Një mbrëmje fetare në Gostivar, ku shpirti i salavateve mbuloi horizontet…

Imam Muhamed Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
 

Me ftesë nga Forumi i të Rinjve Muslimanë, mbrëmjen e së shtunës, më 28 dhjetor 2013, isha ftuar të ligjëroja në një tubim masiv në qytetin e Gostivarit.
 
Natyrshëm, në rrobat e një thirrësi islam, dëshira për të qenë prezent në një tubim të tillë, në një qytet shqiptar, në mesin e vëllezërve të mi të një besimi, gjaku e gjuhe, ishte krejt legjitime. I shtohej edhe fakti se ftesa vinte nga Hoxha dhe vëllau i nderuar, Mr. Ahmed Mehmedi, Drejtori Përgjithshëm i FRM, me të cilin u takuam për herë të parë në Zvicër, me rastin e 10 vjetorit të FRM, në St. Gallen, disa muaj më parë.
 
Ndërkohë, në rrobat e Myftiut të Shkodrës, do të kisha rastin të takohesha edhe me shumë personalitete islame të vendit, në krye të cilëve, Myftiu i nderuar i Gostivarit, personaliteti i shquar islam shqiptar në këto troje, Shaqir ef. Fetahu, ligjëratat e të cilit mbahen mend akoma në Shkodër, që nga ditët e para të rimëkëmbjes së Thirrjes Islame pas vitit 1990, kur zotëria e tij do të kishte mirësinë, të vinte për të ligjëruar rreth vlerave islame, në sallat e Universitetit të Shkodrës.
 
Udhëtimi drejt Gostivarit, më dha një kënaqësi të madhe, që e mundi lodhjen e rrugës, relativisht të gjatë. Kjo, për faktin se sa herë njeriut i jepet mundësia të shkelë cepat e shumtë të tokës së tij, të ndjejë aromën e natyrës, të prekë rrezet e diellit, të shijojë bukuritë e stinës e të komunikojë me vëllezërit e tij, secili në dialektin përkatës, çdo lodhje fizike kompensohet me ndjenjat e asaj fryme, që të mbush me krenari kombëtare, përzier me madhështinë e përshëndetjeve me selam e urimet me emrin e All-llahut në gojën e secilit…
 
Pasi kaluam nëpër Prizren, Suharekë e Ferizaj, rruga drejt Hanit të Elezit ishte akoma më e shkurtër, në prag të kalimit të kufirit me Maqedoninë, drejt Shkupit. Ishte hera e parë që po shkelja në tokat shqiptare të shtetit përtej Kosovës, me një ftesë të tillë, ndonëse më parë, në kohët e studimeve, kur udhëtonim me autobus drejt Sirisë, natyrshëm që do të përballeshim edhe me orët e gjata të pritjes rutine, në hyrje dhe dalje të këtyre kufijve, lodhje që këmbehej me kënaqësitë e kalimit tranzit nëpër toka shqiptare e muslimanësh shqiptarë…
 
Në kufi më prisnin vëllezër të dashur të FRM. Takimi ishte i përzemërt, shto edhe konsideratën reciproke që nga takimi i festës së 10 vjetorit në St. Gallen të Zvicrës… Pas një pushimi të shkurtër në Tetovë, sa për të falur namazin e iqindisë, në një xhami mrekullueshme,
 
plot dritë e gjurmë bamirësie (e ndërtuar nga një biznesmen i vetëm musliman shqiptar), si dhe konsumimit të bisedave të para të mirëseardhjes në një restorant tradicional tetovar, do të merrnim rrugën drejt qytetit, ku pas rreth dy orësh do të niste një ndër mbrëmjet fetare më të paharrueshme për zemrën time...
 
Takimi në Gostivar me Hoxhë Ahmedin, më kujtoi takimin tonë të parë në St. Gallen, respektin dhe dashamirësinë që ai kishte kultivuar në mesin e të rinjve të shumtë të FRM atje, si dhe nderimin që ata i jepnin imamit dhe Hoxhës së tyre të dashur… Dhe kishin të drejtë ta bënin..! Ishin model për t’u respektuar dhe shembull, që duhet t’i shërbejë edhe qendrave të tjera islame shqiptare në diasporë, por jo vetëm!
 
Pas rreth dy orësh, në një prej sallave më të mëdha të qytetit, do të niste mbrëmja fetare, që na mblidhte nga shumë treva shqiptare, me fytyra të gëzuara, me përshëndetje të përzemërta dhe, me mallin e takimit pas shumë kohe, si adresë bekimi në derën e kësaj mbrëmje…
 
Emocionet e këtij tubiumi fetare ishin të atilla, sa të bëjnë të qëndrosh në heshtje dhe të admirosh çdo moment të tij të kaluar në një atmosferë interesimi dhe dëshire për të mësuar diçka të re, shoqëruar me një nderim dhe respekt për mysafirin, duke nisur nga i nderuari Myfti i Gostivarit, duke vijuar tek organizatori i këtij eventi e, duke vazhduar me secilin prej të pranishëmve të panumërt, që kishin tejmbushur sallën…
 
Tema që ishte lajmëruar në posterat e shpërndarë me këtë rast ishte: "Përkushtimi i sahabëve ndaj Resulullahut- model inspirues për muslimanët". Vetëm All-llahu e di më së miri, sesa mirësi nga shembujt e jetës së njerëzve më të mirë pas profetëve, morëm në këtë natë… Vetëm Ai e di, sesa u përmalluan zemrat, teksa së bashku në këmbë, këndonim salavate dashurie për të Dërguarin tonë… Vetëm Ai e di më së miri, sesa fllade mëshironjëse u derdhën në këtë natë mbi zemrat dhe shpirtrat tanë, në shoqërinë më të mirë vëllazërore, në përkujtim të sahabëve të Resulull-llahut (a.s)…
 
Kjo mbrëmje fetare në mesin e vëllezërve të dashur në Gostivar, në aktivitetin e organizuar nga Forumi i të Rinjve Muslimanë, ngeli e paharruar në memorien time. Dhe, në shenjë mirënjohje, pata dëshirë ta dëshmoj edhe nëpërmjet shkrimit.
 
Gjatë saj dhe më pas, në koktejlin dhe bashkëbisedimet që zgjatën deri në prag të ndarjes nga dita e shtunë, pata kënaqësinë e madhe të diskutoj mbi tema të ndryshme të aktualitetit islam, me organizatorin e këtij tubimi të mrekullueshëm, vëllaun e nderuar, Mr. Ahmed Mehmedi dhe shumë imamë, teologë, thirrës islamë dhe aktivistë të Thirrjes Islame në trojet e ndryshme shqiptare, në Preshevë, Kosovë, Maqedoni, si dhe në Zvicër, Austri e kudo ku ata shërbejnë e punojnë me përkushtim të madh.
 
U ritakova me shumë prej vëllezërve të FRM në Zvicër, Austri etj, me të cilët, u ritakuam në të njëjtën pikë, nga ku, para disa muajve u përshëndetëm në Zvicër...
 
Pata nderin të ndaj mendime dhe ide të ndryshme rreth zhvillimeve të Thirrjes Islame në trojet tona, me mikun e nderuar, Myftiun e Gostivarit, Shaqir ef. Fetahu, burrin e urtë dhe elokuent.
 
I urova haxhin e këtij viti Kryetarit të FRM Zvicër, H. Sherif Roçi, që kishte marrë rrugën nga Struga për të qenë i pranishëm në këtë takim vëllezërish e mbrëmje salavatesh.
 
Pata rast të takoj mualimin e nderuar nga Tetova, Abdurrahman ef. Asllani dhe një pjesë të xhematit të Hoxhës së paharruar, Jakup ef. Hasipi (rahmet pastë), me të cilët këmbyem urimet dhe lutjet më të sinqerta për mbarësi dhe suksese, në një rrugë të përbashkët, ndonëse kufijtë dhe realitetet e ndryshme materiale, na ndajnë, jashtë vullnetit tonë...
 
Pas shumë vitesh, ritakova vëllaun e dashur, teologun e zellshëm, Zekerija Rushani, që për shumë vite ka shërbyer në Medresenë e Shkodrës dhe xhamitë e saj, duke lënë një kujtim të mirë e të nderuar tek të rinjtë muslimanë në qytetin tim.
 
Ishte një mbrëmje, prej atyre që mbahen mend, që nuk harrohen lehtë, aq më tepër, për shpirtin e salavateve dhe prekjen shqiptare të mikpritjes, bujarisë, nderimit dhe vlerësimit të mikut, vëllaut..!
 
Mirënjohje dhe faleminderit të gjithëve për momentet e paharrueshme!
 

Shkodër, 29 dhjetor 2013
(disa orë pas kthimit…)

             

Një mbrëmje fetare në Gostivar, ku shpirti i salavateve mbuloi horizontet…

Një mbrëmje fetare në Gostivar, ku shpirti i salavateve mbuloi horizontet…
Një mbrëmje fetare në Gostivar, ku shpirti i salavateve mbuloi horizontet…
Një mbrëmje fetare në Gostivar, ku shpirti i salavateve mbuloi horizontet…
Një mbrëmje fetare në Gostivar, ku shpirti i salavateve mbuloi horizontet…
Një mbrëmje fetare në Gostivar, ku shpirti i salavateve mbuloi horizontet… 
 Një mbrëmje fetare në Gostivar, ku shpirti i salavateve mbuloi horizontet…
 Një mbrëmje fetare në Gostivar, ku shpirti i salavateve mbuloi horizontet…
 Një mbrëmje fetare në Gostivar, ku shpirti i salavateve mbuloi horizontet…
 Një mbrëmje fetare në Gostivar, ku shpirti i salavateve mbuloi horizontet…