e
dëgjuam, u shënua si një ndër vitet më
të errëta të historisë së njerëzimit.
Njeriu bashkëkohor, me gjithë arritjet
në teknologji, shkencë, mjekësi e shumë
lëmi të tjera, u dëshmua si model
xhungle, pa shpirt, pa mëshirë, pa vlera,
plot injorancë e imoralitet!
Njeriu i vitit 2013 dështoi në rrugën e
vërtetimit se është i denjë të dëshmojë
vëllazërinë e shenjtë humane, atë për të
cilën Zoti i njeriut, nëpërmjet Librave
të Shenjtë, e ka ftuar atë ta dojë e ta
respektojë vëllanë e tij human, të dojë
për tjetrin atë që do për vete, të mos
punojë pas krahëve, të mos vrasë, të mos
bëjë tregëti me imoralitetin etj.
Me veprën e tij, njeriu bashkëkohor i
vitit 2013 vërtetoi dekadencën dhe
rrugëtimin në labirinthet e errëta të
injorancës dhe fanatizmit ekstremist e
vrastar, pa mëshirë e dhembshuri, pa
ndjenja njerëzore....
Në këtë vit të errët për njerëzimin,
vitin 2013, u vranë me mijëra të
pafajshëm në mbarë botën, nën sytë dhe
vëzhgimet e verbëruara të “botës së
qytetëruar”, që si përherë në traditën e
saj dinake, u radhit në njërin krah të
vrasjes dhe të zjarrit! U bombarduan
qytete e fshatra, për faturë të një
qytetërimi të dështuar e një sistemi të
ri dështak në rrugën e rritjes së
cilësisë së jetës mbi Tokë!
Mbetën jetimë me mijëra fëmijë të
pafajshëm, sidomos në botën islame e atë
arabe, në përmbushje të axhendave
politike të krimit, vrasjes e shfarosjes
së Tjetrit, në një botë pa drejtësi, pa
shpirt, pa besim, pa frikë për një ditë
llogarie!
U dogjën muslimanë të pafajshëm nga duar
terroristësh budistë, të mbështetur edhe
nga një heshtje totale botërore, për një
prej krimeve më makabre të historisë së
njerëzimit!
U shkatërruan xhamitë dhe u ndalua feja
islame me ligj, nga fanatizmi dhe
ektremizmi i verbër, në emër të shumicës
katolike në Angola... (Vërtetë, botë e
tretë, por edhe ky etiketim është
stacion prej stacioneve të dekadencës
shpirtërore të njeriut bashkëkohor!).
Në Shqipëri, shejtani me bijtë e tij
besnikë, vazhdon të tallet me muslimanët
autoktonë të këtij vendi, duke mbajtur
peng ndërtimin e xhamisë katedrale në
mes të Tiranës, por jo vetëm, në një
kohë kur gojët e palara të shumëkujt, në
ditë festash fetare përsërisin pa ia nda
se: "modeli shqiptar i harmonisë
ndërfetare" ia vlen të prezantohet edhe
mëtej në botë...
Por, viti diellor 2013 dëshmoi edhe
vullnete befasuese kthese, si ai i
regjizorit hollandez Arnoud van Dorn, i
cili në shkurt të këtij viti u kthye në
musliman, pak kohë pasi Geert Wilders,
Kryetari i Partisë së Lirisë së
ekstremit të Djathtë (pjesë e së cilës
ishte edhe van Dorn, regjizor i një
filmi të ulët në hak të profetit
Muhammed), lëshoi një websit personal të
quajtur: “Jo xhamive” në Hollandë… Sepse
përherë ka shpresë, sepse kjo gjithësi e
ka Një Zot, të Vetëm, të Pashoq!
Viti diellor 2013 shkoi... Shkoftë e
keqja me të, ndonëse të njëjtat fytyra
të modelit 2013, do vazhdojë të dëshmojë
kjo botë edhe në këtë 365 ditësh të ri
me numrin 2014.., ndonëse e kemi për
detyrë të lutemi që kjo botë të
pastrohet nga ky model ateist,
ekstremist, fanatik dhe i verbër!
Cila është zgjidhja e këtij ngërçi, në
të cilin ka hyrë njeriu i shekullit të
ri, duke u dëshmuar pa shpirt e pa
ndjenjë, pa zemër e pa moral? Është e
njëjta zgjidhje, si ajo që përherë
njeriu e ka pasur në dorë; kthimi nga
Zoti, Krijuesi i njeriut, krijuesi i
tanësisë. Vetëm Ai nuk na e ka me hile!
Shkodër, 31 dhjetor 2013