Vlera e Librit
Naim
Drijaj
Imam i xhamisë, Parrucë
Dita Botërore e
Librit
Ideja e Ditës Botërore të librit e ka
origjinën në Spanjë, në zonën e
Katalonjës, ku atij që blinte një libër
i dhurohej edhe një trëndafil. 23 prilli
është shpallur si Dita Botërore e Librit
më 15 nëntor të vitit 1995, me një
rezolutë të UNESCO-s, me motivacionin se
libri ka qenë, historikisht, instrumenti
më i fuqishëm i shpërndarjes së
njohurive dhe mjeti më efikas për
ruajtjen e këtyre njohurive.
Libri gjithmonë ka pasur dhe ka një
rëndësi të madhe. Librat kanë ruajtur
dhe ruajnë në mes kopertinave të tyre
pasurinë më të rëndësishme, më të çmuar
dhe më të shtrenjtë të një populli.
Libri është transmetues i mesazhit,
kulturës dhe civilizimit brez pas brezi.
Libri është mjet për mendimin e njeriut.
Me anë të këtij mjeti mund të matet
fuqia dhe potenciali i njeriut nga
aspekti shkencor dhe kulturor.
Gustav le Bon shkruan: “Në kohën kur
librat dhe bibliotekat për evropianët
nuk paraqisnin kurrfarë rëndësie,
kalifati islam dispononte një numër të
madh qendrash dhe bibliotekash
madhështore. Për ilustrim do të
përmendim “Shtëpinë e Urtësisë” Bejtul
Hikme në Bagdat e cila numëronte katër
milion libra, biblioteka e Sulltanit në
Kajro kishte një milion, biblioteka
Tripoli (në Damask) kishte tre milion
libra, ndërsa në Spanjën muslimane për
çdo vit hartoheshin rreth 80 mijë
libra”.
Në kohën e kalifit Memun, (215h-830) që
ka qenë edhe periudha e lulëzimit të
diturisë dhe shkencës në botën
myslimane, çdo libër i përkthyer në
gjuhën arabe peshohej më parë dhe aq sa
të vinte i rëndë, po aq edhe paguhej me
ar.
Ne, sot jetojmë në një krizë të vërtetë
përsa i përket leximit dhe studimit. Ne
njihemi si umeti i leximit, por në kohët
e fundit e kemi braktisur këtë vlerë. Ne
nuk lexojmë aq sa duhet. Ata që kanë
kryer një specializim, nuk lexojmë më në
fushën e tyre, ata që studiojnë në një
fushë të caktuar, nuk i ndjekin zbulimet
dhe studimet e fundit të asaj fushe etj.
Me zbulimin e internetit kërkimi është
shumë më i lehtë. Mjafton të dish se
çfarë të duhet dhe e gjen menjëherë në
internet. Fjalët e para të islamit janë
"Lexo", ndërkohë që ne e zbatojmë këtë
urdhër shumë pak. Kushdo që ka shkuar në
Perëndim, ka vënë re se pothuaj të
gjithë pasagjerët që udhëtojnë me metro,
janë të angazhuar me leximin e një
libri, gjatë udhëtimit ose pritjes së
metrosë. Ndërkohë që ne merremi me
thashetheme, zgjidhim fjalëkryqe ose nuk
bëjmë asgjë. Edhe internetin që në
vetvete përbën një mjet të rëndësishëm
prej të cilit mund të përfitojmë, të
rinjtë tanë e përdorin për të njohur
vajza dhe për të biseduar me to.
Ndërkohë që nëpunësit e përdorin për të
luajtur shah, ose letra gjatë orarit të
punës.
Civilizimi dhe qytetërimi ynë e ka
zanafillën e tij në fjalët "Lexo".
Kushdo që lexon historinë dhe
jetëshkrimet e personaliteteve të
ndritura islame, do të zbulojë se ata
ishin kolosë të dijes në fusha të
ndryshme.
Po të hedhim një vështrim në ambientin
ku jetojmë, secili prej nesh, shpenzon
pasuri të shumta për ushqimin,
mobilimin e shtëpisë etj... Sa janë
shpenzimet tona për leximin dhe shtimin
e njohurive? Sa shpenzojmë për të pasur
një bibliotekë familjare? Sa kohë na
merr leximi i librave?
Duke lexuar libra, ne mësojmë nga
përvojat , dituria dhe ngjarjet
dramatike të jetës së shumë njerëzve.
Sa fjalë të mëdha ka thënë dijetari
Mahmud Shakiri në veprën e tij ‘Et-Tariku
ila Thekafetina’ (Rruga për në kulturën
tonë) teksa flet për boshllëkun kulturor
që po përjeton umeti dhe për gjeneratën
e re të zhveshur nga elementet bazë
kulturore të ummetit: ‘Shkrimtari
shkruan me lapsin e huaj, filozofi
mendon me kokën e tjetrit, historiani
jep kritikat për ngjarjet historike me
qëndrime krejtësisht të huaja për
historinë e tij, artistit i rrah zemra
me rrahje të huaja nga trashëgimia e
artit të tij…’
Rinia jonë e ka varrosur librin, ndërsa
me kompjuterin ka lidhur miqësi të
fortë, para ekranit së të cilit
shpenzohen orë të tëra. Ah sikur këtë
teknologji ta shfrytëzonin për të
hulumtuar për dije dhe shkencë të
dobishme, për libra universitarë, por ja
që ata e bëjnë të kundërtën. Librin (book-un)
e kanë zëvendësuar me fejsbukun (facebook-un)
ndërsa ushqimin e shpirtrave me
jutubin (youtube-n).
Çfarë dallimi ka mes të diturit dhe
analfabetit nëse që të dy nuk
lexojnë?!!!
Për të burgosurit e shumtë që kanë
mbushur burgjet, Brazili planifikon të
zbatojë një plan, sipas të cilit i ulen
katër ditë në muaj, çdo të burgosuri që
lexon një libër.
Literatura që do t’u ofrohet të
burgosurve është letrare, shkencore,
filozofi klasike etj...
Sipas gazetave zyrtare, të burgosurve u
jepet një periudhë katër javorshe për ta
përfunduar librin dhe u kërkohet shkrimi
i një eseje rreth tij. Një komision i
posaçëm do të përzgjedhë të burgosurit e
aftë për këtë program i cili mban emrin
“Lirimi me lexim”.
Leximi është ushqim për trurin
tonë.